Kërko

2020.02.04 Ed ecco, una donna cananea, che veniva da quella regione, si mise a gridare: «Pietà di me, Signore, figlio di Davide! Mia figlia è molto tormentata da un demonio». - Mt. 15:22 2020.02.04 Ed ecco, una donna cananea, che veniva da quella regione, si mise a gridare: «Pietà di me, Signore, figlio di Davide! Mia figlia è molto tormentata da un demonio». - Mt. 15:22 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Ungjilli nga Mateu (15,21-28) na tregon se Jezusi shkon në krahinat e Tirit e të Sidonit: me ketë gjest Ai kapërcen kufijtë zyrtar të Izraelit, duke na dëftuar e treguar në mënyrë të qartë se në Zotin nuk ekzistojnë kufijtë, Hyji nuk bënë dallime, përjashtime, por afron, bashkon e kërkon vendosjen e paqes e të harmonisë ndërmjet njerëzve e popujve. Jezusi, në fragmentin ungjillor, na jep një mësim të madh: dhuratat e Zotit janë për ata, që i kërkojnë me fe, me besim.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor  me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Meshës Shenjte të së dielës së 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Tema kryesore që trajtohet nga leximet biblike të kësaj së diele e në mënyrë të posaçme nga Ungjilli, është përkatësia e popullit të Zotit dhe pjesëmarrja në shëlbimin hyjnor. Kriteri i përkatësisë së vërtetë në popullin e Zotit nuk është raca apo zbatimi i jashtëm i urdhërimeve a ligjeve Hyjnore, por feja e përvujtë dhe e patundur në Zotin, feja që shpien në sjellje të ndershme, të drejtë, të mirë e që bënë të jetosh në përkim me vullnetin e Zotit dhe në dritën e mësimeve të Tija Hyjnore.

Në Leximin e Parë (Is 56,6-7) Isaia profet parashikon se me ardhjen e Mesisë, tempulli do të kthehej në “shtëpinë e lutjes për të gjithë popujt”. Në Leximin e Dytë (Rm 11,13-15.29-32) Pali apostull na kujton se mëshira dhe shëlbimi i Zotit janë të pakthyeshme.

Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu (15,21-28) ripohon se pa kurrfarë diskriminimi, të gjithë popujt janë të thirrur, prej Zotit, të marrin pjesë në shpëtimin hyjnor e po kështu edhe vetë Izraeli do të shpëtohet nga meshira e Hyjit, sepse dhuratat e Zotit janë të pakufishme. Pjesa e Ungjillit na tregon se Jezusi shkon në krahinat e Tirit e të Sidonit: me ketë gjest Ai kapërcen kufijtë zyrtar të Izraelit, duke na dëftuar e treguar në mënyrë të qartë se në Zotin nuk ekzistojnë kufijtë, Hyji nuk bënë dallime, përjashtime, por afron, bashkon e kërkon vendosjen e paqes e të harmonisë ndërmjet njerëzve e popujve.

Jezusi, në fragmentin ungjillor të kësaj së diele të 20-të gjatë vitit kishtar, na jep një mëshim të madh: dhuratat e Zotit janë për ata, që i kërkojnë me fe, me besim. Vetëm feja na bën të prekim me dorë bukën e bijve të Hyjit, pavarësisht nga raca, gjuha e kultura. Hyji, pra, na mëson Jezusi, nuk bën dallime e shëlbimi hyjnor nuk është privilegj i disave, po është për të gjithë njerëzit, përtej kufijve e përtej çdo dallimi.

Ungjilli i kёsaj sё diele nga Mateu ndalet posaçërisht tek feja guximtare e gruas kananease, që i kërkon me ngulm Jezusit t’ia shërojë të bijën e munduar nga djalli. Ftohtësia, në dukje, me të cilën e pret Jezusi nuk e  ligështon zemrën e nënës. Ajo vijon të përgjërohet tek këmbët e Zotit. Forca shpirtërore e kësaj gruaje, që kapërcen çdo pengesë, buron nga dashuria amtare e nga besimi i patundur se Jezusi do ta ndihmojë. Mund të themi se dashuria e vë në lëvizje fenë, e feja, nga ana e saj, bëhet çmimi, që meriton dashuria.

Në fund, përballë gjithë kësaj këmbënguljeje, Jezusi e shikon plot admirim gruan pagane, gati-gati i mahnitur nga feja e saj. E kështu ia dëgjon lutjen e ia shëron në çast vajzën e pushtuar nga djalli.

Këtë grua të përvuajtur Jezusi e paraqet si shembull i një feje të patundur. Lutja e saj këmbëngulëse drejtuar Krishtit, që të ndërhyjë, na nxit edhe ne të mos e humbasim kurrë guximin, të mos dëshpërohemi, kur shtypemi nën barrën e provave të jetës. Zoti nuk e kthen kurrë kokën mënjanë, përballë nevojave tona. E nëse nganjëherë duket sikur nuk ua vë veshin britmave tona për ndihmë, e bën këtë vetëm e vetëm për ta vënë në provë forcën e fesë sonë. Kjo na kujtojnё forcën e grave, forcёn e nёnave, forcёn e gjysheve e tё motrave! Me këmbënguljen e pamposhtur janë të zojat të kryejnë punë të mëdha! Tё gjithё nё jetёn tonё kemi njohur shumë prej tyre.

Ky episod ungjillor na ndihmon të kuptojmë se të gjithë kemi nevojë të rritemi në fe e të fortifikohemi në besimin tonë në Jezusin. Ai mund të na ndihmojë të gjejmë udhën, kur e kemi humbur busullën në  ecjen tonë; kur rruga nuk duket më e sheshtë, por para nesh nis e përpjeta e theptë, kur na duket tejet e lodhshme t’i mbajmë me fund premtimet tona. Është e rëndësishme ta ushqejmë çdo ditë fenë, me dëgjimin e vëmendshëm të Fjalës së Zotit, me kremtimin e sakramenteve, me lutjen personale, që lartohet 'si britmë' drejt Tij, me sjellje konkrete dashurie të krishterë ndaj të afërmit.

                                                 Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   Is 56, 1.6-7

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Mbani të drejtën e zbatoni drejtësinë, sepse shëlbimi im është duke ardhur e s’vonon të dëftohet drejtësia ime. Kurse bijtë e ardhacakut, që do t’i mbështeten Zotit për ta adhuruar atë, për t’ia dashur emrin Zotit, për të qenë shërbëtorët e tij, të gjithë ata që do ta ruajnë të shtunën e nuk do ta çnderojnë, që do ta mbajnë besëlidhjen time, do t’i shpie në malin tim të shenjtë dhe do t’i gëzoj ata në shtëpinë e uratës sime; flitë e shkrumbimit e theroret e tyre do të jenë të pëlqyeshme mbi lterin tim, sepse shtëpia ime do të quhet Shtëpi Urate për të gjithë popujt.” Fjala e Zotit.

Psalmi 66

Ref: Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj

———————————————–

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij,
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

———————————————–

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,
sepse popujt i gjykon me drejtësi,
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

———————————————–

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Na bekoftë Hyji!
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

———————————————–

 

Leximi i dytë Rom 11, 13-15.29-32

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, unë si apostull i paganëve do të jem i lumtur në shërbesën time nëse do t’i nxis në xhelozi ata të gjakut tim e nëse do të mund të shëlboj ndonjë ndër ta. Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, çka thua do të jetë atëherë pranimi i tyre në fe, në qoftë se jo kalim prej vdekjes në jetë? Sepse dhuratat e Hyjit nuk tërhiqen. Dhe njëmend, sikurse ju dikur nuk iu bindët Hyjit, e tani, për shkak të padëgjesës së tyre, fituat mëshirën, ashtu edhe ata tani, për shkak të mëshirës suaj, u bënë të padëgjueshëm, në mënyrë që edhe ata ta fitojnë mëshirën. Pra, Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë. Fjala e Zotit.

Aleluja

Jezusi e predikonte Ungjillin e Mbretërisë,
duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Aleluja

 

Ungjilli   Mt 15, 21-28

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. Dhe, ja një grua nga Kananeja, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë e të thotë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” Por ai nuk i përgjigji fare.

Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë: “Bëja këtë nder e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!” Ai u përgjigji: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.” Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!” Jezusi i përgjigji: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua qesësh këlyshëve të qenve.” “Po, o Zot – shtoi ajo – se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”

Atëherë Jezusi i përgjigji: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!” Në atë moment u shërua bija e saj. Fjala e Zotit.

15 gusht 2020, 14:14