Kërko

Vatican News
 Provinciali i r i Provincës së Jezuitëve në Evropën Qendrore, atë Bürgler Provinciali i r i Provincës së Jezuitëve në Evropën Qendrore, atë Bürgler 

Lind Provinca e re e Jezuitëve e Evropës Qendrore

Lind një provincë e re e jezuitëve. Do të kryesohet nga Atë Bürgler e do të përfshijë katër provincat e jezuitëve: atë të Austrisë, të Gjermanisë, të Lituani-Letonisë dhe të Zvicrës. Sinjal i fortë kundër nacionalizmit në rritje. Provinca shqiptare e jezuitëve bën pjesë në Provincën Euro-mesdhetare, lindur më 2017 nga shkrirja e tri provincave: të Italisë, Shqipërisë e Maltës, me më se 500 jezuitë.

R. SH. - Vatikan

“Sinjal i fortë kundër nacionalizmit në rritje”: kështu e quan ati jezuit Bernhard Bürgler unifikimin të katër provincave të jezuitëve të Austrisë, Gjermanisë, Lituani-Letonisë dhe Zvicrës. Do të bashkohen më 27 prill 2021 në Provincën e Evropës Qendrore.

60 vjeç, me origjinë nga Tiroli Lindor, me profesion psikoterapeut, rregulltari jezuit, që nga viti 2014 provincial i Jezuitëve të Austrisë, do të jetë eprori i parë i Provincës, që do të ketë 442 rregulltarë injacianë, të shpërndarë në 36 qendra.

“Dëshmojmë se një vizion më i gjerë ka avantazhet e veta dhe përkon më shumë me jetën e krishterë” - pohon në një intervistë, botuar në kanalin e radios katolike gjermane “Domradio” të Këlnit. Sipas atë Bürgler, me kalimin e kohës, ndryshimet kombëtare bëhen më pak të rëndësishme: “Do të jemi, kështu, në gjendje, t’i përdorim pasuritë e përshpirtërisë injaciane  më me fryt për fenë, drejtësinë, dialogun ndërkulturor e pajtimin” - pohon. Pastaj duhet kujtuar - shton - se  karizma e Urdhërit të Jezuitëve ka qenë   me zemër të hapur ndaj botës, që në zanafillën e saj. “Shokët e parë të themeluesit tonë, Injacit të Lojolës, vinin nga kombe të ndryshme. Injaci nuk mendonte kurrë perspektiva kombëtare, por botërore. Kishte vizion shumë të gjërë, si për zonat ku donte t’i niste njerëzit, ashtu edhe për viset prej nga vinin e ku do të shkonin këta njerëz”.

Kontribut për Kishën

Objektivi i shkrirjes është të bashkojë forcat, në një fazë kur burimet financiare dhe njerëzore janë më të pakta - shpjegon akoma ati Bürgler. Ai dëshiron, sidomos, që Provinca e re të jetë e pranishme posaçërisht në sektorët e përshpirtërisë dhe të edukimit shoqëror: “Nëse do të arrijmë  të dallohemi akoma në këto mjedise, besoj se do të jemi në gjendje  t’u japim një ndihmë të madhe njerëzve. E do të mund të punojmë më mirë edhe në Kishë e për Kishën”

Për t’u kujtuar se krijimi i Provincës evropiane të Shoqërisë së Jezusit, pason atë të Provincës Euro-mesdhetare, lindur më 2017 nga shkrirja e tri provincave: asaj të Italisë, të Shqipërisë  e të Maltës, me më se 500 jezuitë.

07 gusht 2020, 10:11