Patriarku Maronit, kardinali Bechara Boutros Rai Patriarku Maronit, kardinali Bechara Boutros Rai  

Libani, Béchara Boutros Raï kërkon votime të parakohshme dhe neutralitet aktiv

Një Memorandum, me problematikë të pasur, u bë i njohur zyrtarisht sot nga patriarku i Antiokisë së maronitëve. Në spiralen e luftës, që vijon në zonën lindore, e shikon tek neutraliteti, rrugëdaljen e vetme për Libanin. Në dokument nënvizohet “mosangazhimi i vendit të Kedrave, “mosndërhyrja” e jashtme dhe roli ndërmjetësues e ndërtimtar i stabilitetit në rajon.

R. SH. - Vatikan

“Organizimi i zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, pa pritur ligjin e ri elektoral dhe formimi i një qeverie të re, sipas dëshirës së popullit”: ky është thelbi i thirrjes, që bën kardinali  Béchara Boutros Raï, Patriark i Antiokisë së Maronitëve. Thirrja bëhet në një situatë jo të lehtë. Prej muajsh Libani po kalon çaste shumë të vështira, i zhytur siç është në krizë të thellë shoqërore, ekonomike e politike, rënduar keqas edhe nga pandemia e koronavirusit. Pas amullisë së gjatë politiko-institucionale, qeveria aktualisht në fuqi, kritikohet ashpër nga popullsia, e zemëruar keqas për shkak të shtrenjtësisë së jetës dhe korrupsionit, që ka marrë dhenë në gjithë vendin. Kësaj situate iu shtua edhe shpërthimi i 4 gushtit në një nga magazinat e portit të Beirutit, me pasojë qindra të vdekur, të plagosur e të shpërngulur. Patriarku i nxit liderët politikë t’u hapin rrugën ndryshimeve “sepse populli dëshiron një qeveri, që i jep fund së kaluarës”, për të shpëtuar vendin! Vendi nuk shpëtohet, me sytë drejtuar nga e kaluara. Lidhja me të kaluarën çon në prapambetje e rrënim. Sytë duhen drejtuar nga e ardhmja - kujton Patriarku maronit - nga shpëtimi. Po vendin sot nuk mund ta shpëtojë klasa politike! “Nuk ka qeveri të unitetit kombëtar - pa unitet të vërtetë, e as qeveri konsensusi, pa konsensus mbi reformat - pohon me forcë Hirësia e Tij. “Dëshirojmë - prandaj - një qeveri  Shteti e populli. Jo qeveri partish!”.

Sot Patriarku  i drejtoi Libanit “Memorandumin e asnjanësisë aktive”, që e pati njoftuar javë më parë. Është thirrje e kërkesë drejtuar Kombeve të Bashkuara si dhe shpjegim për bashkësinë ndërkombëtare. Patriarku i shpjegon të gjitha arsyet historike, politike, ekonomike e kulturore,  që i shtyjnë libanezët të zgjedhin “neutralitetin”.

Neutraliteti është garanci për vendin e për Lindjen e Mesme

Që në homelinë e 5 korrikut 2020, Kardinali u pati bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të punonin për fuqizimin e pavarësisë dhe të unitetit të Libanit dhe për vënien në jetë të rezolutave, përmes të cilave njihet neutraliteti i vendit. Neutraliteti - shkruan kardinali - është garanci e unitetit të vendit  e historisë së tij, posaçërisht në këtë periudhë ndryshimesh gjeografike e kushtetuese. Neutraliteti i Libanit është forca  e tij  e garancia e stabilitetit të tij. Një Liban neutral mund të kontribuojë për stabilitetin në rajon e për mbrojtjen e të drejtave të popujve arabë dhe paqen, duke siguruar “marrëdhëniet e drejta e të sigurta”, ndërmjet Vendeve të Lindjes së Mesme  dhe Evropës, falë  pozitës së tij në brigjet e Mesdheut.

Thirrja tani përsëritet në memorandum, në mënyrë shumë të hollësishme, me pesë pika: “Arsyet historike të këtij propozimi janë koncepti i neutralitetit, rëndësia e tij si burim i pavarësisë dhe i stabilitetit të Libanit,  përfitimet që  ka prej tij vendi dhe ekonomia e tij  e, së fundi, një faqe me përfundimet”.

18 gusht 2020, 14:37