Beirut: vullnetarët ndërmjet gërmadhave Beirut: vullnetarët ndërmjet gërmadhave 

Liban: mijëra të rinj të krishterë në aksion, pas katastrofës

Janë hapur të gjitha dyert e famullive, kuvendeve e shkollave, shndërruar në qendra strehimi e asistence, për të mbijetuarit nga shpërthimi në portin e Beirutit.

R. SH. - Vatikan

Beiruti i Libanit ka nevojë të ngutshme për ushqim, veshje, ilaçe! “Lëmosha e bamirësve të Fondacionit Papnor Ndihmë për Kishën që Vuan në të gjithë Libanin, e gjetitu në rajon, është absolutisht jetike, për të mbështetur praninë e krishterë në Lindjen e Mesme, ku nuk pushojnë vuajtjet, dhuna, konfliktet e tragjeditë” - pohon Neville Kyrke-Smith, drejtoreshë kombëtare britanike e organizatës bamirëse. Ndërkaq, mijëra të rinj vullnetarë të krishterë vijojnë të mobilizohen për të shpërndarë ndihma, pas shpërthimit tragjik të 4 gushtit të kaluar, shkaktuar nga 3 mijë tonelata  nitrati amoni, që e rrënoi zonën e portit të kryeqytetit libanez. Flitet për 200 të vdekur e rreth 7 mijë të plagosur. Shkollat, kuvendet e famullitë u hapën, duke u shndërruar në qendra strehimi, ndërsa skuadrat e të rinjve  po pastrojnë ç’të munden nga gërmadhat e po shpërndajnë ndihmat më urgjente - shpjegon imzot Toufic Bou-Hadir, drejtor i Komisionit patriakal maronit për rininë - që e shikon si një mrekulli të vërtetë mënyrën si po i përgjigjen të rinjtë nevojave të 300 familjeve të shpërngulura. Imzot Bou-Hadir, partner i projektit të NDKV, që u shpërndan ushqime 5 mijë familjeve të dëmtuara rëndë nga shpërthimi, e quan Kalvar, jetën e përditshme të njerëzve, që vijojnë të kërkojnë të humburit e të identifikojnë trupat e copëtuar e të shpërfytyruar të të afërmve, të radhitur në një morg, sajuar enkas për këtë skenë të tmerrshme, por të domosdoshme...

Drejtori i Komisionit patriarkal maronit për rininë, tregon se në distriktin Achrafieh, kryesisht kristian e krejt i rrënuar nga shpërthimi, ndërmjet rrënojave u gjet trupi i një maroniti me emrin Joe, 25 vjeç, vdekur duke shtrënguar me dy duart Kryqin. I riu, tregon imzot Bou-Hadir, i pati bërë ballë tundimit për t’u larguar nga vendi i vet, në kërkim të një ardhmërie më të mirë. Deshi të rrinte këtu, “për të vaditur kedrin”, drurin simbol të Libanit e për të dhënë kontributin e vet për kombin. “Donte ta vadiste me ujë, e vaditi me gjak” – shton  imzot Bou-Hadir.

“Shpëtova gjallë pas 15 vjet lufte civile, pashë tmerre, por nuk do të mund as ta përfytyroja këtë tmerr të ri, që ra mbi kokën e njerëzve tanë” - komenton motra Hanan Youssef, rregulltare e Kongregatës Zoja e dashurisë së Bariut të Mirë. Njerëzit kanë më shumë se kurrë nevojë për ndihmë. I falënderojmë të gjithë ata, që luten për ne e, posaçërisht,  miqtë tanë të dashur të Ndihmë për Kishën që Vuan”- përfundon murgesha, që nuk është soditëse, por aktore në skenën e kësaj tragjedie të re, në Vendin e kedrave, ku jeton e ku dëshiron të pushojë në paqe një ditë! Në se ky vend do të ketë ndonjëherë paqe!

14 gusht 2020, 11:10