Kërko

Vatican News
 Shëna Ndou i Padovës Shëna Ndou i Padovës 

Kush është Shëna Ndou?

Duke “Shtegtuar drejt shenjtëroreve”, para se të nisemi për në Shenjtëroret e Laçit e të Gjakovës, po njihemi me Shenjtin, të cilit i kushtohen, Shëna Ndoun.

R. SH. - Vatikan

Nisim një shtegtim të ri. Nga Kodra e Rozafës, në atë të Laçit të Kurbinit, vend i lashtë kulti, ngarkuar me ngjarje të hidhura e të lume, me krime e ndëshkime, me përhumbje e mrekulli. Shtegtojmë kah një Shenjtërore tjetër kombëtare, ajo e Shëna Ndout, që shqiptarët e njohin si i Laçit e i Gjakovës; portugezët, si i Koimbrës; italianët -i Padovës. Shenjt, që gjithkush dëshiron ta ketë të vetin!

Kush është Shëna Ndou, drejt shenjtërores të të cilit nisim shtegtimin?

Para se të trokasim në portën e Shëna Ndout, si miq e dashamirë të Shenjtit, duhet ta njohim sadopak. Që të mundemi, pastaj, t’ia zbrazim shpirtin e shqetë, si miku-mikut! Në pritje të hirit. Sepse Shenjti nuk i nis kurrë miqtë me duar thatë!

Shna Ndou i Padovës (siç njihet në letërsinë kishtare), lindi në Lisbonë të Portugalisë më 15 gusht 1195, në një familje fisnikësh. Dita e lindjes së Tij përkoi me festën e Ngjitjes së Zojës në Qiell. Maria Teresa Tavera, një pasardhëse e familjes mbretërore të Asturias, e quajti lindjen e fëmijës, që mori emrin Fernand, dhuratë nga Zoja.

Tre parimet, mbi të cilat u mbështet formimi shpirtëror i Fernandit, ishin: përvujtëria, dlirësia dhe mëshira, mësimet kryesore të Jezusit për ndjekësit e Tij. Në moshën 15–vjeçare Fernandi u largua nga familja dhe nisi rishtarinë në një manastir agostinianësh, që ngrihej mbi një kodër buzë lumit Tago. Kështu, fillimisht, u formua në shkollën e Shën Agostinit, duke studiuar veprat e Atit të Madh të krishterimit, pa harruar Biblën, komentet e thella të Etërve të Kishës dhe veprat bashkëkohore enciklopedike. Mbas dy vitesh Fernandi u largua nga kodrat e lulëzuara të qytetit të lindjes, për të gjetur strehë në abacinë e Shën Kryqit të Koimbrës, kryeqytet i atëhershëm i Portugalisë e qyteti universitar më i famshëm i saj.

Simbas njërit prej biografëve të Tij, Rigauld: “Në kronikat e abacisë Fernandi përshkruhet si njeri i famshëm, i ditur dhe i shenjtë, i pajisur me njohuri të thella letrare e i kurorëzuar me merita të lumnueshme”.

Në Koimbra Fernandi qëndroi nëntë vjet. Mbas tyre, u njoh me përvojën e Shën Françeskut të Asizit, nëpërmjet pesë martirëve që u mbytën në Marok, dhe vendosi të hyjë në Urdhrin e Fretërve të Vegjël. E ndërroi jetën akademike të kanonikut agostinian, me thjeshtësinë françeskane. Ndërroi edhe emrin në Anton (Ndue) e duke kërkuar mbrojtjen e Varfanjakut të Asizit, u largua nga atdheu, me ëndrrën që të nisej për në Marok, për të përhapur atje mësimet e Ungjillit. Nuk arriti të sendërtojë misionin që i vuri vetes sepse, sapo zbriti në Marok, e zunë ethet e malaries, nga të cilat u shërua vetëm mbas disa muajsh.

Si u shërua, u nis me anije për t’u kthyer në Spanjë, por një stuhi e fuqishme e detyroi të zbarkonte në Sicili. Këtu filloi veprimtaria baritore e Tij, që u zhvillua në shumë qytete të Italisë si Montepaolo, Cefalû, Noto, Lentini, Forlí, Rimini, Vercelli, Bologna e Padova, qytet që mbeti i lidhur përjetësisht me emrin e Tij. Pas shumë endjesh, predikimesh e mrekullish,   Papa Gregori IX e quajti “Arka e gjallë e Biblës”.  

Kjo ishte, me pak penelata, figura e Shenjtit që u bë kaq i dashur për breza të tërë shqiptarësh, të cilëve u dha guxim për të përballuar vështirësitë e jetës e deri për të sfiduar diktaturën.  

Kaq për jetën, para se të nisim shtegtimin. Po kjo nuk mjafton. Duhet të njohim edhe kultin e Shenjtit ndër shqiptarë, pa të cilin shtegtetimi drejt Laçit mbetet i mangët. E ta dëgjojmë edhe duke predikuar në kishat tona, atë që Kisha e quan “Predicatore Angelicum”.

24 gusht 2020, 09:10