Kërko

Vatican News
 Guaskat e Santiagos së Kompostelës Guaskat e Santiagos së Kompostelës 

Kuriozitete, për shtegtarin e Santiagos

Sot, në “Shtegtimin, drejt shenjtëroreve” ndalemi në prag të Katedrales së famshme, shumëshekullore, të Sant Jagos. Arritëm, më në fund, pas rrugës së gjatë, në cakun aq të dëshiruar. Tani fillojmë vizitat, njihemi me historitë, gojëdhënat….

R. SH. - Vatikan

Shumë histori e gojëdhëna tregohen për shtegtimin drejt Santiagos: “qindra e qindra kilometra përshkuar në këmbë a me mjete të rastit, netë kaluar në bujtina fshatarake a nën dritën e yjeve, e, më në fund, pamja ngushëlluese e Shenjtërores, zakonisht në perëndimet mahnitëse të diellit mbi këto troje, ku shkelën miliona shtegtarë në shekuj. E pikërisht shtegtarët i përshkruan, në ditaret e tyre të udhëtimit! E jo vetëm mbresat, që u la takimi me Krishtin në atë shenjtërore mrekullish, por edhe kuriozitetet, që i morën me vete, në kthim...

Kurioziteti i kemores

Një prej tyre, është kemorja kryesore, e varur në kupolën e Shenjtërores. Që në shekullin XIV. Gojëdhëna tregon se zinxhiri, që e mban, u këput më se katër herë e kemorja ra me potere në mes të ndërtesës, por pa shkaktuar asnjë dëm. E u var rishtas. Sepse  nuk është vënë vetëm për bukuri aty. Luan disa role. Njëri prej tyre është për të mbuluar duhmën e fortë të djersës, që përhapet nga trupat e shtegtarëve, të cilët arrijnë në Kishë pas ditëve e netëve të panumërta, kaluar përudhë. Por edhe për vetitë terapeutike të kemit, që i lehtëson shumë njerëzit me probleme  frymëmarrjeje.

Kënaqësia e soditjes së panoramës

Pranë Santiagos së Kompostelës shtegtarët kanë rastin të shijojnë një nga pamjet më mahnitëse e më të paharrueshme: t’i admirojnë Kullat e Katedrales prej majes Monxoy (Mongjoj) të Malit Gozo. Emri rrjedh pikërisht nga shprehja, që përdornin disa shtegtarë francezë kur, duke arritur në maje, e shprehnin gëzimin dhe kënaqësinë, duke brohoritur ‘mon joie’ (Ç’lumturi!). Mos harroni, prandaj, ta shijoni këtë pamje, kur të shkoni për t’u takuar me Shën Jakun, në Kompostelë. E të brohorisni shqip: “Gëzimi im!”.

Burime të fshehura

Të gjithë shtegtarët, drejt Santiagos, marrin me vete një guaskë deti, që lidhet pikërisht me ujin. Sipas gojëdhënave, një shtegtar i shkrumbuar nga etja, që ndodhej në Naltësinë e Faljes, pak kilometra larg Pamplonës, u tundua nga djalli. Shejtani i premtoi se, po ta mohonte Zotin e Zojen ose Santiagon, do ta çonte tek një burim, ku gurronte uji më i freskët në botë. Po shtegtari nuk u përkul para tundimit e në atë çast iu duk Shën Jaku Apostull, i veshur si shtegtar. E mori për dore dhe e shoqëroi te Burimi Reniega, ku i dha të pijë ujë me guaskën e vet, që e mbante të varur në brez. Që asokohe edhe shtegtarët e mbajnë guaskën e detit, të varur në çantën e tyre, për ta përdorur kur “i tundon etja”.

Mos harroni të vizitoni 12 vise, që meritojnë

Natyrisht, vizita juaj e parë do të jetë në katedralen që, sipas traditës, naltohet pikërisht aty ku pushon në paqe Shën Jaku Apostull, ungjillëzuesi i parë i këtyre trojeve. Prej këndej  nderohet si vendi më shenjt i kultit katolik në tokën iberike. Fasada madhështore baroke, me shtatoren e Shën Jakut, duket sikur u projektua pikërisht për ta lënë pa frymë shtegtarin, para se të kapërcejë “Portikun e Lavdisë”, kryevepër e vërtetë artit romanik, vepër e Mjeshtrit Mateo, stolisur me 200 skulptura  shenjtorësh e figurash të Besëlidhjes së Vjetër.

Sapo hyn brenda, shtegtari pushtohet nga atmosfera e fuqishme e misticizmit, nësa vihet në radhë për të përqafuar shtatoren e  Shën Jakut, vendosur pas altarit të madh e për t’i puthur mantelin e argjendtë. Pikërisht pas “Caela Major” – “Altarit të madh” ndodhet kripta, ku ruhet trupi i Apostullit Shenjt.

Po mrekullitë nuk përfundojnë këtu: mund të vijosh shtegtimin duke vizituar Muzeun e Katedrales, ku njihesh me fazat kryesore historike të kësaj ndërtese qindravjeçare e të soditësh një thesar të vërtetë me vepra të pashoqe arti.

Janë për t’u parë, pastaj, çatitë e Katedrales, sheshi Obradoiro, Sheshi i Kintanës, Muzeu i shtegtimeve, Qendra historike, Tregu i Abasos, Parku Alameda…. e tjerë e tjerë. Po ç’të zgjatemi! Shtegtoni, e do t’i shikoni!

07 gusht 2020, 08:41