Relikja kryesore e Shëna Ndout Relikja kryesore e Shëna Ndout 

Kulti i nderimit të Shëna Ndout ndër shqiptarë

Në vijim të “Shtegtimit drejt shenjtëroreve”, sot po njihemi me kultin e Shenjtit ndër shqiptarë.

R. SH. - Vatikan

Kulti i nderimit të  Shëna Ndout jo vetëm në Shqipëri e nё trevat shqiptare si nё Kosovё, Mal tё Zi etj, por edhe në të gjithë botën, është aq i përhapur, sa vështirë se mund të gjindet kishë a familje e krishterë,  ku të mos nderohet figurja e Tij. S’ka kontinent a komb, në të cilin ka arritur Ungjilli, ku të mos njihet e të mos lutet Shenjti i Padovës.

Në trevat shqiptare nderohet nga të gjithë besimtarët. Vetëm Shën Kolli e Shën Gjergji e kanë ndër shqiptarë këtë nderim. Në të vërtetën Shenjtin e Mrekullive e duan dhe e nderojnë  myslimanë, ortodoksë e katolikë. Toskë e gegë. Atij i luten, atij i kushtojnë “kurbane” nga grigjët e veta e i ndezin qirinj, atij i besojnë lëmoshë e i çojnë bukë për të varfër; atij i lidhin kushte e ia mbajnë  me vete  fjalët e porositë; atij, në Shqipërinë veriore, ia kushtojnë fëmijët,  duke i veshur me petkun e Shenjtit. Nuk ka gjë më të këndshme se t’i shikosh fëmijët e njomë të veshur si Shëna Ndou, me zhgun e  konop. Në emër të tij kremtohen festa me miq e organizohen procesione. Kudo e sido të jetë, me një varrë zemre, një lot dhimbje a një kërcënim jete, besimtari do ta ketë gjithnjë pranë Shëna Ndoun.

Për të kallëzohen punë të bindshme. Flitet për ndere të jashtëzakonshme, nxjerrë prej Zotit me ndërmjetësimin e tij, për rreziqe të kapërcyera, sende të bjerrura të gjetura ku më pak pritej, vegime të para në ëndërr e të vërtetuara pastaj në zhgjëndërr. Prej këndej, bindja popullore, sipas së cilës Shenjti bën 13 mrekulli në ditë.

Lidhur me kultin e Shëna Ndout është për t’u përmendur ajo, që quhet “Buka e Shëna Ndout”. Këtu, më ndjeshëm se kudo, Shenjti tregohet  bamirës i të varfërve. Buka e Shëna Ndout, prej nga më pas lindën “Veprat Antoniane”  me emërtime e forma të ndryshme, është një nismë ndihmëtare që në misionin  shoqëror të krishterimit ka peshën e vet të veçantë. Vepra zu fill nga një mrekulli, të cilën Shenjti e kreu për të lehtësuar dëshpërimin e një nëne, së cilës i qe mbytur djali, ende për gjiri, në një govadë uji. Shenjti ia ktheu gruas djalin gjallë, por i kërkoi t’i falej nderës Zotit, duke u dhënë të varfërve aq bukë, sa ishte pesha e fëmijës!

“Pesha  fëmijës” – si u quajt në fillim “Buka e Shëna Ndout” mund të quhen jetimoret, shtëpitë e pleqve, sofrat e dashurisë, organizatat ndihmëse për të veja, për të burgosur, për njerëz të vetmuar. Të gjitha, fryte të “peshës së bamirësve” në ndihmë të nevojtarëve. Edhe në Shqipëri, veçanërisht në Shkodër e në Laç, 'Buka e Shëna Ndout' qe për vite me radhë, derisa Kishat u shndërruan në gërmadha, gurrë bamirësie, mrekulli e pandarë, edhe pse - si të gjitha mrekullitë e dashurisë së krishterë – e përvujtë dhe e pazhurmë.

Mjafton të kujtojmë ndihmat e dhëna te porta e Kuvendit të Arrës së Madhe gjatë rrethimit të Shkodrës (1913) e strehën e vogël, ngjitë me Kishën e rindërtuar françeskane të Gjuhadolit, ku  mblidhen për ditë njerëz pёr tё ngrënë drekë. I duhet përsëri Shëna Ndout të mendojë për ushqimin e këtyre njerëzve të unshëm, që edhe tani, në kushtet e pandemisë, i gjen përsëri aty, në pritje për të marrë bukën e Shëna Ndout, të paketuar për ta me kujdesin e sivëllezërve të Shenjtit.

Nuk duhet harruar se në kultin e nderimit tё Shëna Ndout bëjnë pjesë edhe: 'Shoqëria e Shëna Ndout' dhe 'Djalëria antoniane', devocionet e Shenjtit e, sidomos, 'Trembëdhjetë të Martet e Shëna Ndout'.

25 gusht 2020, 08:13