Beiruti pas shpërthimit Beiruti pas shpërthimit

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë shpreh solidaritetin e saj me popullsinë e Beirutit

"Jemi një Kishë e varfër, në një vend të varfër. Nuk mund t’ju ndihmojmë financiarisht. Por, ju kujtojmë në lutje dhe i nxisim besimtarët që edhe ata të bashkohen me ne në lutjen për popullin tuaj". Ky, mesazhi i ipeshkvijve të Shqipërisë.

R.SH. - Vatikan

Edhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin e saj me popullsinë e Beirutit. Në një mesazh drejtuar Patriarkut të Antiokisë së Maronitëve, kardinalit Bechara Boutros Rai, kryetari i ipeshkvijve katolikë shqiptarë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit, shkruan:

         “Morëm vesh me trishtim të madh, lajmin e keq për shpërthimin në Beirut. Në emër të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, iu shpreh solidaritetin Juve, i dashur Hirësi, dhe gjithë popullit të atij qyteti, i martirizuar nga shumë sprova edhe në të kaluarën.

         Jemi një Kishë e varfër, në një vend të varfër. Nuk mund t’ju ndihmojmë financiarisht. Por, ju kujtojmë në lutje dhe i nxisim besimtarët që edhe ata të bashkohen me ne në lutjen për popullin tuaj. Zoti, që di dhe mund ta shndërrojë të keqen në të mirë, ju dhashtë shpresën, që bën të lindë guximi, për të cilin ka kaq shumë nevojë vendi juaj në këtë çast.

         Të bashkuar në fe e në lutje, ju përshëndes vëllazërisht në Krishtin”.

Menjëherë pas shpërthimit në Beirut, kardinali Boutros Rai i bëri thirrje gjithë botës ta ndihmojë Libanin në kapërcimin e vështirësive të mëdha të krijuara.

07 gusht 2020, 11:37