Kërko

Vatican News
 Krijimi Krijimi 

Kishat e Evropës, për Kohën e Krijimit: të jetohet me frymë ekumenike

Në një komunikatë të përbashkët, Kishat dhe Konferencat ipeshkvnore të Evropës ftojnë që periudha e zgjedhur nga Papa për të rikrijuar lidhjet me Gjithësinë, të shndërrohet në një Jubile për tokën, të jetuar së bashku në lutje.

R. SH. - Vatikan

Nga 1 shtatori (Dita e Krijimit), deri më  4 tetor, në mbarë botën, kremtohet çdo vit lutja dhe aksioni për Shtëpinë tonë të përbashkët. Është Koha e Krijimit! Në këtë kohë të  veçantë, Papa i fton të krishterët të luten, të reflektojnë e të veprojnë për të korrigjuar e për të rikrijuar marrëdhëniet me tjetrin e me Gjithësinë.

Edhe sivjet, ashtu si në vitet e  kaluara, Konferenca  e Kishave Evropiane CEC dhe Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane CCEE, e shfrytëzojnë këtë mundësi për t’i inkurajuar anëtarët e Kishave të Evropës që t’i shikojnë këto ditë si rast për të kremtuar pasurinë e fesë sonë.

Nga mendimi i Papës Françesku në Enciklikën “Lëvduar qofsh”, rikujtohet me forcë dëshira për ta ribashkuar familjen njerëzore e për ta nxitur  të kërkojë një zhvillim të qëndrueshëm si dhe thirrja për ta rifilluar dialogun  dhe ballafaqimin ndërmjet të gjithëve mbi  ardhmërinë e planetit. Njëri nga teologët më të mëdhenj të kohëve tona, Juergen Moltmann, na kujton: “Sot kundërshtari teologjik është nihilizmi, i praktikuar në lidhjet tona me natyrën” dhe kërkon “shqyrtimin e Zotit, që është i pranishëm  në krijim, përmes Shpirtit të Tij të Shenjtë”,  një shqyrtim që “mund t’u prijë burrave e grave drejt pajtimit e paqes me natyrën”.

 Përmasa ekumenike e Kohës së Krijimit

Komunikata shpjegon e vë në dukje se përmasa ekumenike ka rëndësi të veçantë për Ditën e Krijimit e për Kohën e Krijmit, duke nisur nga “falënderimi për propozimin e Patrikut ekumenik Dimitrios I të 1989-tës për të kaluar tek Asambletë e ndryshme Ekumenike Evropiane, organizuar  bashkërisht nga CCEE dhe CEC, në Bazile (1989), Grac(1997) e Sibiu(2007).

Sivjet, kushtet e pandemisë, që vijojnë të vënë në dukje sa e brishtë është jeta njerëzore, na nxisin ta marrim seriozisht nevojën për vigjilencë e për krijimin e kushteve më të mira të jetesës në mbarë  tokën. Kjo merr një rëndësi edhe më të madhe, po të kemi parasysh shkatërrimin ambiental  dhe kërcënimin, pasojë e ndryshimeve klimaterike.

Një Jubile, për tokën

Prej këndej, ftesa  drejtuar nga kryetarët e dy organizmave evropiane për ta kremtuar këtë vit Kohën e krijimit, me titullin “Jubileu për tokën” “Koncepti i Jubileut - shkruajnë - i ka rrënjët në Bibël, duke nënvizuar edhe se duhet të ekzistojë një ekulilibër i drejtë e i qëndrueshëm ndërmjet realiteteve shoqërore, ekonomike dhe ekologjike. Leksioni i jubileut biblik  na kujton nevojën për t’i riekuilibruar sistemet e jetës, pohon nevojën për një zë profetik në mbrojtje të shtëpisë së njeriut - nënvizohet! E më pas, ftesa drejtuar të gjithë Barinjve dhe të krishterëve evropianë, famullive, bashkësive kishtare dhe çdo njeriu  vullnetmirë,  t’i kushtojnë vëmendje Kohës së Krijimit dhe ta jetojnë me frymë ekumenike, “të bashkuar në lutje  e në veprimtari”.

26 gusht 2020, 09:39