Chiesa ortodossa della Vergine Maria a Pogradec, Albania  Chiesa ortodossa della Vergine Maria a Pogradec, Albania  

Kisha e “Fjetjes së Shën Marisë,” në Pogradec

“Shtegtimi drejt shenjtëroreve” vijon. Arrijmë sot në Pogradec, për të vizituar Kishën e “Fjetjes së Shën Marisë,” rrënuar në vitin e zi 1967 gjatë sulmit të përgjithshëm mbi kishat, rindërtuar aty ku kishte qenë e rihapur më 1996.

R. SH. - Vatikan

Histori interesante, por plot vështirësi e pengesa, që vinin nga të katër anët, kjo e Kishës kushtuar “Fjetjes së Marisë”, në zemër të Pogradecit. Qyteti i kaltër, vendi i freskisë verore e i dimrave të bardhë mahnitës, që shtrihet buzë njërit nga liqenet më të bukura në botë, e nisi jetën si fshat fare i vogël peshkatarësh. Ndaj deri në shekullin XVIII, e pikërisht në vitin 1872,  nuk kishte as Kishë. Mendohet që para pushtimit turk të ketë pasur një Kishë të stilit bizantin, gjë që e vërteton gjetja e një kapiteli prej mermeri.  Pa gërmime të mëtejshme.  Duket se të krishterët e Pogradecit i kremtonin festat fetare në Kishën e Shën Prokopit, në fshatin e afërt të Vërdovës, ndërsa të vdekurit i varrosnin në varrezën e vjetër, rrëzë Kalasë, ku dikur kishte qenë kisha e Shën Djelës, Kishë e vogël,  që u zhduk shpejt, duke lënë për kujtim vetëm emrin, në ato kohë tejet të rrezikshme për kishat, kur ligjin e bënin bejlerët, që kishin ndërruar fenë.

Kisha e re nisi të ndërtohej në zemër të qytetit,  në fillim të shekullit XIX.  Ndërtim, që ka edhe gojëdhënen e  vet.

Ndërsa banorët diskutoninn nxehtësisht për vendin ku do të ndërtohej Kisha e për Shenjtin, të cilit do t’i kushtohej, ndodhi mrekullia. Një gruaje iu duk në ëndërr Zoja e i tha: - Kam mbetur pa shtëpi. Dua të ma ndërtoni një strehë!

Në fillim gruaja nuk ia tregoi askujt vegimin. Po ai u përsërit, një herë, dy, shumë herë… Madje ajo nisi të bisedojë me figurën që i fanitej. E edhe ta pyesë. Në një nga ëndrrat, e pyeti: “Kush je ti?”. E mori gjegjen : “Unë jam Maria! Dua të ma bëni kishën në zemër të qytetit, ja, këtu!”. Tha kështu e i tregoi me gisht vendin. E aty edhe u ndërtua, në vitin 1972. Aty u kremtuan festa të mëdha e të vogla, aty u pagëzuan poradecarët, aty u gjunjëzuan para Marisë në ditë të mira e të vështira.

Po ne, shtegtarë virtualë, nuk mund të shkelim virtualisht mbi këto gjurmë, që lanë mijëra këmbë në këtë Kishë. Sepse edhe për të erdhën ditë të vështira. U martirizua edhe ajo, një herë nga pushtuesit turq, pastaj nga sundimtarët vendas. Komunistë. Kremtimet, që vijonin këtu rregullisht, u ndërprenë në vitin e zi 1967 gjatë sulmit të përgjithshëm mbi kishat. Në mars të vitit 1967  Kisha u rrënua me rropamë, me gjithë vlerat e saj kulturore e artistike. E në atë rropamë, ndodhi një ngjarje, që nuk do të harrohej kurrë: njeriu, që deshi të rrëzojë kumbonën, shpëtoi mrekullisht nga vdekja. Kumbona u rrokullis nga kumbonarja dhe e preku rrëshqitas në kokë, para se të binte copë-copë përdhe, duke lëshuar tingujt e fundit, sikur të donte të paralajmëronte se Zoja e Fjetur, së cilës i kushtohej, do të zgjohej përsëri…

E u rizgjua po në atë vend, ku kishte pasur shtëpinë e saj, këtë shtëpi, që po vizitojmë ne sot, pasi kemi ecur brigjeve të liqenit më të bukur në botë, për të arritur tek Nëna më e bukur në botë, Maria poradecare.   

Kisha  u krye më 1996. Më 6 gusht të këtij viti kryepeshkopi Anastas  e bekoi, ndërsa liturgjinё e parë e kremtoi At Todi Jovani, zëvendës i mitropolitit të Korçës për Pogradecin. Tani Zoja e Bekuar poradecare vijon të presë e të përcjellë besimtarë e shtegtarë, duke i ftuar me tingujt  e kumbonës së re, e cila jehon në hapësirat e kaltra mahnitëse, që rrethojnë strehën e saj poradecare.

20 gusht 2020, 09:08