Mons Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës Mons Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës 

“Keze të hueja” – përkthime nga Imzot Ernest Çoba, Poet e Martir

Sheh dritën e shtypit, pas më se një gjysëm shekulli, përmbledhja me përkthime poetike, titulluar “Keze të hueja” e Imzot Ernest Çobës, botuar nën kujdesin e profesor Lisandri Kolës.

R. SH. - Vatikan

Ndërmjet librave të ndaluar, herë ruajtur për një gjysmë shekulli në dorëshkrim, në fshehtësinë më të madhe, ndër skutat e shtëpive të vjetra katolike - herë humbur, herë vjedhur a sekuestruar nga qeveria komuniste, në AQSH u gjend dorëshkrimi i titulluar “Keze të hueja”, Poezina të përkthyeme prej italishtje nga imzot Ernest Çoba. Libri, me 123 faqe, me hyrjen titulluar “Kunora e përkthimeve të Monsinjor Ernest Çobës”, dy shtojca: “Një vdekje që shtegton nëpër tekstet“ dhe “Faksimile tekstesh pune”, shkruar nga profesor Lisandri Kola, që e përgatiti për botim, pjesë e Kolanës Kêns Collection-Michigan, lexohet tepër shpejt e meditohet tepër gjatë.

Dy fjalë për veprën dhe Autorin

Në parathënie lexojmë:

“Dorëshkrimi, që po i paraqitet sot lexuesit, tregon për nje karakter letrar të rinisë së Monsinjorit, i cili sintetizon në formim dy shkollat letrare shkodrane, tashma kanonizue prej Profesor Ernest Koliqit, sisteme që kanë ndikue krejt zhvillimet e mavona letrare, përkthimore e gjuhsore në kulturën shqipe. Klasicizmi i Çobës ka ndihmue me përtejsue edhe ndonjë mbërritje përkthimi që deri atëherë ishte ba në Shqipni, e veçmas në traditën gege. Duhet thanë se vizioni i Monsinjorit asht me i përbashkue sistemet letrare tradicionale të shqipes dhe me u lanë shteg njikohësisht nëndialekteve a idiolekteve përkrah fertilitetit gjuhësor. Në historikun e letrave shqipe, deri më sot Ernest Maria Çoba nuk njihet. Tue mos u njohë nuk ka as vend historiko-letrar. Natyrshëm, nëse rrethanat jetësore e intelektuale do ta lejonin me u zhvillue, ai do të ishte përkrah rrethit të gjuhës së Mesme, me Nikollë Dakën, Kolë Ashtën e disa intelektualë të tjerë, brezi i fundit që u shkollue në Universitete të hueja Perëndimore”.

Një fletore e humbur dhe e rigjetur, që hapet për lexuesin               

Në vijim, sqarimet:

“Dorëshkrimi i titulluem “Keze të hueja”, i ruejtun në AQSH, Fondi 727, Dosja 3, asht nji fletore me përkthime e Monsinjor Ernest Çobës, e cila për fat ka mbijetue (herë tue humbë herë tue u gjetë) pothuejse e plotë tash 90 vjet. Përkthyesi e dëshmon në Postscriptum-in e tij (1973) se ky dorëshkrim asht rigjetë nga ai mbas dyzet vitesh…Janë gjithsej 19 poezi të përkthyeme, lirika, balada, sonete e me radhë, dhe poezia e njizetë asht poezia përmbyllëse origjinale e përkthyesit. Në total janë përkthye prej tij 568 vargje.

Këto përkthime tregojnë nji optimizëm rinor, nji orientim letrar dhe nji kompetencë gjuhe të parakoshme për moshën kur janë krye këto punime. Monsinjori ka qenë kund 18 vjeç’ kur ia ka nisë kësaj pune tue e mbyllë 21 vjeç (1922) dorën e parë, e për t’iu rikthye në moshën 60 vjeçare (1972) sërish; po kësaj herë vetem me Giusti-n dhe Metastasio-n, si edhe riprovën e Tasso-s”.

Kush është Monsinjor Ernest Çoba?

Pesëdhjetë vjet më parë Monsinjor Çobën e njihnin të gjithë. Madje edhe fëmijët, sepse u mësonte katekizmin në Kishë të Madhe, duke i përgatitur për Krezmimin, Sakrament të cilin ua jipte, më pas, ai vetë. Të gjithë e dinin se ishte njeri shenjt, ipeshkëv i Shkodrës. Po se ishte edhe vjershëtar, këtë na a mësoi zelli i poetit dhe studiuesit të njohur të letrave shqipe, profesorit Lisandri Kola, që e botoi, duke e  pajisur me parathënie, e cila na njeh jo vetëm me Dom Çobën, por edhe me Dosjen Çoba e shumë të panjohura të tjera të sulmit të diktaturës komuniste mbi kulturën katolike, në parathanien me titull “Në kërkim të poetëve të mohuem”, e më pas edhe në shtojcën, me nuhatjen e njohësit të madh të vlerave letrare, që vijojnë të bdaren e të bastardhohen në kohët tona. Nësa vijon sulmi mbi vlerat e vërteta, që ua prishin përsëri gjumin njerëzve, të cilët dinë të krijojnë vetëm krime. Libër i vogël, të cilin mund ta mbash në xhep - por me vlera të mëdha, që gjithnjë më rrallë gjinden në botimet  e sotme, në faqet e të cilave shqipja më shumë lëngon, se këndon e ligjëron.

Prandaj lexuesi, që merr vesh nga poezia klasike e mjeshtrave të mëdhenj botërorë – duke shpëtuar për ca çaste nga vargëzimet me  pushkë e kazma,  e që takohet, në faqet e këtij libri me mjeshtrat e mëdhenj – do të ndjejë një kënaqësi të trifishtë. Posaçe kur të ndalet tek pohimi se duhej gërmuar shumë më tepër  në jetën e martirëve, edhe në kërkim të dorëshkrimeve, që lanë, për të gjetur fjalën, ende të pathënë plotësisht. Të cilën - kujtohet në parathanie të librit - “Së mbrami ishte  Imzot Frendo (nandor 2019) që, në atmosferën e fjalëve të lëkundura, sa me la gojën”, “e qiti kokërr këtë fjalë”. Boll me gërrye veç në Zall të Kirit gjen veprën e plotë të regjimit hoxhist. Vepër me plot 47 vëllime! Për çdo vëllim, shumë klerikë katolikë….pohon (nanduer 2019) me gojë plot!

Zgjodhëm për ilustrim,  tingëllimën:

“Tue kjám i lypë të falun të Madhit Zot për faje të veta

(mbas Françesk Petrark-ës)

Kohnat e shkueme jam me lot tue i kjámun,

qi i kalova nder dashuni toksore,

pá marrë, tue mujtë, flatrim’n kah gjâtë qiellore

kû per t’mirë shêmbull n’shej do ishem damun.

Ti, qi t’zezat e mija t’poshtra e t’shdêja

Mbret i qiellës, i pavdekshëm e i papashëm

shef, ktij shpírt t’shkretë e t’ligshtë ndihmen deh gjêja,

e me hir të mêtat deh plotsoja zgjâshem.

Ashtû qi: jeten edhe n’paça kalue

N’luftë e stuhi, t’des n’ paq e n’l’mâ t’sugurtë

Kot n’pastë kênë ndêja, nisja t’jét e urtë.

Per at t’vogel jetesë qi endè më jet mue

E per vdekje m’i mbâjë mbi krye duertë:

ti e din mirë se n’tjerë kurr s’kam shpresue.

9-XII-932

Meriton të lexohet ky libër i vogël, sa për poezitë e Monsinjorit, aq për shënimet e përkthyesit, analizë me vlerë e padi e shkrueme me aq art, sa të mbetet në zemër e të skalitet në kujtesë, pikërisht në një kohë kur jemi para rrezikut të shlyemjes së kujtesës, që do të thotë humbje e plotë e lirisë!

21 gusht 2020, 12:59