Kërko

 Dalitët gjatë një proteste në Nuova Delhi Dalitët gjatë një proteste në Nuova Delhi 

India: “Black Day” për dalitët, më të prekurit nga coronavirusi

Kremtohet sot, në Indi, edhe me mbështetjen e Kishës, dita e të drejtave të njerëzve “jashtë kaste”. Ndërmjet tyre, shumë të krishterë, viktima diskriminimesh e paragjykimesh. Shpesh njerëzit e shtresave më të varfra e kanë më vështirë të mbrohen edhe nga pandemia.

R. SH. - Vatikan

Një nga format më të përhapura të diskriminimit në Indi, ka të bëjë me situatën e “dalitëve”, njerëz “jashtë kaste”. I përkasin këmbës më të ultë të shkallës tradicionale hinduiste, ashtu si edhe të krishterët, budistët e sikh-tët, që nuk përfshihen në vizionin tradicional hinduist të shoqërisë. Prej këndej, çdo 10 gusht, që nga viti 1950, kremtohet “Black Day”, “Dita e zezë”, nën kujdesin e Kishës katolike, për kujtim të miratimit të paragrafit  të tretë të Kushtetutës mbi “Scheduled caste”, që garantonte të drejtat e dalitëve të fesë hinduiste.

Dhunë e maskuar

Gjatë viteve edhe saikh-ve e budistëve iu njohën të drejtat e tyre, por ende jo krishterëve e myslimanëve, viktima të diskriminimit e, nganjëherë, edhe të dhunës. “Dhuna nuk është e drejtpërdrejtë, por tejet e maskuar, tinzare” - shpjegon për Vatican News, imzot Felix Machado, kryeipeshkëv i Masait, pranë Mumbait - “Në jetën e përditshme mjafton të merret vesh  se je dalit - e në Indi kjo nuk mund të fshihet, sepse përkatësia e kastës është e qartë si drita e diellit - e fëmijët, për shembull, nuk mund t’i gjejnë mjetet e nevojshme për të shkuar në shkollë. Kisha po bën shumë, por kufizimet vijojnë. Në dioqezën time, zonë e dalitëve, kemi shkolla, bëjmë çmos për t’i pranuar të gjithë, por pa asnjë farë ndihme nga qeveria”.

Vuajtjet nga koronavirusi

India sot është vendi i tretë në botë për numër të prekurish nga koronavorusi, me më se dy milionë raste pozitive. Shumica, dalitë. “Janë punëtorë, që shtegtojnë në të katër anët e vendit, në kërkim të punës” - shpjegon imzot Machado - e kudo shfrytëzohen dhe vuajnë. Në atmosferën e pandemisë hasin shumë vështirësi edhe për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre, për shkak të masave kufizuese. Kjo kohë “e infektuar” është udhë e vërtetë kryqi për ta!”.

Më të pambrojturit nga Covid-19

Kushtet e jetesës së dalitëve e bëjnë posaçërisht të vështirë parandalimin e përhapjes së pandemisë. “Vuajtjet e tyre janë të papëshkrueshme, edhe pse jetojnë në zona të varfëra, të mbipopulluara” - vijon kryeipeshkvi - E pastaj, nuk kanë ujë, as mjete shëndetësore. Kështu janë më pak të mbrojturit përballë virusit e vdekjes, që shtegton bashkë me të. Porositen të lajnë vazhdimisht duart. Po kur nuk kanë ujë, me se mund t’i lajnë? E si mund t’i dizinfektojnë, kur nuk kanë as sapun? Pastaj, puna që bëjnë i vë shpesh në kontak edhe me të pasurit. Po të pasurit tani nuk i pranojnë më, nga frika e sëmundjes. U duket se po u hynë dalitët në shtëpi, u hyn vetë virusi!”.

Angazhimi i Kishës për dialog

“Shumëkush na ndihmon e bën diçka për të drejtat njerëzore. Njerëz të të  gjitha besimeve - përfundon imzot Machado - Kemi edhe dialog ndërfetar  të vazhdueshëm për këtë problem. Po shoqëria nuk e ka shembur ende këtë mur e në marrëdhëniet shoqërore të gjitha fajet u ngarkohen dalitëve. Kjo vuajtje është e padurueshme e Kisha angazhohet shumë për ta zhdukur diskriminimin, gati-gati të pabesueshëm atje, ku nuk dihet ç’janë kastat e të drejtat e tyre - padrejtësi, për dalitët. Shpresojmë se kjo ditë, që po e kremtojmë në Indi,  do të ndikojë për t’i zgjuar ndërgjegjet e njerëzve”.

 

10 gusht 2020, 12:12