Kërko

Mons-George-Frendo---arcivescovo-di-Tiranaaem.jpg

Imzot George Frendo: më shumë kujdes për shëndetin e popullit

"Ndoshta dikush mund të më akuzojë se po ndërhyj në politikë? Jezusi ka afruar dhe shëruar shumë të sëmurë. Fatkeqësisht unë nuk e kam këtë aftësi! Por e kam për detyrë të flas për mbrojtjen e shëndetit të popullit tonë".

R.SH. - Vatikan

Ndërsa rastet me koronavirus në Shqipëri herë shtohen më pak e herë më shumë, mjekët e specialistët vijojnë t’i këshillojnë vendasit të mos jetojnë sikur Covid-19 të mos ekzistonte. Këtyre zërave iu është shtuar edhe ai i kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë Durrësit. Ja mesazhi i tij, thënë plot emocion e shqetësim prej bariu shpirtëror, i cili kujdeset për grigjën, që ia ka besuar Zoti:

“Këtë thirrje e bëj i nxitur nga dashuria për popullin tonë dhe nga interesi për të mirën e përbashkët.

A nuk na shqetëson situata e tmerrshme e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë? Ka shumë ditë, që dëgjojmë për një numër të infektuarish gati çdo ditë më të lartë sesa ditën e mëparshme. Çdo ditë infektohen mbi njëqind veta. Kur numri i të infektuarve ishte shumë më i vogël, u dhanë shumë urdhra për të shmangur rreziqet: asnjë makinë në fundjavë, shumë kufizime rreth daljes, autobuzët nuk përdoreshin, një ditë madje dolën edhe kamionat ushtarake!!! Vërtet, situata përshkruhej si një luftë!

Po tani? A jemi pajtuar me koronavirusin? Ose kemi frikë se më shumë kufizime do të krijojnë probleme për ekonominë e vendit? E çfarë duhet të ketë përparësi, ekonomia, apo shëndeti i popullit? Ministrja e shëndetësisë ka bërë shumë mirë, që shpesh herë ka apeluar për ruajtjen e masave për t’u mbrojtur kundër epidemisë. Por nuk mjafton fjala e Ministres.

Para disa ditëve, Atë Arturo Sosa, eprori gjeneral i Jezuitëve, tha se koronavirusi është një kërcënim jo vetëm për jetën njerëzore dhe për punët, por edhe për demokracinë. “Demokracia mund të jetë një nga viktimat e pandemisë nëse nuk bëjmë kujdes për situatën tonë politike”.

Ndoshta dikush mund të më akuzojë se po ndërhyj në politikë? Jezusi ka afruar dhe shëruar shumë të sëmurë. Fatkeqësisht unë nuk e kam këtë aftësi! Por e kam për detyrë të flas për mbrojtjen e shëndetit të popullit tonë.

Ju lutem: më shumë kujdes për shëndetin e popullit tonë!”

07 gusht 2020, 19:21