Kërko

 Martirizimi i të krishterëve vijon Martirizimi i të krishterëve vijon 

El Salvador, vritet rektori i seminarit Romero

Trojet e Salvadorit vaditen përsëri me gjakun e pafajshëm të një “bariu të mirë”: dje, në zemër të vendit latino-amerikan, u vra atë Riccardo Cortez. Dioqeza e tij, ku ndiqte seminaristët e ku e donte fort bashkësinë e besimtarëve, është në zi. Vrasja ndodh në vitin jubilar të martirëve e në 40-vjetorin e vrasjes së Shën Oscar Romeros.

R. SH. - Vatikan

Një akt i ulët, “krim”, që mbetet i pashpjegueshëm. Me këto fjalë, thënë përmbledhtas, e shpreh Dioqeza e Zacatecoluca-s në El Salvador,  dhimbjen e thellë për lajmin e vdekjes së atë Riccardo Antonio Cortez, rektor i seminarit filozofik “Shën Oscar Arnulfo Romero”, e meshtar në dioqezën e Zacatecoluca-s, në zemër të Salvadorit.

Njeri i mirë e i besueshëm

Meshtari u vra dje në mëngjes, i goditur me disa plumba, ndërsa udhëtonte me makinë në udhën për Tecoluca, në kantonin Ramon Grifal, në San Vincente. Trupi i tij pa jetë u gjet pranë automjetit, përskaj rrugës. Policia Civile Nacionale dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm vijojnë hetimet, por për këtë vrasje të shëmtuar deri tani nuk ka asnjë shpjegim. Sot, Mesha e dritës dhe mbrëmësorja. Nesër, varrimi.

Një akt i ulët, i dënueshëm

Habia për këtë ngjarje kaq të trishtuar, ndjehet fort në fjalët e komunikatës, përmes së cilës ipeshkvi, priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret, së bashku me besimtarët e dioqezës së Zacatecoluca-s japin lajmin e kobshëm. Atë Riccardo - lexohet në komunikatë - ishte njeri i mirë, i besueshëm, i përkushtuar në punën për mësimdhënien dhe forminin e seminaristëve, ashtu si edhe për kujdesin ndaj besimtarëve. Prandaj  një krim i tillë duket  “i pashpjegueshëm” e “i ulët”. Toka e Salvadorit  - lexohet akoma - vijon të vaditet me gjak të pafajshëm meshtarësh në këtë vit kushtuar martirëve, që na rikujton 40-vjetorin e vrasjes së imzot Oscar Romero, por edhe përvjetorin e martirizimit të atë Cosme Spessotto dhe disa sivëllezërve të tij. Tani - përsërisin qindra zëra besimtarësh - një bari tjetër, tërësisht i kushtuar deleve të grigjës së tij, pëson fatin e tyre!?  

 

08 gusht 2020, 09:49