Kërko

 Zoja e ngjitur në qiell Zoja e ngjitur në qiell 

Dy lutje kënduar “nga këngëtari i ëmbël i Zojës”, shën Bernardi

Shën Bernardi i Chiaravalles, që Kisha katolike sapo e kremtoi, doktor i madh i Kishës, njihet kryesisht si “këngëtar i ëmbël i Marisë”. Po kujtojmë dy lutje të tij, që mund të na ndihmojnë shumë në çaste të vështira.

R. SH. - Vatikan

Shën Bernardi i Chiaravalles, që sapo u kremtua, doktor i madh i Kishës, njihet kryesisht si këngëtar i ëmbël i Marisë. Kështu e kujtoi edhe Françesku, në  katekizmin e audiencës së përgjithshme të 19 gushtit. Lutjet e tij e nxisin çdo njeri të lëshohet besimplotë, në krahët e Marisë, me  bindjen se ngushëlluesja e të mjeruarve nuk do ta braktisë kurrë.

Krishti e Maria ishin për të shtyllat e jetës, emrat që dëshironte t’i dëgjonte  vazhdimisht, pa të cilët jeta për të e humbiste çdo kuptim e çdo shije. Jo rastësisht Nënë Tereza pati zgjedhur për ditën e saj, ngarkuar me plagë e dhimbje, lutjen e Tij, titulluar, “Memorare” – “Të bjerë në mend!”, që e kemi kujtuar gjatë majit të Zojës, ndaj sot po kujtojmë një porosi e një lutje tjetër të Këngtarit të ëmbël të Marisë.

Maria nuk duhet të mungojë kurrë në zemrën tënde!

“Në rreziqe, në angushti, në paqartësi, mendo Marinë, lutju Marisë. Ajo nuk duhet të mungojë kurrë në buzët tua, në zemrën tënde;  e me që ti kërkon ndihmë në lutjen tënde, mos e harro kurrë shembullin e jetës së Saj. Nëse e ndjek, nuk dredhon kurrë rrugë; nëse i lutesh, nuk dëshpërohesh kurrë, nëse mendon për të,  nuk mund të gabosh…”

Kështu shkruan Shën Bernardi. Po kujtimi i tij për Marinë mbush një vëllim të trashë, prej nga shkëputëm lutjen e mëposhtme:

“Tek ti, o Mari, gurrë jete,

vjen plot me etje shpirti im!

Tek, ti, o thesar mëshire,

vrapon plot besim mjerimi im!

Sa afër je pranë Zotit, krejt pranë!

Ai banon në ty e ti në të.

Në dritën tënde unë mund të kundroj

dritën e Jezusit, diellit të drejtësisë!

O Nëna e shenjtë e Zotit,

veten po i a besoj dashurisë sate

të ëmbël e të butë.

Ji për mua ndërmjetësuese hiri

pranë Krishtit, shëlbuesit tonë!

Ai të deshi mbi të gjitha krijesat,

e të veshi me lumni e bukuri.

Më ndihmo, të lutem, mua,

të varfërin e të eturin,

më jep të pi nga shtamba jote

përplot me hir!

22 gusht 2020, 13:56