Zoja Madhe, ne Letnicë të  Kosovës Zoja Madhe, ne Letnicë të Kosovës 

Dy fjalë për Shtatoren e Zojës së Letnicës, himnin e thirrjen e Nënë Terezës

Sot, në “Shtegtimin, drejt shenjtëroreve”, do të ndalemi një copë herë në Kishën e Letnicës, para Shtatores së Marisë, e do të njihemi me himnin e Zojës e me thirrjen e Nënë Terezës.

R. SH. - Vatikan

Shtatorja e Zojës, me vlerë të madhe artistike, sipas analizave që i janë bërë para Luftës së II botërore, është e punuar në dru bliri. E paraqet Zojen të ulur, me Krishtin e vogël në prehër e me një mollë në dorën e djathtë. Nuk dihet autori, as koha kur u punua. Por dihet se u nderua qysh prej kohësh, që nuk mbahen mend! Para Saj u gjunjëzua edhe Nënë Tereza e prej Saj mori porosinë të shtegtonte në të katër skajet e botës, si Apostujt e parë të Krishtit, për t’u çuar fjalën e Zotit më të humburve ndër të humbur, atyre që vdisnin hendeqve të Indisë, të ngrënë nga krimbat!

Himni

Zojës së Letnicës i kushtohet himni i bukur "N’Cërnagorë e kem nji nanë..." As ky himn, dëshmi e dashurisë së madhe për Zojen, nuk dihet kur u krijua e nga kush. Mbeti krijim popullor. Gjatë shekujve u pastrua nga barbarizmat, karakteristike për kohën kur u krijua. Trashëgohet nga breznia në brezni, si amanet i stërgjyshërve, të cilët e ruajtën besimin katolik edhe në kushte shumë të vështira.

N’Cernagore kem’ nji nanë

N’Cërnagore e kem një nanë,

gjith mëshirë e dashtëni.

T’haznës Zotit bitevi

i ka hiret n’dorë të vet.

R/ K’saj të buk’rës gjith lulzimit,

k’saj të madhes n’kyvet t’dorës.

I thonë Zoja Cërnagores

me fmij n’prehër sa lezet.

S’lumes Zojë e Birit saj

i kjoftë lavdi në mot e n’jetë

Kqyrni at’fmi me rrez’ Hyjnijet,

sa lezeçëm sytë i sjellë.

Për me dashtun t’gjith na ndjell,

zemrat gjith po na i grabitë.

R/  

I kjoftë lavdi për mot e jetë

Birit edhe kësaj nanë,

Ndonse foshnje i madh n’dashni

Po derdh hire përmbi t’tanë,

e sa ndër derte e t’vështira janë

k’tu shlirohen n’për ket Nanë !

 Këtë këngë, që e donte aq shumë Nënë Tereza e mori nga Letnica dhe e këndoi me mall për viset e veta, kudo shkoi nëpër botë. E kudo, Zoja e Letnicës e ndihmoi ta kryente atë mision të jashtëzakonshëm, që ia pati ngarkue Biri i saj pikërisht në  heshtimin e Kishës së Letnicës.

Atmosfera e një shtegtimi të kahmotshëm, që të kujton shtegtimet e sotme

Duke vijuar shtegtimin tonë simbolik, kujtojmë përshkrimin e atmosferës festive të Zojës së Madhe, nga arqipeshkvi Dario Buçarelli, në vitin 1871: 

“Ditën e Zojës së Madhe, por edhe më heret, një mori njerëzish shpejtojnë kah Letnica. Disa këmbëzbathur e duke ecur këmbë që t’i plotësojnë kushtet e tyre, të falënderojnë Zojen për hiret e fituara, ose t’i porositen   që të ndërmjetësojë për ndonjë hir të ri. Sa bukur është të shohësh ata që vijnë për të lavdëruar Hyjlindësen në gjuhë të ndryshme, nga popujt dhe besimet e ndryshme... Këtu të gjithë e ndjejnë veten se janë fëmijët e një Nëne të përbashkët, e, nëpërmjet saj, edhe fëmijët e të njëjtit Atë të amshuar”.

12 gusht 2020, 08:06