Zoja e Këshillit të Mirë Zoja e Këshillit të Mirë 

Dialog me Zojën e Këshillit të Mirë

Duke “Shtegtuar drejt shenjtëroreve” sot dëgjojmë dialogun e Atë Gjergj Fishtës me Zojen e Këshillit të Mirë, dialog të cilin e vijon çdo besimtar, që shkel në atë prag të bekuar!

R. SH. - Vatikan

Sa herë ndonjë besimtar gjunjëzohet para figures së mrekullueshme të Zojës së Këshillit të Mirë – e besimtarë të gjunjëzuar takohen gjithnjë në këtë vend, edhe kur ishte grumbull gërmadhash - nis një dialog i heshtur, si ai i nënës me bijtë, kur kthehen nga udha e gjatë. Është dialogu i pandërprerë i Zojës së Këshillit të Mirë me Shkodrën e vet, me shqiptarët e vet, me njerëzit e vet, që vijnë nga anë e anës, për t’i kërkuar hire. Ajo ka dëgjuar e dëgjon histori nga më të çuditshmet, që tregohen pa fjalë, po me zemër, e me lot në sy, para figures së saj. Këtë dialog të Zojës me Qytetin e Veriut, me banorët e tij e me të gjithë shtegtarët, e shprehin dy tingëllimat e mirënjohura të Atë Gjergj Fishtës, titulluar: “Zoja - Shkodrës”  dhe “ Shkodra - Zojës”:

  Zoja - Shkodrës


1 Kúr permbrenda atij Tempullit të rí,
Mue per nen dollma t’Rozafatit true,
N’gjûj shoh Shkodranin ulë me pervûjtní,
M’bjen n’mend se Zoja e Shkodres më thonë mue.

2 E kúr per rreth e qark t’eltervet t’mí,
Si stina e bukur t’nise me lulzue,
Fmín e Shkodranit ndiej tue m’kndue n’brohrí,
Vedin Shkodrane m’ kandet me e kujtue

3 Por edhe atë herë, po, kúr Shkodrani t’kjajë
E t’ dnesë nder t’ vshtira, neper t’ cillat jeta
Ati i pershkohet, syt mue m’mbushen m’vajë,

4 E askurr nuk lâ pingul që Shkodren zhgjeta
E mnís s’ qiellës t’a shinojë, perse e verteta
Âsht kjo: qi Shkodra â’ emja e un e sajë.


            Shkodra Zojës


1 Atë botë mbi Shkoder kúr mâ i bukur dielli
Ndritte, e larg nâmi ksajë mbi tokë kumote,
Perpara elterit t’And Shkodrani fielli
Vîte, e Ty lavde me haré t’këndote.

2 E kúr mbi Shkoder xû m’u muzgun qielli
E per tê t’vshtira m’u endun stinë e mote,
Me tŷ Shkodrani zêmren prap e kthielli,
Kah gurt e elterit t’and me lot rigote.

3 Por edhe sod kur Shkodra pshtjellë âsht n’ zí
E jeten si n’nji vorr ajo âsht tue shkue,
Shkodrani Ty po t’ ngrehë nji tempull t’ rí.

4 A ‘i mend, prá, o Zojë, se doret ké me lshue
Shqipninë e mjerë, e se edhe s’ke me ndí’
Dhimbë për Shkodranin, kurr qi s’t’ ka harrue?

Atë Gjergj Fishta: “Vallja e Parrizit”, Shtypshkroja Atë Gjergj Fishta, Shkodër, 1941, fq. 62.
 

23 gusht 2020, 09:13