Kërko

jesus-3476251_1920aem.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra drejtuar Hebrenjve

13 kapituj tejet të dendur, më se 44 citime nga Besëlidhja e Vjetër, disa prej të cilave shumë të gjata, një argument – ai i meshtarisë – i vetëm në panoramën e Besëlidhjes së Re, një teologji e ndërlikuar dhe e shprehur sipas mënyrës së retorikës semite. E akoma: një autor i panjohur, një autorësim paolin plot kundërshti, një zhanër letrar i debatuar. Kjo është Letra drejtuar Hebrenjve, për të cilën do të flasim sot. Kush e ka lexuar, nuk mund të mos e konsiderojë tekst themelor të Besëlidhjes së Re. Në librin “Është ora e leximit të Biblës”, meshtari italian don Federico Tartaglia këshillon të ndiqen studimet e kardinalit Albert Vanhoye, i cili ka punuar shumë mbi këtë Letër.

R.SH. - Vatikan

Nga t’ia fillojmë pra, për t’u orientuar në këtë lëmsh letrar e teologjik? Ndoshta, nga ajo pjesë, që është përshkrimi më i mirë i Biblës për vetveten e që e gjejmë pikërisht në Letrën drejtuar Hebrenjve:

“Vërtet, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës. Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari” (Heb 4,12-13).

  Siç shihet, ka shumë për të bërë që lëmshi të zhdërvillet, por një gjë është e sigurt: Letra është një kryevepër fjalësh, më parë të menduara, pastaj të shkruara e së fundi, të kumtuara. Është dëshmi e qartë se ç’mund të bëjë fjala e Shkrimit Shenjt. Nuk është fjalë magjike, nuk është thjesht forca e citimit, është aftësia për të depërtuar në shpirtin e lexuesit, duke ia shndërruar mendimet deri sa ai të fitojë një inteligjencë shpirtërore të epërme, atë që shndrit në këtë Letër.

Teologjia e përshkruar në Besëlidhjen e Re, deri në këtë çast, kishte arritur ta kuptonte kryqin e kryqëzimin e Krishtit si flijim për shëlbimin tonë. Gjaku i Krishtit ishte çmimi për shpërblimin e mëkateve tona. E mund të mjaftohej me kaq! Por, një grup mjaft i madh të krishterësh, ardhur nga judaizmi, të mahnitur nga madhështia e tempullit hebre, nga liturgjia e tij plot hollësi e detaje, nga madhështia e teologjisë së tij, nuk arrinte të gjente diçka të ngjashme edhe në teologjinë e në liturgjinë e krishterë.

Duhet të ketë qenë kjo, arsyeja, që e ka nxitur autorin e Letrës për Hebrenjtë të vërë dorë në një vepër, e cila për shekuj me radhë i është atribuar shën Palit. Por nuk është Pali apostull ai, që shkruan! Me siguri, autori i tekstit, ashtu si shën Pali, ka studiuar në Jeruzalem dhe është thelluar deri në detajet më të hollësishme në teologjinë dhe në Librin e Levitikut e në liturgjinë e tempullit.

 Ndonjë dijetar i Ligjit, ndoshta saduce, i mahnitur nga Krishti! E kjo mrekulli është ndoshta kthimi më i jashtëzakonshëm, i bërë nga Jezusi. Intuita - e përshkënditur në një sekondë dhe e kapur nga një njeri i vetëm - se kryqi ishte fundi i tempullit, se ai vel i ndarë më dysh pas vdekjes së Jezu Krishtit, për të cilin flasin Ungjijtë, ishte shenja, që duhej interpretuar për një Kishë apostolike, që vijon të lutet në tempull edhe pas ringjalljes së Zotit!

Sot, e dimë me siguri, se kur shkruhej Letra, tempulli funksiononte akoma.

“Meqenëse Ligji ka vetëm hijen e të mirave të ardhshme dhe jo realitetin e vetë sendeve, s’mundet kurrë, që me fli të cilat - vit për vit, gjithmonë të njëjtat - vazhdimisht kushtohen, t’i përsosin ata që i afrohen Hyjit” (Heb 10,1).

Autori ynë gjenial e kupton se Jezusi nuk është vetëm qingji i flijuar, por edhe kryeprifti, që i dha fund besëlidhjes së mëparshme, flive të lashta e, faktikisht, edhe tempullit të Jeruzalemit. Rreth këtij pohimi kapital shtjellohet gjithë Letra.

Struktura e tekstit, duke ndjekur retorikën semite, të kundërt me atë klasike, vë në qendër pjesën më të rëndësishme, për ta rrethuar më pas me seksione përgatitore dhe përfundimtare. Pjesa më e rëndësishme synon të provojë se Jezu Krishti është ai kryemeshtar, për të cilin kishte nevojë njerëzimi:

“Një Kryeprift të tillë na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt (Heb 7,26) …i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik në ato gjëra që i përkasin Hyjit në mënyrë që t’i shpërblente mëkatet e popullit (Heb 2,17)”.

 Për të dëshmuar këtë, autori përdor disa Psalme, duke treguar natyrën mesianike dhe plotësimin e saj në Krishtin (Heb 2), pastaj, vë në dukje ato karakteristika të kultit, për të cilin kishte nevojë njerëzimi e që i gjejmë të plotësuara në Të: mëshirën, pastrinë, zanafillën hyjnore, dhembshurinë (Heb 3-4). Por për trajtimin qendror të veprës, duhet të presim kapitullin e pestë, që do ta shohim të enjten e ardhshme.

13 gusht 2020, 08:46