Kërko

GesU-Risorto1aem.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra drejtuar Hebrenjve: Krishti, Kryemeshtar në amshim

Emisioni i dytë, që i kushtojmë sot Letrës drejtuar Hebrenjve, duke ndjekur librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia. Thamë të enjten e kaluar se pjesa më e rëndësishme e saj synon të provojë se Jezu Krishti është ai kryemeshtar, për të cilin kishte nevojë njerëzimi.

R.SH. - Vatikan

Në kapitullin e pestë, autori i Letrës drejtuar Hebrenjve fillon trajtimin qendror të veprës, që vijon deri në kapitullin e dhjetë: Krishti është meshtar në mënyrën e Melkizedekut, ai është meshtar në amshim, që u bë i përsosur nga vuajtja. Kjo shprehje është, ndoshta, më e rëndësishmja e gjithë Letrës:

 “Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar” (Heb 5,8-9).

 Zemra, thelbi i kësaj Letre të shkruar në formën e homelisë, është gjithçka thuhet në kapitullin e pestë e zhvilluar më tej në kapitullin e shtatë. Aty përmendet sërish mënyra e Melkizedekut dhe epërsia e tij në meshtarinë levitike, e cila deklarohet e papërsosur dhe e pafrytshme. Arrihet kështu në formulimin e dallimit ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e asaj të Re:

 “Kur thotë ‘Të Renë’ [Zoti] dëshmon se ‘E Para’ është plakur; tashti, çka plaket e vjetrohet, është afër zhdukjes” (Heb 8,13).

Krishti, me blatimin e tij, dëshmoi se aleanca e vjetër ishte e papërsosur e, kështu, e zhbën atë.

“Këndej zhbëhet rregullorja e mëparshme për shkak të paaftësisë së saj dhe të padobisë, - sepse asgjë s’ka përsosur Ligji - dhe shtihet në fuqi shpresa më e mirë, me anë të së cilës i afrohemi Hyjit” (Heb 7,18-19).

Ligji nuk çon drejt përsosurisë, por e lë njeriun në mëkat; meshtaria e lashtë nuk ishte e frytshme dhe nuk jepte faljen e mëkateve; ishte e nevojshme një meshtari e amshuar, që kishte pushtet për t’i purifikuar, por, njëkohësisht, të kishte dhembshuri për mëkatarët.

Ndihej nevoja e një ndërmjetësuesi të vërtetë, që bashkonte pastërtinë hyjnore me papastërtinë njerëzore, që përmbante në vetvete shëlbimin dhe mëkatin, që ai vetë të mos ishte mëkatar, por as engjëll, që nuk ndjen dhembshuri për mëkatarët. Pra, ndihej nevoja për përsosurinë. Për përsosurinë maksimale të mundshme! Ndihej nevoja për Birin e Zotit, që ishte Vëlla me njerëzit, për Meshtarin hyjnor, që ishte edhe Viktimë e munduar dhe e vuajtur.

 Krishti është kryeprifti i përsosur, jo pse kremton me veshje të ndritura në tempullin e Jeruzalemit, por sepse korpi i Tij, jeta dhe vdekja e Tij janë ajo përsosuri, për të cilën kishte nevojë njerëzimi. Në Të bashkohen mëkati, gjaku, flijimi, Tenda dhe meshtaria.

Vdekja e Jezu Krishtit u jep kuptim të gjitha flijimeve të kultit të lashtë dhe dekreton fundin e tyre. Flijimi dhe oferta e gjakut të kafshëve nuk mund të fitonin shëlbimin, ishin vetëm shenja e të mirave të ardhshme. E në kapitullin IX, autori përshkruan fillimisht kultin në Tendën e parë, në shkretëtirë (e enkas, nuk flet për tempullin), pastaj, tregon se ç’ndodh me Krishtin:

“Erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave që do të vijnë. Dhe, nëpër një tendë më të madhe dhe më të përsosur, të punuar jo me dorë - d.m.th. jo të kësaj krijese dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shpërblimin përfundimtar” (Heb 9,11-12).

Ajo tendë e përsosur, s’është tjetër veçse Korpi i Krishtit të ringjallur, shenjtërorja e re, në të cilën takohen mëkati e shëlbimi. Për të fituar shëlbimin, nevojitet gjaku dhe viktima. Krishti, me vdekjen e Tij, i ofroi të dyja, ndërsa me ringjalljen e Tij, bëri që kjo ofertë të hyjë në shenjtëroren e qiellit. Teologjia e Letrës drejtuar Hebrenjve nuk është e ndërlikuar në këtë pikë:

“Njëmend, në qoftë se gjaku i stërpikur i cjepve dhe i mëzetërve dhe hiri i mështjerrës i shenjtëron të papastrit duke ua pastruar ritualisht trupin, sa më tepër Gjaku i Krishtit - i cili nëpër Shpirtin e amshuar ia flijoi vetveten Hyjit porsi fli të panjollë - do ta pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Hyjit të gjallë!” (Heb 9,13-14).

Gjaku i kryqit dhe lavdia e ringjalljes e bëjnë këtë meshtar të përsosur. Ai u bë i përsosur nga vuajtja!

20 gusht 2020, 08:55