2020.09.13-Vangelo-del-giorno-preghiera.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra drejtuar Hebrenjve: feja, mjet për të njohur sendet që nuk shihen

Vijojmë sot komentin e Letrës drejtuar Hebrenjve. Në emisionin e tretë kushtuar asaj, do të shohim tre kapitujt e fundit, ku paraqiten rrjedhojat e zbulimit të bërë në kapitujt e mëparshëm. Të enjten e kaluar, arritëm në pikën kulmore të Letrës, ku vihej në dukje se Krishti është Kryeprift në amshim dhe se gjaku i kryqit dhe lavdia e ringjalljes e bëjnë atë meshtar të përsosur. Ndjekim, si gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Para se të kalojë në këshillat morale për jetën e krishterë, ku nuk gjejmë tekste veçanërisht të rëndësishme, autori i Letrës drejtuar Hebrenjve – që po e theksojmë edhe një herë, nuk është shën Pali apostull - na dorëzon kapitullin XI, kryevepër e vërtetë! Fillimi është flakadan feje, sepse aty gjejmë përkufizimin më të mprehtë të fesë në gjithë Biblën:

“Feja është një mënyrë për të pasur sendet që shpresohen, mjet për të njohur sendet që nuk shihen” (Heb 11,1).

Pastaj, për 38 versete, shpaloset historia e Izraelit, që nga Abeli tek profetët, duke kaluar nëpër Abrahamin, Moisiun dhe Davidin. PËR FE, kjo është shprehja, që përsëritet 19 herë, me të cilën autori përpiqet të tregojë se të gjithë këta nuk arritën t’i gëzojnë të mirat e premtuara, por i panë nga larg. Premtimi është Krishti e të gjithë ata, që erdhën para Tij, janë thjesht “dëshmitarë të fesë”, që e pritën shpëtimin, pa mundur ta arrijnë.

 “Këndej, pra, edhe ne, të rrethuar me një re kaq të madhe dëshmitarësh, ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndresë në luftim që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin duke e përbuzur turpin dhe ndenji në të djathtën e fronit të Hyjit. Mendoni, pra, atë që duroi nga ana e mëkatarëve një kundërshtim aq të madh kundër vetes, në mënyrë që ju të mos moliseni dhe të mos ju lëshojë zemra. Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bëtë qëndresë deri në derdhje të gjakut” (Heb 12,1-4)

  Kjo duket arsyeja e gjithë Letrës: përforcimi i besimtarëve në udhën e fesë. Të tronditur nga persekutimet dhe fyerjet, para mundësisë së flijimit e të vdekjes, disa të krishterë tundoheshin ta refuzonin Krishtin. Por, nëse dëshmitarët e fesë i qëndruan besnikë asaj që panë nga larg, edhe më shumë mund të qëndrojnë besnikë ata, që tani mund t’ia ngulin sytë Krishtit.

  E pikërisht kjo lojë elegante fjalësh ndërmjet “atyre, që panë nga larg” e “atyre, që vështrojnë nga afër” e bën të domosdoshme dëshminë e fesë së atyre, që besojnë në Krishtin, autorin dhe përkryesin e fesë. Pikërisht këtu, përkufizimi bëhet i qartë: është Krishti autori, nismëtari, sepse të gjithë besuan duke parë Atë e, Ai është edhe përkryesi, sepse plotëson çdo premtim dhe i përmban në vetvete të mirat e premtuara!

“Ta ruajmë të palëkundshme dëshminë e shpresës, sepse Ai që i dha premtimet është besnik” (Heb 10,23).

 Kjo është ftesa përfundimtare me të cilën mbyllet kjo faqe magjistrale mbi veprat e fesë. Këtu e më pas, sipas stilit të shën Palit, ka vend për bamirësinë e për jetën vëllazërore. Ndeshemi me një nxitje, që të kujton fundin e letrave paoline:

“Le të kujdesemi për njëri-tjetrin me qëllim që të nxitemi kah dashuria dhe veprat e mira” (Heb 10,24).

 “Kujdesohuni për paqe me të gjithë dhe për shenjtërim” (Heb 12,14).

“Dashuria vëllazërore le të jetë e qëndrueshme!” (Heb 13,1).

“Mos e lini pas dore mikpritjen” (Heb 13,2).

“Në sjelljen tuaj të mos ndikojë paraja! Jini të kënaqur me aq sa keni” (Heb 13,5).

 “Mos lejoni të gënjeheni me mësime të ndryshme të huaja!” (Heb 13,9).

 “Mos e harroni bamirësinë” (Heb 13,16).

“Dëgjoni eprorët tuaj dhe nënshtrojuni atyre” (Heb 13,17).

 “Lutuni për ne!” (Heb 13,18).

Pasi përfundojnë këshillat morale, autori e mbyll arsyetimin e tij me një lutje të mrekullueshme, që i drejtohet “Bariut të madh të deleve”, shprehje, që e gjejmë vetëm këtu, në fund të kësaj homelie liturgjike.

 Vetëm se, menjëherë pas “Amen” e pas bekimit, ja ku duket një paragraf me këshilla, që për shumë kohë iu atribua shën Palit:

“Po ju lutem, vëllezër, t’ia vini veshin kësaj fjale ngushëllimi! Ju shkrova shkurtimisht. Dijeni se vëllai ynë Timoteu u lirua nga burgu. Nëse mbërrin së shpejti, do të vij te ju me të. Përshëndetni të gjithë eprorët tuaj dhe të gjithë shenjtërit! Ju përshëndesin këta të Italisë. Hiri qoftë me ju të gjithë!” (Heb 13,22-25).

 Sot e dimë se këto rreshta nuk janë të shën Palit apostull, megjithëse ndihet ndikimi i teologjisë paoline në këtë homeli, që na zbulon një intuitë tejet origjinale e të fuqishme, të cilën nuk e gjejmë në Letrat e vetë shën Palit e vështirë se i takon apostullit.

27 gusht 2020, 08:12