Vatican News

Bujaria, që e ndryshon jetën në Tokën e Jezu Krishtit

Rojtaria e Tokës Shenjte kujton rëndësinë e mbledhjes së fondeve në favor të vendeve ku Ungjilli u bë histori. Këtë vit, për shkak të pandemisë, mbledhja e ofertave u shty nga e Premtja e Madhe në 13 shtatorin e ardhshëm. Atë Patton: gjithçka na dhurojnë kthehet në solidaritet për shumë njerëz, familje, të rinj, viktima konfliktesh.

R.SH. - Vatikan

Kisha, që ndihmojnë Kisha të tjera, në një rrjet të vazhdueshëm vëllazërie. Kjo është shenja dalluese e bashkësisë së krishterë në të gjithë botën. Por ndihma e Kishave të planetit për njërën prej këtyre bashkësive merr vlerë unike. Është bashkësia, që i ka rrënjët - gurët e historisë, hapësirat e gjeografisë së saj - drejtpërdrejt në Ungjill. Është Kisha e Vendeve të Shenjta, ajo e Jeruzalemit, e Betlehemit, e Nazaretit, për të cilën, çdo vit, rezervohet një ndihmë e veçantë e siguruar përmes Lëmoshëve për Tokën Shenjte, mbledhur në të gjitha kontinentet nga të krishterët, të Premten e Madhe të Pashkëve. Një traditë, që këtë vit u shty, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Datë e re për një ditë solemne

Prillin e kaluar, kur kriza e Covid-19 i la të shkreta famullitë e shumë vendeve evropiane, që zakonisht janë të parat për mbledhjen e Lëmoshëve, Papa Françesku miratoi propozimin për ta zhvendosur mbledhjen e ofertave më 13 shtatorin e këtij viti, pra, pas një muaji. Një datë, shpjegon françeskani, atë Francesco Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, e cila u zgjodh “pasi është e diela më e afërt me festën e Lartimit të Kryqit, të cilën, këtu në Jeruzalem, e kremtojmë me solemnitet të veçantë, për të kujtuar deri në ç’pikë arriti dashuria e Birit të Zotit për ne: deri sa dha jetën në kryq, për shëlbimin tonë”.

Ndihmë e paçmuar

Atë Patton shpjegon me një video mijëra format në të cilat shndërrohen Lëmoshët, pasi ofertat e famullive e të dioqezave mbërrijnë në Rojtarinë e Tokës Shenjte. Nevojat janë të të gjitha llojeve dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me mirëmbajtjen e vendeve të shenjta, që nga Bazilika e Lindjes së Krishtit e deri tek Varri i Shenjtë i Tij. “Falë ndihmave që ju të krishterët e gjithë botës na jepni bujarisht”, thekson atë Patton, “ne do të jemi në gjendje të mbështesim veprimtarinë baritore të famullive, që na janë besuar; do të kemi mundësi të garantojmë arsimin dhe edukimin cilësor për më se 10 mijë nxënës, që ndjekin shkollat ​​tona; do të ndihmojmë familjet e reja të gjejnë shtëpi; do të përkrahim punëtorët migrantë të krishterë, që të ndihen të mirëpritur, edhe pse larg atdheut; mund t’u qëndrojmë pranë popullsive të prekura nga lufta në Siri dhe refugjatëve, tashmë, të shpërndarë në vendet e ndryshme ku kryejmë misionin tonë”.

Ka shumë mënyra për ta shprehur mbështetjen për Tokën Shenjte, së paku një herë në vit, mbështetjen për “korpin e Krishtit” në vendet, ku Krishti u mishërua për të gjithë, siç thotë Papa Françesku.

12 gusht 2020, 10:11