Kërko

 Në Bjellorusi vijojnë protestat Në Bjellorusi vijojnë protestat 

Bjellorusi: priftërinjtë në rrugë e kishat të hapura. Ipeshkvijtë kërkojnë të vërtetën

“Urojmë që duart tuaja, të krijuara për punë paqësore e përshëndetje vëllazërore, të mos ngrihen as me armë e as me gurë... Kjo, thirrja e re, e dëshpëruar, e Kishës katolike për paqen.

R. SH. - Vatikan

“Urojmë që duart tuaja, të krijuara për punë paqësore e përshëndetje vëllazërore, të mos ngrihen as me armë e as me gurë...!”. Kjo, thirrja e re, e dëshpëruar për paqen e kryeipeshkvit të Minskut, imzot Tadeusz Kondrusiewicz që, në përpjekjen për t’i dhënë fund krizës, propozon një tryezë të veçantë të rrumbullakët, ku palët kundërshtare të mund të ballafaqohen për të vendosur mbi fatet e vendit. Thirrje bën edhe kryeipeshkvi  i Vitebsk, imzot Aleh Butkevich: “Ka vetëm një rrugëdalje: të kërkojmë të vërtetën! Duhet mbrojtur e vërteta, jo gënjeshtra e mashtrimi. Po e vërteta nuk mund të gjindet atje ku ka dhunë”.

“Çdo mbrëmje njerëzit zbresin rrugëve për të protestuar. Dhuna vijon, gjithnjë më shqetësuese. Rrugëve shikojmë flakje granatash e goma makinash të kallura flakë. Njerëzit janë tejet të zemëruar. Protestat tashmë janë përhapur në gjithë vendin, jo vetëm në Minsk. E ky është fillimi. E fundi nuk dihet si do të jetë. Na mbetet vetëm forca e lutjes për paqen”.

 Duke folur me telefon me agjencinë Sir, atë Alexander Ulas, drejtor i kanalit Catholic.by të Konferencës ipeshkvnore bjelloruse, e përshkruan kështu situatën dramatike, në të cilën ndodhet vendi, pas rezultatit të kundërshtuar të zgjedhjeve presidenciale, që u rifituan për të gjashtën herë nga Lukashenko. Dymijë vetë janë arrestuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit e një demonstrues vdiq në rrugë natën e kaluar: është viktima e parë e konfirmuar nga ministria e brendshme, e cila nuk harron të shtojë se njeriu po bëhej gati të flakte një bombë e se ishte bomba që i plasi në dorë shkaktare për vetëvrasjen e tij. Qindra të plagosur, mijëra arrestime, dhjetra të humbur; ndërmjet tyre edhe kronisti i gazetës indipendente, për të cilin nuk ka më asnjë lajm.

Kryetari i Konferencës së ipeshkvijve katolikë të Bjellorusisë, imzot Tadeusz Kondryusiewitz bën  thirrje:

“Në këtë çast vendimtar të  historisë sonë, në emër të Zotit të mëshirës së pambaruar, të dashurisë e të paqes, i ftoj të gjitha palët në konflikt t’i japin fund dhunës. Uroj që duart tuaja, të krijuara për punë paqësore e përshëndetje vëllazërore,  të mos ngrihen as me armë e as me gurë. Lëreni mënjanë forcën e dhunës e punoni që të ngadhënjejë argumentimi, bazuar mbi dialogun e vërtetë e dashurinë e anasjelltë, në vërtetësi e dashuri reciproke”.

Kryeipeshkvi i Minskut  kujton historinë e popullit bjellorus dhe sfidat që iu desh të përballojë gjatë viteve dhe i fton gjithë njerëzit vullnetmirë të luten për paqen e harmoninë në vend.

Situatën e ndërlikon më tej edhe fakti se Kisha ortodokse e Bjellorusisë  dhe e Rusisë e njohën presidentin Lukashenko. Metropoliti i Minskut Pavel i dërgoi një mesazh përgëzimi presidentit aktual, duke e pranuar kështu zyrtarisht zgjedhjen e tij. Edhe patriku Kirill i Moskës, në një mesazh urimi, nënvizon angazhimin e Lukashenkos në mbrojtje të interesave kombëtare e të zhvillmit shoqëror ekonomik, të jetës paqësore  e të sigurisë së qytetarëve”

Kanali Catholic.by tregon se në të katër anët e Bjellorusisë, meshtarët katolikë zbritën në rrugë për të frenuar dhunën e për t’u bërë ndërmjetës të manifestuesve me forcat e rendit. Ata, që vijojnë të marshojnë shesheve,  dyshojnë se ndërmjet forcave të rendit radhiten edhe forca speciale ruse me diviza bjelloruse edhe pse - njofton drejtori i Catholic.by -  është e pabesueshme që bijtë e popullit t’i kundërvihen popullit të vet,

“Ka vetëm një rrugëzgjidhje: të dalë në shesh e vërteta! Të mbrohet e vërteta, jo gënjeshtra: Populli është ngopur me gënjeshtra! Nuk mund t’i durojë më. Po e vërteta nuk mund të dalë në dritë ku ka dhunë.  Prej këndej ftesa për të ecur në rrugët e dialogut e të qytetërimit dhe urimi “Zoti na ndihmoftë në këtë rrugë, me vetëdijen se e mira është gjithnjë më e fortë se e keqja. Këtë duhet të kujtojë sot çdo bjellorus” - është ftesa e Kishës katolike.

25 gusht 2020, 12:25