Kërko

 Toka e Shenjtë: mozaikët në Bazilikën e Lindjes së Krishtit Toka e Shenjtë: mozaikët në Bazilikën e Lindjes së Krishtit 

Bazilika e Lindjes së Krishtit rifiton shkëlqimin e parë

Në Betelehem pothuajse përfunduan punimet e jashtëzakonshme të meremetimit të çatisë, fasadës, sipërfaqeve prej guri dhe mozaikëve: mbetet vetëm Shpella, ku sipas traditës, lindi Jezusi. Një ekspozitë në Palakongresin e Riminit, online në kanalin e Mitingut, vuri në dukje, pak ditë më parë, gjithë bukurinë e Bazilikës, riftuar pas punimeve

R. SH. - Vatikan

Bazilikës të Lindjes së Krishtit i rikthehet shkëlqimi i parë. Pas shtatë vjet  punimesh për restaurimin, kryevepra arkitektonike, e ngritur sipas dëshirës së perandorit Kostandin, në vitin e largët 330, pasuri e mbarë njerëzimit, e mbrojtur nga Unesco, rifilloi një jetë të re, pas ndërhyrjeve të hollësishme  më të vështira, duke nisur nga çatia, në rrezik. Pikë tjetër delikate ishte fasada, me një anim, që mund të përfundonte me shembje. Punimet krijuan edhe mundësinë për t’i çmontuar skelat e vendosura nga anglezët qysh në vitet 1900, që ia vrugnonin bukurinë hyrjes prej druri. Më pas u kalua në sistemimin e sipërfaqeve prej guri, të mozaikëve e të gurrës së Pagëzimit.

Restaurim pothuajse i plotë: mbetet vetëm Shpella

Jo gjithçka ka përfunduar! Mungon vetëm një kënd i vogël, por tepër i rëndësishëm: reastaurimi i Shpellës ku, sipas traditës, lindi Jezusi. E kjo është zemra e Bazilikës, që deri më sot nuk është prekur asnjëherë. Do të kishte përfunduar risimi edhe në këtë vend, ku rreh zemra e mbarë botës së krishterë, po të mos kishte arritur pandemia, për t’i “infektuar” edhe punimet.

Të reja befasuese

Gjatë gërmimeve, arkeologët dhe specialistët u ndodhën para disa të papriturave  të këndshme. Dolën në dritë mozaikë të panjohur, si ai që paraqet një pemë të madhe shege, gjetur në zonën armene. E edhe “rituali i themelimit”. E, nga koha e Perandorit Justinian, kur nisi restaurimi i parë i Bazilikës, u zbuluan një sërë llambash, të groposura me kujdes të madh në vendin ku më parë ishte fasada e ku, më pas, kaloi kolonati i ri i kishës së zgjeruar. U gjetën, pra, këto llamba, shenjë që flet vetë për  kujdesin e vazhdueshëm lidhur me ruajtjen e Bazilikës në shekuj. Sepse u përket të gjithë shekujve. E të gjithë njerëzve, që jetojnë mbi tokë. Për ta Krishti lindi pikërisht në këtë vend, në këtë shpellë, mbi të cilën pastaj, u ngrit madhështore, Bazilika, që i bëri ballë dymijë vjet historie.

Një ekspozitë, për të zbuluar të gjitha të fshehtat

Këto ditë, në Palakongresin e Riminit mund të vizitohej on line, në kanalin www.meetingrimini.org një ekspozitë e titulluar “Bethlehem Reborn. Mrekullitë e Lindjes së Krishtit”, që i bëri të njohura gjithë të rejat, duke nisur nga braktisja e deri tek rilindja. Të mrekullueshme pamjet, që i ftojnë shtegtarët të nisen për t’i soditur drejtpërdrejt, kur pandemia t’i ketë lëshuar vendin rifillimit të shtegtimeve....

30 gusht 2020, 10:01