Kërko

 Arë e mbjellë me misër Arë e mbjellë me misër 

Bartolomeu I: përparimi nuk mund të bazohet mbi rrënimin e natyrës

Në Mesazhin e tij për Ditën e Lutjes në mbrojtje të krijimit, që do të kremtohet më 1 shtator, Patriku Ortodoks Ekumenik shprehet qartë: thekson se biodiversiteti i shkatërruar dhe ekuilibri klimaterik në shembje, kërkojnë veprimtari të përbashkëta të qeverive të ndryshme. “Zhvillimi ekonomik - shkruan - nuk mund të mbetet makth për ekologjinë”.

Pyetja, që e lexojmë në gjysmën e mesazhit, të bën të ndalohesh sakaq e të reflektosh: “Edhe për sa kohë natyra do t’i durojë diskutimet e konsultimet  e pafrytshme dhe vonesat e kota për fillimin e veprimtarisë vendimtare në mbrojtje të saj?”.

Urdhër i prerë

Pyetjes i prin një shqyrtim i imtë, me frymë thellësisht realiste: “Të gjithë janë të bindur - shkruan Bartolomeu I - se në kohën tonë, mjedisi natyror kërcënohet, siç nuk është kërcënuar asnjëherë në historinë e njerëzimit” e se rreziku nuk vjen më nga cilësia e jetës, por nga mbrojtja e saj në Planetin tonë”. Po vërejmë “shkatërrimin e ambientit natyror, të biodiversitetit, të florës e të faunës, të ndotjes së burimeve ujore, të atmosferës e të kolapsit progresiv të ekulibrit klimaterik” e edhe rrënime të  tjera. Një situatë e ndërlikuar - vëren Bartolomeu - që dëshmon se mbrojtja e natyrës është, për njerëzimin e sotëm, urdhër, që nuk pranon asnjë kundërshtim. E, megjithatë, rëndësia e tij nuk kuptohet në të gjitha nivelet.

Më kot varen shpresat tek vetëpërtëritja e natyrës

Ndërsa në nivel personal, grupesh e organizatash vihet me forcë në dukje “sensibiliteti e përgjegjësia e madhe ekologjike” – administratorët e pasurisë publike nuk shqetësohen gjithaq. Kombe e veprimtarë ekonomikë nuk janë në gjendje - në emër të ambicjeve gjeopolitike dhe “të autonomisë ekonomike”- të marrin vendime korrekte për mbrojtjen  e  gjithësisë - thekson Patriku - madje shpresojnë më kot se “mjedisi natyror  ka forcën e vetëpërtëritjes”.

Nuk duhet jetuar me ankth në zemër

Kriza Covid - vijon Patriku Bartolomeu - vuri plotësisht në dukje  ndikimin e veprimtarisë njerëzore mbi krijimin, me një rënie  të ndjeshme të ndotjes, regjistruar gjatë lockdown. Prandaj - mendon Bartolomeu - nëse industria e sotme, transportet, sistemi ekonomik i bazuar mbi “ fitimet e ethshme”, kanë ndikim negativ mbi ekulibrin ambiental, “ndryshimi i rrugës në drejtim të ekonomisë ekologjike është nevojë e padiskutueshme. Sepse nuk mund të ketë progres të themeluar mbi shkatërrimin  e ambientit natyror”. “Është e pamendueshme - vëren akoma - marrja e vendimeve ekonomike, pa llogaritur mirë pasojat ekologjike. Zhvillimi ekonomik nuk mund të mbetet ankth i përhershëm për ekologjinë”.

Kisha, “ekologji e aplikuar”

Në përfundim të mesazhit, Bartolomeu I kujton angazhimin e madh të Patriarkanës ortodokse për temat ekologjike e dhe nevojën për të bashkëpunuar me të gjithë në këtë drejtim. Së fundi nënvizon se “ vetë jeta e Kishës është ekologji e aplikuar. Sakramentet e Kishës, asketizmi e gjithë jeta e kultit të saj - e jeta në bashkësi, jeta e përditshme e besimtarëve - shprehin e lindin respektin më të madh për krijimin!

30 gusht 2020, 11:29