Kërko

 Atë Giorgio Marengo, duke kremtuar Meshën  në Mongoli Atë Giorgio Marengo, duke kremtuar Meshën në Mongoli 

Atë Marengo e pëshpëritja e Ungjillit në Mongoli

Sot në Bazilikën e Zojës Ngushëlluese të Torinos, u shugurua ipeshkëv atë Giorgio Marengo, i emëruar nga Papa më 2 prillin e kaluar, prefekt apostolik i Ulan Batorit, në Mongoli. Piemontez, 46 vjeç, është bari i një Kishe të re, tokë misioni.

R. SH. - Vatikan

Mongolia është vend pesë herë më i madh se Italia. Me fshatra tejet larg njëri-tjetrit, me 1300 të pagëzuar, në gjirin e 3,5 milionë banorëve,  30% endacakë, 1/3 e të cilëve jeton në varfëri të plotë. Kishë periferike, kjo e Mongolisë, e vogël, që ua dëshmon pa bujë dashurinë për Jezusin, atyre që janë larg Tij. Edhe pse Krishti është pasuria e vetme, e më e madhe, për këta njerëz të varfër, që jetojnë me grigjët e tyre në kushte krejt të ndryshme nga vendi, prej nga arrin tani edhe Bariu, imzot Gjergji.

Mision në toka të ftohta

Që nga viti 2003, në Mongoli kryejnë misionin e tyre Misionarët e Zojës Ngushëlluese, themeluar nga i lumi Giuseppe Allamano, në vitin 1901. Janë kryesisht në Arvaiheer, në rajonin Uvurkhangai. Veprimtaritë e tyre lidhen ngushtë me nevojat e grigjës së vogël: kujdes për kohën e shkollës e, pas saj për fëmijët, dushet publike, qendrat e artizanatit për gratë, riedukimi i burrave me probleme alkoolizmi e probleme të tjera, që jeta i krijon për ditë.

Jo kumtarë të heshtur, por dëshmitarë

Atë Giorgio Marengo, i lindur në vitin 1974 në Cuneo, por i transferuar më pas në Torino, skaut e student në teologji, në Romë, ku u doktorua në Misionologji, menjeherë pas shugurimit, më 2001, shkoi në Mongoli. Prillin e kaluar Papa e emëroi prefekt apostolik të Ulan Batorit, duke e ngritur në detyrën e ipeshkvit e duke i dorëzuar selinë titullare të Castra Severiana. Por ç’do të thotë të jesh ipeshkëv në Mongoli? Na e shpjegon vetë ipeshkvi i ri i Mongolisë,  imzot Marengo:

“Është hir i madh, i papritur e i pamerituar. Një hap i ri në thirrjen që Zoti deshi të ma bëjë, duke më dërguar në Mongoli. Misioni i ipeshkvit në këtë vend të largët, i ngjet shumë misionit ipeshkvnor në Kishën e zanafillës. Kisha është realitet shumë i vogël, pakicë, por me një grup mongolësh, që zgjodhi, me guxim të madh, të ndjekë Zotin e të bëjë pjesë në Kishën katolike. Krishtërimi në Mongoli nuk është gjë e re. Ekziston që në kohë të vjetra, para vitit 1000. Por, për një mori arsyesh, pas epopesë së perandorisë mongole, praktika e krishterë u zhduk e u zëvendësua me traditën budiste-tibetiane, që u inkulturua në këto troje, duke krijuar një formë shumë origjinale. E krishterimi heshti për shumë shekuj, aq sa duket si të ishte diçka krejt e re. Prandaj të jesh ipeshkëv në Mongoli është dhuratë tejet e madhe, por edhe përgjegjësi po aq e madhe. Sidomos, ndaj atyre, që tashmë janë të krishterë, për t’i ndihmuar të rriten në fe e ta ndjekin besnikërisht Krishtin, në një shoqëri, që akoma nuk është ballafaquar me Ungjillin”.

08 gusht 2020, 12:12