Kërko

 Kardinali Poli Kardinali Poli 

Argjentinë: festa e Shën Kajtanit, pajtor i bukës e i punës

“Po kalojmë një çast të vështirë, në të cilin mungesa e punës i shqetëson të gjithë”: kështu u shpreh Kardinali Mario Aurelio Poli, kryeipeshkëv i Buenos Ajres e Primat i Argjentinës, në videomesazhin e festës së Shën Kajtanit, kujtimi liturgjik i të cilit bie më 7 korrik.

R. SH. - Vatikan

I njohur si “Pajtor i bukës e i punës”, Shën Kajtani nderohet shumë në Buenos Ajres, qytet që i pagëzoi me emrin e tij dy Shenjtërore të mëdha. “Kur hapen portat e këtyre shenjtëroreve - pohon kardinali Poli në  videomesazhin e festës - hapen edhe  portat e shpresës e të provanisë, sepse ata, që e kërkojnë Zotin përmes shenjtorëve të tij, Ai i Lumi nuk i lë kurrë me duar thatë”. Përmes Shën Kajtanit e shumë shenjtorëve të tjerë - shtoi Hirësia e Tij - Zoti u jep njerëzve shumë hire, si materiale, ashtu edhe shpirtërore. Hire, për të cilat kemi nevojë të gjithë, për të vijuar rrugën e jetës mbi tokë.

Kremtim në kohë pandemie

Sivjet, për shkak të pandemisë Covd-19, festa e Shenjtit u kremtua  ndryshe: pa shtegtime, të ndaluara për shkak të normave kundër infektimit. Prandaj kryipeshkvi i Buenos Ajres i ftoi besimtarët të luten në shtëpi, duke krijuar një altar të vogël shtëpiak e duke ndezur mbi të qiriun kushtor. “Zoti i dëgjon lutjet e njerëzve, prej kahdo që t’i vijnë”- shtoi kardinali. Kështu në Shenjtëroret Meshët e sotme u kremtuan pa popull, por të transmetuara drejtpërdrejt në televizion e në streaming në internet. “Do të lutemi për ndjetet e të gjithëve - përfundoi kardinali Poli -  e urojmë të mos mungojë gëzimi i fesë, edhe nëse në shtëpi ka dhimbje për këtë, që po kalojmë. E sidomos, të mos mungojnë buka jonë e përditshme, puna e shëndeti, për t’i shndërruar të gjitha ankthet - në shpresë!”.

Shenjtërorja

Shenjtëroja e Shën Kajtanit (Shën Gaetani i Thiene) ndodhet në lagjen Liniers të Buenos Ajres, zonë periferike e qytetit. Çdo vit, më 7 gusht, në kujtimin liturgjik të vdekjes së Shenjtit, mijëra besimtarë vihen në radhë për të kaluar para shtatores së Tij, për të puthur qelqin e kamares së vogël, ku i pret, e për të bërë shenjën e kryqit. Radha zgjatet në 15 rrugë të qytetit e vijon një ditë të tërë. Besimtarët mund të presin edhe 10 orë për të arritur tek Shenjti i tyre i dashur. Aty i pret edhe mesha, që kremtohet në çdo orë.  Kremtimi kryesor është ai i orës 11.00.

Shën Gaetani e Papa Françesku

Si kryeipeshkëv i Buenos Ajres, kardinali i asokoshëm Bergoglio, i kryesonte kremtimet në Festën e Shën Kajtanit e, në përfundim të Meshës, përshkonte në drejtim të kundërt rrugën, që kishin bërë besimtarët, për të folur me ta, për të dëgjuar historitë e tyre e për të bekuar fëmijët. Në vitin 2013, vit i zgjedhjes së tij në Fronin e Shën Pjetrit, Papa Françesku u pati dërguar një videomesazh besimtarëve të Buenos Ajres me rastin e 7 gushtit:

“Si çdo vit, pasi përshkimit të radhës, nisa të flas me ju. Këtë herë e bëra këtë me zemër. Jam pakëz larg e nuk mund ta kremtoj me ju këtë festë kaq të bukur(…). Duhet të dimë të takohemi. Duhet të ndërtojmë, të krijojmë,  të thellojmë kulturën e takimit!”.

 

07 gusht 2020, 11:41