Kërko

Trasfigurazione di Cristo Trasfigurazione di Cristo 

Festa e Shndërrimit të Jezu Krishtit

Në solemnitetin e Shndërrimit të Jezu Krishtit, Kisha na tregon cakun e udhës së kthimit, pjesëmarrjen tonë në lumninë e Krishtit. Fjala e Zotit e kësaj feste, na fton të ndalemi tek episodi i Shndërrimit të Jezusit para Pjetrit, Jakut e Gjonit, që morën porosinë hyjnore: Dëgjojeni! Ta dëgjojmë Jezusin. Ai është Shëlbuesi: ndiqeni!

R.SH. - Vatikan

Sot më 6 gusht Kisha katolike romake kremton festën e Shndërrimit të Krishtit mbi malin Tabor. Transfigurimi apo Shndërrimi i Krishtit është ndër fetat teologjikisht më të pasura, dëfton fytyrën e Jezu Krishtit Zot, Birit të dashur të Atit Qiellor dhe cakun drejt të cilin dishepujt dhe ne të gjithë njerëzit, jemi të thirrur të shkojmë, duke zbuluar e pranuar të vërtetën e Krishtit e të mbarë njerëzimit, siç tregon Shën Marku: “Gjashtë ditë pas, Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre” (Mk 9,2). Në këtë dritë, mund ta kremtojmë Shndërrimin si festë në të cilën Kisha e shpall vizionin e vet të njerëzimit integral. Të kundrosh bukurinë e Krishtit të Shndërruar, do të thotë që dishepulli e çdo besimtar, të dëshirojnë që e tërë bota të përqafohet e të mbështjellët nga drita shndërruese dhe të jetojë sipas kësaj dëshire e këtij synimi të shenjtë.

Pra, Liturgjia e sotme na fton ta ndjekim Krishtin mbi Tabor, mbi malin e heshtjes e të kundrimit, përvojë të cilën Kisha ua këshillon të gjithë besimtarëve, në forma të ndryshme, që u përshtaten thirrjeve e kushteve të posaçme të jetesës, në mënyrë që bashkësitë e krishtera të bëhen shkolla të vërteta lutjeje, ku të na ngadhënjejë në shpirt misteri i dritës dhe i dashurisë së Hyjit.

Duke kundruar Taborin, kuptojmë më mirë se rruga e kryqit dhe ajo e lavdisë janë të pandara: duke pranuar deri në fund të fundit planin e Atit, në të cilin qe shkruar se Jezusit do t' i duhej të vuante për të hyrë në lavdinë e tij, Krishti provon që në këtë jetë dritën e ringjalljes. Edhe ne, duke mbartur çdo ditë me fe plot dashuri Kryqin, provojmë, njëherësh me peshën e rëndë, edhe forcën e risimit e të ngushëllimit. Me Jezusin e marrim atë dritë të brendshme, posaçërisht ndërsa lutemi. Kur zemra është pushtuar nga Krishti, jeta ndryshon. Rrugët më fisnike e, posaçërisht, ato më ngulmueset, janë fryt i bashkimit të thellë e të vazhdueshëm me Hyjin në heshtjen e uratës.

Kujtojmë se Shndërrimi i Jezusit mbi malin Tabor është i katërti në misteret e dritës, shtuar mistereve tradicionale të Rruzares shenjte nga Papa Shën Gjon Pali II në vitin kushtuar pikërisht Rruzares. Misteret e dritës janë: Pagëzimi i Jezusit në Jordan, kur Ati nga qielli thotë: "Ja, biri im, të cilin e kam për zemër", e ky është zbulimi i misionit të Birit të Hyjit; pastaj mrekullia e Jezusit në Dasmën e Kanës, shenjë e shndërrimit dhe e shenjtërimit të të gjithë realitetit të krijuar e sidomos e njeriut të shndërruar nga Biri i Hyjit; misteri i tretë është kumtimi i Mbretërisë së Hyjit me shëmbëlltyra e shenja shëlbuese. I katërti - shndërrimi i Jezusit mbi Malin Tabor dhe së fundi, i pesti, themelimi i Eukaristisë, si dhanti Pashkësh e si Sakrament që përmbledh në vetvete të gjitha sakramentet e shëlbimit, të cilat Krishti ia dhuroi Kishës për shpëtimin e njerëzimit.

S’ka dyshim që në solemnitetin e Shndërrimit të Jezu Krishtit, Kisha na tregon cakun e udhës së kthimit, pjesëmarrjen tonë në lumninë e Krishtit. Fjala e Zotit e kësaj feste, na fton të ndalemi tek episodi i Shndërrimit të Jezusit para Pjetrit, Jakut e Gjonit, që morën porosinë hyjnore: Dëgjojeni! Ta dëgjojmë Jezusin. Ai është Shëlbuesi: ndiqeni! E të dëgjosh Jezusin do të thotë të pranosh logjikën e misterit të Tij të Pashkëve, të vihesh për udhë me Të, që ta bësh jetën dhuratë dashurie për të tjerët, me bindje të plotë ndaj vullnetit të Hyjit Atë, me shkëputje nga sendet e botës e me liri të thellë shpirtërore. Duhet, me fjalë të tjera, të jesh gati për ta humbur jetën tënde”(cfr Mk 8,35), duke e dhuruar, që të gjithë njerëzit të shëlbohen e të takohemi gjithë bashkë në lumturinë e amshuar.

Udha e Jezusit, siç nënvizon liturgjia e këtij solemniteti, na çon gjithnjë kah lumturia. Mos të harrojmë se udha e Jezusit na çon gjithnjë në lumturi, në jetë të plotë, në jetë të Përjetshme. E do të jetë ndërmjet kryqit, do të jenë provat, por në fund, gjithnjë, na pret lumturia. Jezusi na e premtoi lumturinë e do të na e japë, nëse do të ecim udhëve të Tij.

Me Pjetrin, Jakun e Gjonin, edhe ne sot ngjitemi mbi malin e Shndërrimit e ndalemi për të kundruar Fytyrën e Jezusit, për ta bërë tonin mesazhin e Tij e për ta vënë në jetë, sepse edhe ne mund të shndërrohemi nga Dashuria. Forca e vetme e aftë të shndërrojë gjithkënd e gjithçka është Dashuria. Kjo pra është udha që na tregon e ofron porosia e Fjalës së Zotit e festës së sotme.

06 gusht 2020, 09:04