Doktrina e Krishtene perkthye ne gjuhen shqipe nga Imzot Gjon Nikollë Kazazi Doktrina e Krishtene perkthye ne gjuhen shqipe nga Imzot Gjon Nikollë Kazazi  

Imzot Gjon Nikollë Kazazi në përvjetorin e vdekjes

Më 5 gusht të vitit 1752 ndërroi ipeshkvi i madh, imzot Gjon Nikollë Kazazi, bariu shpirtëror, teologu e shkrimtari shqiptar. Më 1740 zbuloi “Mesharin” e Gjon Buzukut nё Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Si sot më 5 gusht të vitit 1752 ndërroi ipeshkvi i madh, imzot Gjon Nikollë Kazazi.

Ipeshkvi shqiptar, Imzot Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) ishte lëvrues e kultivues gjuhës shqipe. Studioi teologjinë dhe filozofinë në Itali, punoi si meshtar, misionar, pastaj si kryeipeshkёv i Shkupit. Më 1740 zbuloi “Mesharin” e Gjon Buzukut nё Vatikan.

Bariu shpirtëror, teologu e shkrimtari imzot Gjon Kazazi lindi në Gjakovë, më 1 janar 1702. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet teologjike i filloi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit, pastaj i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe i kreu në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku krahas teologjisë studioi edhe filozofi, gramatikë e retorikë.

Gjon Nikollë Kazazi i nisi studimet kur ishte i ri, 18 vjeç. Në vitin 1727 mori titullin doktor në filozofi e teologji. Po atë vit u shugurua meshtar. Sapo u kthye, kryeipeshkvi imzot Mikel Suma, e emëroi misionar në Prizren. Më pas kaloi nga Prizreni në Gjakovë, për shërbim baritor, të cilin e kreu së bashku me dom Anton Teodorin.

Me që dallohej për zgjuarsi dhe aftësi të veçantë njerëzore, shpirtërore e intelektuale, imzot Suma e emëroi dom Gjonin Vikar të Përgjithshëm. Pas largimit të imzot Mikel Sumës nga kryeipeshkvia e Shkupit, ishte Gjon Kazazi ai që e drejtoi atë kryeipeshkvi nga viti 1737. Me propozimin e kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviqit, imzot Kazazi u emërua vizitator apostolik i kryeipeshkvisë së Sofjes dhe ipeshkvisë së Nikopolit, në Bullgari. Me 23 shtator 1743, Papa Benedikti XIV e emëroi imzot Gjon Nikollë Kazazin kryeipeshkëv të Shkupit në moshën 41. Simbolin e ‘Palios’ e mori në Romë, me 16 dhjetor 1743.

Krahas misioni ungjillëzues, baritor në shërbimit të popullit të Zotit e përforcimin e Kishës së gjallë të Krishtit, imzot Gjon Kazazi kultivoi me pasion e urti edhe aspektin kulturor, posaçërisht shkrimin në gjuhën shqipe. Këtu kishte si qëllim shkrimin e botimin në gjuhën e popullit të tij, pra shqip, të librave me përmbajtje shpirtërore, pra biblike, si katekizmi, doracakët uratësh, librat liturgjike po edhe gjurmimin e rrënjëve të lashta të kombit të tij shqiptar.

Kështu,  gjatë qëndrimi të tij në Romë, në vitin 1740, imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, botuar ne vitin 1555. Po atë vit, 1743, imzot Kazazi botoi edhe katekizmin e tij “Doctrina E kërshten” - "Breve Compendio della Dottrina Cristiana tradotta in lingua Albanese per l'utilità, e istruzione dei Fanciulli di quella Nazione. Da un Nazionale del Regno di Servia Alunno della S. Congregazione" shtypur ne Romë nga "Stamperia della S. Congregatione de Propaganda Fide" .

Kryeipeshkvi Gjon Kazazi shkoi disa herë në Romë për vizitë "ad Limina Apostolorum" tek Papa e dikasteret e Selisë së Shenjtë në Vatikan. Prandaj janë me vlerë të madhe kishtare e historike edhe relacionet që imzot Kazazi solli apo dërgoi në Vatikan më 1743, 1744 e gjatë viteve tjera, në cilat paraqet e informon Papën e Selinë e Shenjtë mbi situatën tejet të rëndës të të krishterëve në trevat shqiptare e në Vende tjera si në Bullgari, Serbi nën sundimin e perandorisë osmane.

Pranë Varreve të Apostujve, në Romë, u gjunjëzua për herë të fundit në vitin 1750, sepse kryeipeshkvi i Shkupit vdiq me 5 gusht te vitit 1752, duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë e Kishës shqiptare, si bari dhe edukator i klerit e i popullit, në historinë e albanologjisë, si zbulues i parë i librit më të vjetër të shtypur në gjuhën shqipe, që njihet deri me sot.

Nga katekizmi i imzot Gjon Kazazit

Lutjet e Mëngjesit

Po të falem o Zot i vërtetë,
e po të bindem,
e po të due me gjith zembër.
Po të falem nderës se më ke kriuom
e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë
prej ndonji mortje së pakujtueshme.
Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija
e po të lutem të më ruojsh
sod e për gjithë herë prej gjith fajesh
e mpkatesh...

 

 

05 gusht 2020, 09:02