2018.08.23 Santa Monica e Sant'Agostino 2018.08.23 Santa Monica e Sant'Agostino 

Më 27 gusht kalendari kujton Shën Monikën, nënën e Shën Agostinit

Shën Monika pati tre fëmijë: Agostinin, Navigon e një vajzë, që nuk i dihet emri. 39 vjeçe, Monika mbeti e vejë e iu desh të kujdesej për të gjithë familjen. Natën e Pashkëve të vitit 387, realizoi ëndrrën më të bukur të jetës: e pa Agostinin, që ishte transferuar në Milano dhe ishte bërë i krishterë, duke u pagëzuar. Zoti i kishte pranuar lutjet e saj, i kishte parë lotët e saj.

R.SH. - Vatikan

Me 27 gusht kalendari Kishtar përkujton Shën Monikën, Nënën e Shën Agostinit, model gjithmonë aktual për gratë e shekullit XXI. Figurën e Shën Monikës e njohim prej shkrimeve të të birit, Shën Agostinit, i cili e përshkuan si një grua të fortë e me fe të patundur në Zotin. Monika jetoi në shekullin e IV. Lindi në Tagaste, qytet i lashtë i Numidisë, në vitin 332.

Në kundërshtim me zakonet e kohës, Monikës i qe lejuar të studionte e ajo përfitoi nga rasti për lexuar Biblën e medituar Fjalën e Zotit. U martua me Patricin, pronar i vogël i Tagastes, anëtar i këshillit bashkiak. I shoqi, që nuk qe besimtar, po ishte njeri i mirë e i përzemërt, por edhe zemërak e autoritar që i kurseu vuajtje të mëdha e pabesnikëri. Monika diti t’i kapërcente të gjitha vuajtjet e dhimbjet duke iu lutur Zotit për kthimin e burrit në fenë e krishterë, i cili vdiq pasi kërkoi Pagëzimin. 

Nga kjo martesë lindën tre fëmijë: Agostini, Navigo e një vajzë, që nuk i dihet emri. 39 vjeçe, Monika mbeti e vejë e iu desh të kujdesej për të gjithë familjen. Natën e Pashkëve të vitit 387, realizoi ëndrrën më të bukur të jetës: e pa Agostinin, që ishte transferuar në Milano dhe ishte bërë i krishterë i bindur, duke u pagëzuar, së bashku me të gjithë familjarët. Domethënë Zoti i kishte pranuar lutjet e saj, i kishte parë lotët e saj. 

Më pas Agostini vendosi të rikthehej në Afrikë e të ndiqte jetën murgare. Në veprën e tij të famshme ‘Rrëfime’, i kushton vëmendje të posaçme bisedave shpirtërore me nënën e tij Monikën, në shtëpinë e qetë të Osties, etapë e ndërmjetme, para nisjes për në Afrikë, që e përforconin në fe dhe e mbushnin me ngushëllim: tashmë ajo, më shumë se nënë, ishte për të birin burim i krishterimit.

Monika vdiq pasi vuajti nga ethe tepër të forta, ndoshta nga malaria. Ishte data 27 gusht e vitit 387 e ajo sapo i kishte mbushur 56 vjet. Bijve u la amanet ta varrosnin trupin e saj ku të donin, pa u shqetësuar për këtë, por ta kujtonin kudo që ndodheshin, para elterit të Zotit. 

Ashtu si Zoja e Bekuar, së cilës u përpoq me të gjitha forcat t’i përngjante, Monika qe “seli e dijes e nënë e shtëpisë”, sepse mbolli dijen shenjte në zemër të të bijve, duke i dhuruar botës një gjeni, si Shën Agostini, ipeshkëv e Doktor i Kishës. Trupi i Shën Monikës mbeti në Kishën e Shën Aureas të Ostias me shekuj, deri më 9 prill të vitit 1430, kur reliket e nënës së Agostinit u mbartën në Romë, në Kishën e Shën Trifonit, sot e Shën Agostinit, e u vendosën në një sarkofag të skalitur mjeshtërisht nga Izaia i Pizës, në shekullin XV.

Shën Monika është model e pajtore qiellore e grave dhe nënave të krishtera, sepse përmes fesë në Krishtin, diti t’i përballonte vështirësitë e jetës duke qëndruar pa u luhatur në shpresën e Hirit të Zotit. Shën Monika besoi në mënyrë të bindur në dashurinë e Zotit si dhuratë për njeriun, që e shpie njeriun në realizimin personal e në mirën dhe të vërtetën e jetës. Emri i saj është shumë i përhapur e festa i kremtohet më 27 gusht, një ditë para festës të të birit, që vdiq më 28 gusht të vitit 430.

Shën Monika na kujton edhe ne, ashtu si i pati kujtuar të birit, se duhet të rrimë gjithnjë zgjuar, duke e jetuar jetën tonë me kujdes, me sytë gjithnjë të ngulur drejt cakut të mbramë të jetës, që është Zoti. Shën Monikën, është model gjithmonë aktual për gratë e shekullit XXI.

27 gusht 2020, 09:24