Gesù Cristo e san Pietro apostolo, basilica Vaticanai Gesù Cristo e san Pietro apostolo, basilica Vaticanai  

Liturgjia e Fjalës sё Zotit e dielës sё 21 gjatё vitit kishtar ‘A’

Jezusi, në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’ thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!”

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 21 gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës sё Zotit e dielës sё 21 gjatё vitit kishtar ‘A’

Leximet biblike të kësaj së diele na ndihmojnë ta njohim më tej e më thellë identitetin e Jezu Krishtit. Kush është Jezusi? Kjo pyetje qendrore e fesë sonë të krishterë, e cila në forma të ndryshme e përshkon tërë Ungjillin, e kësaj së diele jehon përsëri, në pjesën e Ungjilit, prej gojës së Jezusit e na drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejt e personalisht secilit prej nesh: kush është Jezusi për mua, për ty? Nga përgjigja në këtë pikëpyetje, varët marrëdhënia jonë me Të.

Ungjilli na tregon pёr dëshminё e Pjetrit, kur pyetja e përgjithshme e Jezu Krishtit “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”, bëhet e përveçme “Po ju ‑ ç’thoni: kush jam unë?”. Kësaj pyetjeje, nga tё gjithё apostujt, i përgjigjet vetëm Pjetri: “Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”. Kjo do të thotë ta dëshmosh Krishtin, të pranosh se Krishti është Mesia i pritur, Zoti i gjallë, Zoti i vetë jetës. Këtë pyetje jetike Jezusi na e drejton sot edhe ne, të gjithëve, e posaçërisht ne, barinjve. Ai na shikon në dritë të syrit e na pyet: ‘Kush jam unë për ty?’. Si të donte të na thoshte: ‘A jam akoma unë Zoti i jetës sate, drejtimi i zemrës sate, arsyeja e shpresës, e besimit të pamposhtur?”.

Pjetri e apostujt tjerë, pra, në dallim me pjesë e madhe të njerëzve, besojnë se Jezusi nuk është një mësues i madh, apo një profet, por shumë më tepër. Ata kanë fe: besojnë se në Të është i pranishëm e vepron Hyji. Dëshmia e të tjerëve është sigurisht e rëndësishme, sepse si rregull, e gjithë jeta jonë e krishterë fillon me kumtimin që vjen deri tek ne përmes veprës së një ose disa dëshmitarëve. Por më pas duhet të jemi ne vetë që hyjmë personalisht në lidhje të ngushtë e të thellë me Jezusin. Prandajme Shën Pjetrin, edhe ne përsërisim se jemi dishepuj e apostuj të Tij.

Fjala e Zotit e kësaj së diele na kujton dhuratën e autoritetit për qeverisjen dhe udhëheqjen në fe të popullit të Zotit, drejt shtëpisë së Atit Qiellor. Leximi Parë nga Izaia profet dhe Psalmi 137 na thonë se Zoti për të mirën e popullit të vet e zgjedhë atë person që është i përvujtë dhe e ndjek vullnetin e tij Hyjnor. Pjesa e Ungjillit kësaj së diele na paraqet rrëfimin mesianik të Pjetrit apostull dhe përgjigjen e Jezusit, i cili zgjedh atë e nxënësit tjetër për të qenë gurë të bashkësisë së re të besimtarëve. Autoriteti i Pjetrit dhe apostujve vjen prej Zotit e është dhuratë për t’u mbarështuar apo administruar sipas planit të Tij Hyjnor, për të mirën e të gjithëve.

Në ungjillin e kësaj së dieleJezusi pyet: “E ju kush mendoni se jam unë?”. Këtë pyetje ua drejton dishepujve të vet, por përgjigjen na e kërkon edhe ne e të gjithë njerëzve, në të gjitha kohrat. Për të arritur në përgjigjen e shën Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”, pra, është e nevojshme një udhë ndryshimi shpirtëror. Duhet një shqyrtim i thellë brenda vetes për të kuptuar si e jetojmë fenë në veprat e përditshme. A besojmë vërtet në Krishtin, që na është dëftuar në Ungjill? Në Leximin e Dytë, shën Pali apostull nënvizon pashqyrtueshmërinë e rrugëve të Zotit e të mendimeve të Tij. Edhe Isaia profet, në Leximin e Parë, kumton se Hyji do t’i ndryshojë krejtësisht planet e njerëzve e vetëm Ai do t’i japë udhë historisë.

                                                Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Is 22, 19-23)
Mbi shpatullën e tij do ta vë çelësin e shtëpisë së Davidit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti Sebnës: “Do të të heq prej vendit tënd, do të të shkarkoj prej detyrës sate. Shërbëtorin tim do ta ftoj atë ditë, Eliakimin, birin e Helcisë, do t’ia vesh unë petkun tënd, do ta ngjesh me brezin tënd, do t’ia dorëzoj pushtetin tënd. Do të jetë baba për banorë të Jerusalemit e për shtëpinë e Judës. Mbi shpatullën e tij do të vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s’do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s’do të çelë. Si gozhdë do ta ngul në një vend të fortë e do të jetë fron lavdie i shtëpisë së babait të tij. Fjala e Zotit.

Psalmi 138 (137)
Ref: Mos na braktis, o Zot, për dashurinë e besnikërinë tënde.

_____________________________
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
_____________________________
E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
____________________________
Sepse i Lartë është Zoti e i shikon të përvujtët
e prej së largu i dallon krenarët.
E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:
mos e përbuz veprën e duarve të tua!
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 11, 33-36)
Gjithçka është prej Tij, nëpër Të dhe për Të.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tij, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij! E njëmend, ‘kush e njohu mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? Kush i dha Atij më parë që të jetë detyrë t’i kthehet?’
Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen! Fjala e Zotit.

Ungjilli (Mt 15, 21-28)
Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’ thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”
Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.”
“Po ju – u tha atyre – ç’ thoni: kush jam unë?”
Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!”
Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!
Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.” Atëherë u urdhëroi nxënësve që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia. Fjala e Zotit.

22 gusht 2020, 11:10