Kërko

Vangelo della XIX Domenica A - Gesù calma tempesta  Vangelo della XIX Domenica A - Gesù calma tempesta  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 19-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Fjala e Zotit e kësaj së diele na propozon tri figura biblike: Elinë, Palin e Pjetrin. Këta personazhe për shumë aspekte përngjajnë shumë me ne, të cilёt me momente entuziazmi, dëshpërimi, frike e euforie, e jetojmë udhën e fesë në mënyrë të luhatshme.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së fjalës së Zotit të dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 19-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Leximet biblike të kësaj së diele na ftojnë të përshkojmë udhën e fesë e të lëshojmë jetën tonë krejtësisht e plotë besim në duar të Atit Qiellor. Ungjilli i dielës së 19-të nga Mateu (14,22-33), na paraqet Jezusin, që ecën mbi ujë dhe i fton apostujt të bëjnë të njëjtën gjë, pa frikë.   Megjithëse nuk e pranojmë, jetojmë në një shoqëri, që ushqehet vazhdimisht nga frika e kjo gjendje shpirtërore mund të na paralizojë krejtësisht, ose të na bëjë më agresivë ndaj realitetit, në të cilin jetojmë.

Më se një herë, Jezusi i nxit dishepujt e vet të mos kenë frikë, sepse fytyra e Zotit, që Ai erdhi ta bëjë të njohur mbi tokë, nuk karakterizohet as nga zemërimi e as nga inati, por nga dhembshuria e mëshira. Kështu dëshmon se njeriu, ashtu si Elia profet, mund t’i afrohet Zotit, të ngjitet në malin ku ndjen praninë e Tij e ta dëgjojë Atë, që flet në fshehtësinë e zemrës dhe perceptohet si të ishte një pëshpërimë e lehtë e erës, siç përshkruhet në Leximin e Parë të liturgjisë së sotme.

Për ta dëgjuar, kërkohet një vesh i vëmendshëm, që e kupton kur kalon Hyji dhe e shijon ëmbëlsinë e pranisë së Tij. Përmes këtyre shenjave të fshehta e delikate, Zoti na tregon fuqinë e vet. Kështu i ndodh edhe Pjetrit, në Ungjillin e kёsaj sё diele sipas Mateut, kur në mesin e dallgëve të detit, dëgjon zërin e Krishtit, që i thotë: “Eja!” e forca e krahut të Tij e tërheq, duke e shpëtuar nga uji e stuhia. Edhe ne, tё krishterëve të sotëm, na kërkohet pikërisht ky qëndrim e besim ndaj dhembshurisë së Zotit e fuqisë së Tij, për të provuar kështu, shpëtimin, që vjen prej Hyjit.

Faqja e Ungjillit të kёsaj sё diele nga Mateu na rrёfen pёr Jezusin, i cili, pasi tërhiqet në një skaj të vetmuar në mal, lutet gjithë natën. Kështu Jezu Krishti Zot, larg njerëzve e edhe larg dishepujve, tregon lidhjen e ngushtë me Atin Qiellor e nevojën për t’u lutur në vetmi, larg zhurmave të botës. Por ky largim nuk duhet kuptuar si qëndrim indiferent ndaj njerëzve, e aq më pak, si braktisje e Apostujve.

Përkundrazi, rrëfen Shën Mateu, ai i porositi dishepujt të hyjnë në barkë e të kalojnë, para Tij, në anën tjetër (Mt 14,22), për t’u takuar rishtas. Ndërkaq barka, shumë stadje larg tokës, përplasej prej valësh, sepse lundronte kundër erës (v 24). E ja se në agim të ditës Jezusi erdhi kah ata, duke ecur mbi det (v25); dishepujt u tronditën thellë e, duke kujtuar se ishte fantazmë, bërtitën nga frika, nuk e njohën e nuk e kuptuan se ishte Zoti. Por Jezusi i qetësoi e u tha: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!”.

Këtë episod e kanë komentuar Etërit e Kishës, duke nxjerrë prej tij një pasuri të madhe simbolesh. Deti simbolizon jetën e përditshme e paqëndrueshmërinë e botës së dukshme; stuhia, trazirat, vështirësitë, që s’e lenë njeriun të qetë. Ndërsa barka është simbol i Kishës së ndërtuar nga Krishti e të drejtuar nga Apostujt. Jezusi dëshiron t’i edukojë dishepujt e vet t’i përballojnë me guxim dallgët e jetës, duke u mbështetur fort në Zotin, në Atë, që iu duk Elisë mbi Malin Horeb, në fëshfërimën e lehtë të flladit (1 Mbr 19,12).

Fragmenti i Ungjillit vijon me gjestin e Pjetrit, që i kërkon Jezusit të shkojë kah Ai, duke ecur mbi ujë. Jezusi e fton të niset. Po Pjetri, i turbulluar nga era tepër e fortë e nga frika, se mund të mbytej, nisi të fundosej vërtet mes dallgëve e i kërkoi Krishtit ndihmë, duke bërtitur me sa zë që kishte.
Pjetri nuk ecën mbi ujë me forcën e tij, por me ndihmën e Hirit tё Tёnzot, në të cilin beson, e, kur nis të dyshojë, kur nuk i mban më sytë të ngulur tek Jezusi, por fillon të ketë frikë nga era; kur nuk i beson më plotësisht fjalës së Mësuesit Hyjnor, gjë që do të thotë se është duke u larguar prej Tij, atëherë rrezikon të fundoset në detin e jetës. E kështu edhe ne: në se shikojmë vetëm vetveten, varemi nga erërat e nuk jemi në gjendje të shpëtojmë nga stuhitë, nuk mund të ecim mbi ujin e trazuar të jetës.

Zotin, siç na kujton mendimtari Romano Guardini, e kemi gjithnjë pranë, sepse është rrënja e jetës sonë. Megjithatë, duhet ta provojmë lidhjen tonë me Krishtin, kur jemi pranë, e larg Tij. Nga afërsia me Të, fitojmë forcë; nga largësia, vihemi në provë.

Përvoja e Elisë Profet, që dëgjoi kalimin e Zotit, e ankthi i dyshimit, që e vuri në rrezik Shën Pjetrin Apostull, na ndihmojnë të kuptojmë se Zoti vjen të na takojë, para se ta kërkojmë e para se ta thërrasim. E ul qiellin për të na shtrirë dorën e për të na ngritur në lartësinë e Tij, pret vetëm që t’i besojmë plotësisht, t’ia shtrëngojmë me të vërtetë dorën.

                                                           Liturgjia e Fjalёs sё Zotit

Leximi i parë   1 Mbr 19, 9. 11-13

Leximm prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, si arriti atje, natën e kaloi në shpellë. Dhe, ja, iu drejtua fjala e Zotit e i tha: “Ç’bën këtu, Eli”? Ai i tha: “Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit”. Dhe ja, po kalonte Zoti! Para tij u çua një stuhi: erë e fortë! Tundte malet e thërmonte qetat para Zotit: por Zoti nuk ishte në stuhi! Pas stuhisë ra tërmeti! Por Zoti nuk ishte në tërmet! Pas tërmetit erdhi zjarri! Por Zoti nuk ishte në zjarr! Pas zjarri një puhi fryme të hollë. Kur e dëgjoi këtë Elia, e mbuloi fytyrën me leshnik, doli jashtë dhe qëndroi në derën e shpellës. Fjala e Zotit.

Psalmi 85

Ref: Na e jep, o Zot, paqen e pranisë sate

————————————————-

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,

ai premton paqe për popullin e vet,

për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.

Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,

lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

————————————————-

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,

drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

E vërteta do të mbijë nga toka

e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

————————————————-

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë

edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

Drejtësia do t’i shkojë përpara

dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

————————————————-

 

Lexim i dytë Rom 9, 1-5

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Them të vërtetën në Krishtin ‑ nuk rrej ‑ dëshmitare kam ndërgjegjen time bashkë me Shpirtin Shenjt: ndiej në zemër një trishtim të madh dhe dhimbje të vazhdueshme. Po, do të dëshiroja unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi, në vend të bashkëkombësve të mi për kah gjaku. Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet; të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj. Amen. Fjala e Zotit.

Aleluja

Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij.

Aleluja

 

Ungjilli  Mt 14, 22-33

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Pasi e ngiu turmën, Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.

Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. Por, menjëherë Jezusi u tha:

“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”

Pjetri u përgjigj:

“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”

 “Eja!” ‑ i tha.

Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:

“Më shpëto, o Zot!”

Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:

“Fepakët! Përse dyshove!”

Kur hynë në barkë, pushoi era. Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:

“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!” Fjala e Zotit.

08 gusht 2020, 12:07