Kërko

2019.08.16 San Floro martire Ulpiana Dardania Kosovo 2019.08.16 San Floro martire Ulpiana Dardania Kosovo  

Më 18 gusht kalendari kujton Shën Florin e Laurin, martirë nga Ulpiana e Dardanisë

Flori e Lauri, ose Floriani e Laurini, dy vëllezërit binjakë, në shekullin e 2-të erdhën nga vise të largëta në Dardani, në Ulpiana afër Prishtinës, ku ngritën një Kishë të krishterë, të cilën ia kushtuan Jezu Krishtit. Jetuan në gjysmën e parë të shekullit të 2-të e, kur persekutimi ndaj krishterimit u shtri edhe në trevat ilire, u martirizuan në Kosovën e sotme, duke mbrojtur kështu tokën e të parëve tanë me gjak të derdhur për të dëshmuar Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Më 18 gusht, Kisha katolike përkujton dy shenjtorë, që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: e kemi fjalën për Shën Florin e Shën Laurin, martirë, vëllezër binjakë nga qyteti i Ulpianës në tokën e Dardanisë, Kosova e sotme. Tradita mbi dy mijëvjeçare e krishterimit ndër shqiptarë, nuk mund te mos i falte banoreve të këtyre trevave në shekuj edhe shenjtorët vendas, ose ungjillëzues të trevave ku sot banojnë shqiptarët. Dy prej tyre i kremton sot Kisha universale: janë Shën Flori e Shën Lauri.

Dy vëllezërit Flori e Lauri ishin gurgdhendës të njohur e të vlerësuar nga autoritetet e kohës së perandorit romak Adrianit (117-138). Qenë nxënës të Prokolit e të Maksimos, martirë. Pas vdekjes së këtyre për shkak të fesë në Krishtin, Flori e Lauri nga Bizanti u transferuan në Iliri, në qytetin Ulpiana, në krahinën e Dardanisë, ku punuan në minierën gurore Pretoriane të Perandorisë Romake, për llogari të Likonit guvernator.

Krahas punës së tyre e përkujdesimit për të varfrit, i luteshin pandërprere Jezusit Zot, duke mohuar e refuzuar kultin e idhujve që obligonin perandorët romakë tё kohёs. Për shkak të dëshmisë së fesë së tyre në Jezu Krishtin, Zot e Shёlbues, predikimit të Ungjillit e përhapjes së fesë së krishterë, Flori e Lauri u arrestuan, u burgosen, u torturuan e më vonë, me urdhër të guvernatorit të krahinës së Dardanisë, prokonsullit Likone, i groposën për së gjalli.

Menjëherë pas martirizimit të tyre, besimtarët e krishterë, të kohës shkonin tek vendi i varrit të tyre për t’iu lutur Zotit dhe me ndërmjetësimin e shën Florit e Laurit kërkonin hire e bekime Hyjnore .

Kulti në nderim të tyre u përhapë shumë shpjet në të gjitha Kishat lindore, e jeta e dëshmia e tyre për Krishtin, u përhapën ndër besimtarë, aq sa u bënë shembuj të jetës së përsosur të krishterë. Shën Flori e Lauri jetuan në një botë pagane, e janë shembull për ne, pse ata nuk e flijuan fenë e tyre për të arritur suksese materiale e poste të rëndësishme në shoqëri. Flijuan gjithçka e përballuan gjithfarë persekutimesh, shpifjesh, torturash, deri në flijimin e jetës, për të arritur të mirën e vetme që është Jezu Krishti.

Prandaj, shembulli i tyre është mësim e nxitje edhe për ne sot, që t’i përmbahemi vlerave të vërteta, njerëzore e shpirtërore. Pёr Shenjtorёt Flori e Lauri dhe shokёt martirё tё Ulpianёs, nuk janë vetëm Martirët e Ulpianës në Kosovë, por edhe Shenjtorë shumë të dashur për të gjitha Kishat lindore. Pёr ta ka shkruar A. Bressi, i cili mblodhi gjithë materialin e mundshëm, duke gërmuar ndër kisha, kuvende e, sidomos, ndër arkivet e mbarë botës.

18 gusht 2020, 09:08