2019.08.01 don Ndre Mjeda (Mjedja) poeta e sacerdote albanese 2019.08.01 don Ndre Mjeda (Mjedja) poeta e sacerdote albanese 

Dom Ndre Mjedja, në përvjetorin e vdekjes

Prifti e poeti shqiptar, dom Ndre Mjedjën, cilësohet si "mjeshtër i fjalës poetike" dhe "poet me një konceptim poetik të mirëfilltë, që solli risi në vargun e poezisë shqipe". Ndré Mjedja është edhe ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e Pjetër Bogdanit dhe të Pjetër Budit, shkroi për dialektin shqiptar të Istries dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV.

R.SH. - Vatikan

Mё 1 gusht, kujtojmё pёrvjetorin e vdekjes sё dom Ndré Mjedjёs, meshtar e poet shqiptar. 

Dom Ndré Mjedja, meshtari, poet e gjuhëtar i madh, që mbeti në kujtesën e popullit si këngëtari i "Bylbylit në kafaz", i "Rinisë" e i "Andrrës së jetës",  është një ndër fytyrat më të ndritura të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare. Dom Ndré Mjedja, ndërroi jetë më 1 gusht të vitit 1937, ndërsa lindi në Shkodër, më 20 nëntor 1866.  Tërë jetën është përshkuar nëpër rrugët e pafundme të botës së madhe, nga Lavali i Francës, në Manrezë të Spanjës; nga Kraljevica e Jugosllavisë në Chieri të Italisë, nga Krakovia e Polonisë në vendlindje e në fshatin Kukel.

Veprimtaria e dom Ndré Mjedjës është shumë e njohur. Ai nuk bën pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe. Në veprën “Jezuitët Martirë në Shqipëri” botuar vjet më parë nën kujdesin e jezuitit italian Atë Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “ Po të ishte gjallë Mjedja do të shkumbëzonte nga përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim ortodoksinë e tij katolike e tomistike, teologjike e filozofike”. (“Gesuiti Martiri in Albania”, Cusano Milanino, Febbraio, 1966, fq. 45)

Prandaj duke e përkujtuar sot në përvjetorin e vdekjes, po vëmë theksin mbi veprat e tij më pak të njohura, ato fetare.  Ndonëse shumica e veprave fetare të dom Ndré Mjedjës janë përkthime apo përshtatje, mund të themi me plot gojën se me to meshtari poet dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe.

Ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shęjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç; “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927; “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes. Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”.

Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së rë". Në XXI kapituj tregohet jeta e vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Pio XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike që Papa Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve, të asaj kohe, me rastin e kremtimeve të dyqind vjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë, ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re.

Në kreun e parë - siç e quan dom Ndré Mjedja, lexojmë: “Luigj Gonzaga! Ęmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me ęjë; që ka begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të nji pastrís ęjëllore; qi ká xë mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltërna e kisha gjithkű permęndet fëja e Krishtit, prei qândres së Kështęnimit në Romë, e deri në mâ të largtin katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder pyje të páshteg, nder shkretína të mndërshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’ęmen fëmijvet, qi të jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne”.

Në kreun XXII të librit, që titullohet “Zani i Shęjtit Atë Papë” shpjegohet edhe arsyeja që e shtyu Mjeden lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë kohë biografisë së një Shenjti: ...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me i pergiá e me shkue mbas gjurmëve të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shęjte, mësimi i të vertetave të Fës, e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë tjeter veç njikaq prej moshës së rë katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit, simbas nevojëve të soçme... (gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare – shënimi ynë) per mirërritjen e pshtimin e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per ta...”- shkruhet në Letrën Apostolike të Shenjtit Atë Papë.

Një tjetër vepër me karakter fetar është “Historia Shejte” kryevepër e llojit, që bashkon gjuhën e stilin popullor dhe atë të kultivuar njëherësh.
Vepër e dom Ndré Mjedës është edhe një nga librat më të njohur e më të përdorur të uratëve), apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës e përdoret ene edhe sot nga shumë besimtarë. Janë vepra shkruar me dorë mjeshtri, prifti, artisti e shkencëtari. E në përvjetorin e vdekjes së tij, Dom Ndre Mjedja na flet përsëri për veprën e tij të palodhur në dobi të fesë e të kombit

Ndré Mjedja është edhe ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e Pjetër Bogdanit dhe të Pjetër Budit, shkroi për dialektin shqiptar të Istries dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV.

Vepra e Ndre Mjedjës u botua e plotë në tri vëllime në Prishtinë në vitin 1982 nën përkujdesjen e Sabri Hamitit dhe nje studim mjaft i vlefshëm me shtatë vëllime nga Mentor Quku.

                                                                   ********

Në përvjetorin e vdekjes së dom Ndre Mjedjes(1866 – 1937) po kujtojmë artikullin që jezuitët botuan në revistën e tyre “LEKA” për të nderuar kujtimin e tij, pak ditë pas 1 gushtit 1937, kur Meshtari e Poeti i madh ndërroi jetë. Ky shkrim do tregon se çka përfaqësonte Dom Ndré Mjedja për jezuitët. 

Në Historinë e Letërsisë Shqiptare, Tiranë 1983, fq. 341 për Dom Ndre Mjedjen shkruhet: ... Edhe në çastin e vdekjes e më vonë, klerikët reaksionarë, i mohuan atij nderimin dhe u munduan ta nënvleftësonin, por rinia, që e donte aq shumë, e përcolli në varr me dhimbje...

Pas më se një gjysmë shekulli nga vdekja e Mjedjes, revista LEKA (Vjeta IX, nr.7, gusht 1937) u jep përgjigjen e merituar atyre të cilët hodhën baltë mbi marrëdhëniet e atij që vlerësohet si korifeu i Kolegjit Saverian dhe jezuitëve.

ZI NË FAMILJE TË “LEKËS”
... Dom Ndreu diq!

Ai sot nuk âsht mâ nder né. Që me sot Ai fillon e jeton në né, në kujtimin t’onë, me punën e Vet, me njatë frymë qi ká dijtë me i dhânë vepres së Vet sá me u bâ i padekshëm.
Ai nuk âsht mâ. Lavdet që kurr s’i dote, lavdet qi bota duket se i ruen krejt për vedi, ... lavdet qi vetem deka ua ep të mëdhajvet, ato sot mund të shpërthejnë prej zemrës qi njohti zemrën e Tij, prej mendes qi kupton menden e Tij, prej vepres qi vepron në vepren e Tij.
Ai nuk âsht mâ. Dom Ndreu nuk na ndien. Mundena me folë pá u a ndalë hovin ndiesive t’ona.
Atij, qi kúr shkueme me i urue shtatëdhetëvjetorin - shi në ketë kohë qi po na tokon me kjá per Tê - u kuq prej permallimit e, Vigani u bâ si fëmija kundrejtë nxânësave të Vet, atij mundena me ia sjellë sot fjalën pá droje se po e bâjmë me u kuqë.
E fjalën mâ të parën ia thame na të rijt: “Né na perket me trashigue vepren Tande. Kjé i madh, vepra jote âsht e madhe, por Ti na ké frymëzue, në né ké me gjetë vullndetin e mirë, bashkimin qi na forcon, e kena me dijtë me të shkue per gjurmë.”
Ia thame heshtueshem ndër rrugët e Shkodres, kúr trupi i Tij i ngrîmë randonte mbî duer t’ona qi dridheshin jo njaq prej peshimit sá prej emocjonit qi kishim tuj mendue Kê ishim tuj bajtë. I ndêjem afer n’atë ças Dom Ndreut, mâ afër se kur ishim ndër banka të shkollës e i kena folë me zemër në dorë. Ai kje i yni e na kjém krejt të Tij.
I dhamë besen e besen do t’ia mbajmë.
Dona me i folun prap prej këtyne fletve... dona me i folë prap na, t’i flasë gjithkushi: Kleri, qi u nderue tue e pasë antár të vetin, çdo shqiptár qi ia njeh vëleren Gjuhës së vet e lavrorëve të Sajë.
T’i flasin ata qi dijtën me marrë pjesë me shkrimet e veta private e të shtypuna, në kremtimin e shtatëdhetëvjetorit të Tij.
Leka i hap fletët e veta per miqt e Dom Ndreut!
Leka qi e pat të vetin, krejt të vetin, nëzitsin, ndimtarin, këshilltarin e vet, Leka e gjênë vedin sod vetun pá Tê, nuk ka mâ me e ndie zânin e Tij.
                                                                          *********
S’dij shka t’i tham sod. Sod due me kjá per Tê.
Dom Ndreu diq.
Foli per Tê nji Argjipeshkev, foli nji Kryetár Bashkije: nderë e madhe, por Aj e meritoj.
Pat nji funeral qi e organizoj djelmënija shkodrane pá ndryshim besimi: e para herë ndoshta qi nji dekë bashkon në ketë mënyrë lulen e djelmënisë intelektuale, por Aj e meritoj.
Në dekë, universitarët qi në dhéna të hueja kan mësuesat e vet e qi në Shkoder gjithmonë ngitshin tu Dom Ndreu, e çpallen per mësues të tyne.
Fjalët “Universitarët e Mësuesit” qi ata deshten me shkrue në sheritin e kuq të kunorës, janë fjalë symbolike.
E a s’kje Dom Ndreu me të vertetë Mësuesi i tyne? Në punë të studimeve të nalta, shum e lypen ndimen e Tij. E Aj s’pritoj me e thanë fjalen e vet. E njaty, në atë odë të Jezuitëve të Shkodres qi per né ka me mbetë përherë në kujtim, më atë tavolinë pune mbushë me letra e shkrime gjithnduersh, aty n’atë odë, me orë e orë s’pritote plaku me u dhanë arsye Universitarëve të vet.
E të gjith e çmuen ndimen e Tij.
Kunorat e rrethuen arkivolin e Tij: Argjipeshkvi, kleri, djelmënia e shoqnija deshten me i dhanë shêjin e nderimit.
                                                                                 ********
S’dij kúj i ká vojtë neper mend mâ të parit me thânë se Dom Ndreu shkrou pak. Un nuk e dij si gjikohet vepra e madhe: a në sostancë, a në vëllim!
Per me qitë në shtyp shka qiti Dom Ndreu, nuk mundet kurr me u thanë se shkrou pak, thue se nuk ká dashtë me punue mâ.
E prá në vepren e Dom Ndreut vrehet puna e padáme, mendja në tê e shkrime, kultura e thellë në tê e pershîme.
Nuk mundena na me formue nji opinjon qi të na bâjë me mendue se sa punën do ta kish bâ Dom Ndreu po të kishte shkrue mâ shum.
Për me mërrijtë tu shkrimet e Tija qi na kena para sysh, âsht e pamundun mos me e mendue Nierin qi shkrou, nji puntuer të palodhshem, të papushim, të pakursyeshem.
E verteta âsht se Dom Ndreu na ka qitë perpara vetem vepren e persosun. Në ketë veper gjindet kultura e Tij mâ e thélla. Kush historian si Dom Ndreu? Kush lavrues i gjuhës si Aj? Kush klasik si Aj?
Por, pse Aj e muer persypri mundin e zgodh kryeveprat e na i qiti né - tuj na e kursye mundin qi per ketë punë duhet të bâjmë me shkrimtarë të tjerë - vetun per këta të thona se shkrou pak?
Çka shkrou (po flas këtu per lirikë) âsht kryeveper e Tija e e Letrsís shqiptare.
Me e ndjekë per gjurmë, me e studiue e me e çmue vepren e Tij!

Artikulli nënshkruhet: Ales. Është pseudonimi i Profesor Injac Zamputit, i cili do të punonte pranë Atë Valentinit në drejtimin e katedrës që e kishte lënë të zbrazët Poeti e Gjuhëtari i madh

01 gusht 2020, 09:37