Ceremonia evropiane në Spanjë Ceremonia evropiane në Spanjë

Të ndryshme nga Kisha e bota

Disa lajme nga veprimtaria e Kishës nëpër botë, gjendja në kuadrin e pandemisë së koronavirusit e shtegtimi virtual në Lurdë.

R.SH. - Vatikan

Kongregata për Doktrinën e Fesë botoi javën e kaluar një Udhëzues për të ndihmuar dioqezat në procedurën e trajtimit të rasteve të abuzimit me të miturit nga ana e anëtarëve të klerit. Mbrojtja e viktimave dhe e të drejtave të të akuzuarve, bashkëpunimi ndërmjet Kishës dhe shtetit, verifikimi i informacionit dhe sekreti zyrtar, ndërmjet pikave kryesore të dokumentit. Kërkohet fuqishëm të shmanget transferimi i atyre, që akuzohen për krimin e abuzimit.

Ndërroi jetë të premten, në moshën 80-vjeçare, kardinali polak Zenon Grocholewski, prefekt nderi i Kongregatës për Edukimin Katolik. Ishte në pension që prej vitit 2015. Papa Françesku i shprehu të vëllait dhe gjithë familjes ngushëllimet e tij më të ndiera. “Kujtoj me mirënjohje – shkruan Ati i Shenjtë në telegramin e ngushëllimit - punën e lavdërueshme si profesor i vlerësuar i së drejtës kanonike në universitetet papnore Gregoriana dhe Lateranens, si edhe si autor i botimeve të shumta shkencore. Në mënyrë të veçantë – bën Papa një biografi të shkurtër - iu përkushtua bujarisht shërbimit për Selinë e Shenjtë, së pari si sekretar dhe prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës apostolike, pastaj si prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik”. Pikërisht në shërbim, nënvizon Papa, “ai ka dhënë dëshmi për zellin e tij meshtarak, besnikërinë ndaj Ungjillit dhe Kishës”. Për një kohë të gjatë, kardinali ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Gjon Palit II dhe më pas, i Benediktit XVI.

U quajt “Lourdes United” (Lurda e bashkuar), shtegtimi i parë në internet në botë, në kohë koronavirusi. Miliona njerëz nga të gjitha kontinentet, përmes televizionit, radios dhe rrjeteve shoqërore, u takuan të enjten virtualisht, para Zojës së Lurdës, nën shenjën e shpresës dhe të solidaritetit. Nga Shpella e Dukjes së Zojës, në dhjetë gjuhë të ndryshme, 15 orë transmetimi të drejtpërdrejtë, nga ora 7 deri në orën 22, gjatë të cilave u alternuan kremtime, procesione, rruzare dhe lutje të tjera.

Shtegtimet fizike të kësaj kohe në Lurdë janë ato të besimtarëve, që vijnë individualisht, nga zona të tjera të Francës. Për shkak të masave të sigurisë kundër Covid-19, udhët e ndryshme të besimtarëve brenda territorit të shenjtërores janë ndryshuar. Para së të kalojnë në Esplanade, besimtarët dezinfektojnë duart dhe ftohen të vënë maskën. Përpara shpellës, shenja të veçanta përcaktojnë distancën e sigurisë. Në procesionin e mbrëmjes, me qirinj, shtegtarët nuk lëvizin, por është fugurja e Zojës ajo, që përvijon shtigjet ndërmjet dritëzave të ndezura.

Rëndohet kriza shëndetësore dhe ekonomike në Izrael e Palestinë, për shkak të Covid-19. “Në Izrael, infektimet rriten me rreth 1.200 raste në ditë, ndërsa në Palestinë, me mbi 400”, pohon Vincenzo Bellomo, kreu i projekteve të Shoqatës pro Terra Sancta në Betlehem. Sheshi i Grazhdit nuk ka më as turistë dhe as shtegtarë, që prej 5 marsit.

“Gjendja është dramatike. Pas një faze të parë me pak infeksione dhe një bllokim, që zgjati nga muaji mars deri në mes të majit, tani po ndeshemi me një numër të rëndësishëm rastesh pozitive. Në këto dy javë të fundit jemi dëshmitarë të një përshkallëzimi të frikshëm”. Gjatë një takimi në internet, promovuar nga Shoqata pro Terra Sancta, Bellomo, i lidhur nga Betlehemi, shpjegoi se në të dyja vendet “qeveritë kanë dhënë urdhër të mbyllen disa aktivitete. Në veçanti, në Palestinë, gjendja e jashtëzakonshme u rivendos para dy javësh e do të vijojë deri më 5 gusht. Autoritetet u kërkuan tregtarëve të mbyllin dyqanet, por rezultati qenë protestat nëpër rrugë. Ndalimi i mëtejshëm do të ishte shkatërrues për ekonominë e asfiksuar palestineze”. Shumë njerëz refuzojnë të bëjnë tamponet për virusin, sepse kanë frikë se mbeten pa punë.

Ekonomia e Betlehemit po rrënohet. Kriza ekonomike në territoret palestineze është keqësuar edhe nga bllokimi i shtegtimeve, pas kufizimeve për shkak të Covid-19. “Rreth 80% e popullsisë së Betlehemit - pohon Bellomo - punon në sektorin e turizmit dhe shërbimeve. Shumë familje që kanë punuar në hotele, zeje, turizëm, janë pa rroga dhe nuk dinë si të vazhdojnë më tej. Situata ekonomike është më serioze sesa gjatë Intifadës. Shumë, falë punës që nuk mungonte, kishin bërë edhe borxhe për të siguruar një jetë më të mirë. Tani janë të gjithë në mes të rrugës”.

Efekt Covid edhe në jetën kishtare të bashkësive të krishtera: “është e trishtueshme të shohësh famullitë lokale pa besimtarë. Do të duhet kohë para se të kthehet jeta kishtare, që ishte para pandemisë”. Shpresa për rimëkëmbje vjen nga rihapja e sotme e Bazilikës së Lindjes së Krishtit, megjithëse me kuzifimin e numrit të njerëzve, që mund të hyjnë në të. Shpella e Qumështit dhe Fusha e Barinjve, dy vende të shenjta të Betlehemit, tejet të vizituara nga shtegtarët dhe të dashura për të krishterët vendas, mbeten të mbyllura”.

Krerët më të lartë të Bashkimit Evropian - kryetarja e Komisionit, Ursula von der Leyen; përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme, Josep Borrell; presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel - morën pjesë të enjten në mëngjes në Madrid, në përkujtimin solemn shtetëror të viktimave të koronavirusit dhe në homazhet për profesionistët dhe vullnetarët, në vijën e parë të frontit kundër pandemisë. Kremtimi u kryesua nga mbreti i Spanjës, në Plaza de la Armería, përpara Pallatit Mbretëror. Ishte i pranishëm edhe kryeipeshkvi i Madridit, kardinali Carlos Osoro Sierra. “Ky akt nuk mund ta shlyejë dhimbjen e shumë familjeve, që nuk mundën t’u qëndrojnë pranë të dashurve në orët e fundit dhe as të zbehë trishtimin për mungesën e tyre; por synon të dëshmojë vlerën e jetës së tyre”, tha mbreti Felipe.

19 korrik 2020, 08:21