Kërko

20200726_Pixabay_un-tesoro-nascosto.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XVII të vitit liturgjik

Edhe këtë të diel, e 17-a e vitit liturgjik A, Jezu Krishti vijon të na zbulojë në Ungjill si është Mbretëria e Zotit. Shembëlltyrat na e tregojnë si thesar të çmuar, si perlë me vlerë të jashtëzakonshme. Kur i gjen, njeriu gëzohet tej mase e bën çmos t’i ketë. Por ja pjesa, marrë nga kreu 13 i shën Mateut ungjilltar...

R.SH. - Vatikan

44 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë. 45 Mandej Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. 46 Kur e gjen një perlë me vleftje të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.

Të lutemi së bashku:

Mbretëria e Qiellit nuk është

ndonjë ide e mirë, që entuziazmon

vetëm për pak çaste,

e as ndonjë projekt, që tërheq vështrime

por, pastaj, lihet mënjanë,

sepse realiteti është tjetër gjë.

Mbretëria e Qiellit nuk është as

ndonjë ëndërr për t’u mbajtur në sirtar,

në pritje të kohëve më të mira,

ose ndonjë propozim për t’u kataloguar

ndër ata, që duken më interesantë.

 

Ti, o Krisht, sot e krahason atë me një thesar kaq të çmuar

sa kur e gjen, njeriu është gati

të shesë gjithçka, vërtet gjithçka, që të arrijë ta blejë.

 

Ti flet për një perlë,

më e bukura që është parë ndonjëherë,

për të cilën njeriu është gati të shesë

gjithë të tjerat, që ka grumbulluar deri në atë çast.

 

Në të dyja shëmbëlltyrat, që na pëlqejnë pa dyshim,

ka diçka, që na vë në vështirësi.

Po, o Krisht, nuk arrijmë ta gëlltisim

domosdoshmërinë për të rrezikuar gjithçka,

detyrimin për të humbur gjithçka,

që të arrijmë tek çka vlen më shumë.

Po të ishte e mundur, ne do të donim t’i mbanim të gjitha,

pa u ndarë dhimbshëm me pasurinë,

pa e vënë në kandar me atë që peshon më shumë,

me Ungjillin tënd.

 

O Jezu Krisht, më ndihmo të zgjedh

me vendosmëri e pa keqardhje.

25 korrik 2020, 08:01