Kërko

Venite_a_Me-Vangelo--della-XIV-Domenica-del-Tempo-Ordinario-A-AEM.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XIV të vitit liturgjik A

Ejani tek unë, ju të munduar e të lodhur e unë do t’ju çlodh. Ky është premtimi i Jezu Krishtit, në kreun 11 të pjesës ungjillore të sotme, marrë nga shën Mateu. Ta ndjekim ungjilltarin:

R.SH. - Vatikan

25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. 26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu! 27 Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njohë Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë. 28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë”.

Të lutemi së bashku:

E di se mund ta ngarkoj Ty, o Jezus,

barrën time të rëndë:

lodhjen, që nganjëherë më pushton,

vuajtjet dhe plagët e fshehta,

dështimet, që pikëzojnë

jetën time të plogët,

e, edhe mëkatet e pabesitë

që janë aty për të dëshmuar brishtësinë time.

 

Ti nuk më pret

për të më treguar me gisht

njollat dhe gabimet e mia.

Ti nuk më nënshtron

ndaj ndonjë gjykimi të paepur

e as nuk të vjen turp nga veshja ime e leckavitur.

E vërtet, ke ardhur mes nesh

pikërisht për të na liruar e ngushëlluar,

për të na shëruar e çlodhur,

për të na i përtërirë zemrat

me ëmbëlsinë dhe mëshirën Tënde.

 

Ja pse, e di se mund të mbështetem gjithnjë tek Ti,

tek mikpritja Jote,

tek mirësia Jote, të ndaj gjithçka me Ty.

Ti pranon të bartësh me mua barrët e jetës sime,

Ti i këput zinxhirët, që më bajnë të burgosur,

më ndihmon ta heq çdo shkëmb nga supet,

që të eci lehtësisht

në udhën Tënde, krah Teje.

04 korrik 2020, 08:13