Kërko

 Shnejtërorja e Zojës në Knock-Irlandë Shnejtërorja e Zojës në Knock-Irlandë 

Shtegtim, drejt shenjtëroreve mariane.

Në emisionin e tretë të “Në shtegtim, drejt shenjtëroreve”, pas Tokës Shenjte, do fillojmë vizitën në shenjtëroret mariane, nëpër botë. Por, për ku po nisemi…? Po shkojmë në ato vise, ku Zoja na merr për dore, për të na çuar, në fund të jetës, atje, ku nuk ka më vaj as lot!

R. SH.- Vatikan

Pas Tokës Shenjte, caqet më të dëshiruara të shtegtimeve janë shenjtëroret mariane. Atje ku Zoja e Bekuar iu duk njerëzve më të përvuajtur: barinjve! Por, para së të marrim shkopin e shtegtarit e të nisemi për shtegtimet mariane, duhet të dimë për ku po nisemi. E edhe pse! Cilin nga vendet mariane, dëshirojmë të vizitojmë? Sepse janë 15 vetëm ato, që i ka pranuar deri më sot vetë Kisha, ndonëse Zoja vijoi e vijon të duket…

15 dukjet mariane, të njohura nga Kisha

Lajmi i parë, i njohur historikisht, që na kujton një dukje të Marisë, vjen nga Gregori i Nissës (335-392), që flet për vegimin e një ipeshkvi tjetër grek, Gregorit Mrekullibërës, në vitin 231. Po tradita na çon edhe më thellë në kohë.  Shenjtërorja e Pilar, në Saragozë të Spanjës, për shembull, thuhet se e pati zanafillën nga dukja e Zojës Shën Jakut Apostull, ungjillëzues i Spanjës, në vitin 40 pas Krishtit.  Një nga specialistët më të mëdhenj marianë, abati Rëné Laurentin, në Fjalorin e tij të famshëm  të dukjeve të Virgjërës Mari, botuar italisht në vitin 2010, mblodhi më se dy mijë ndërmjetësime të jashtëzakonshme të Zojës, nga zanafilla e krishterimit, deri më sot. Histori e ndërlikuar, në të cilën spikasin 15 dukje, të pranuara zyrtarisht nga Kisha.

Kujtojmë vitet kur u duk e njerëzit fatlumë, të cilëve iu duk: Laus (Francë),1664-1718, Benôite Rencurel; Romë 1842, Alfonso Ratisbonne; La Salette (Francë) 1846, Massimino Giraud e Melania Calvat; Lourdes (Francë) 1858, Bernadette Soubirous; Champion (Usa) 1859, Adele Brise; Pontmain (Francë) 1871, Eugène e Joseph Barbedette, François Richer e Jeanne Lebossé; Gietrzwald (Poloni) 1877, Justine Szafrynska e Barbara Samulowska; Knock (Irlandë) 1879, Margaret Beirne e disa vetëve; Fatima (Portugali) 1917, Lucia Dos Santos, Francesco e Giacinta Marto; Beauraing (Belgjikë) 1932, Fernande, Gilberte e Albert Voisin, Andrée e Gilberte Degeimbre; Banneux (Belgjike) 1933, Mariette Béco; Amsterdam (Holandë) 1945-1959, Ida Peerdemann; Akita (Japoni) 1973-1981, Agnes Sasagawa; Betania (Venezuelë) 1976-1988, Maria Esperanza Medano; Kibeho (Ruandë) 1981-1986, Alphonsine Mumerekë, Nathalie Ukamazimpaka e Marie-Claire Mukangango.

Ç’do të thotë “Njohje zyrtare”

Njohje zyrtare nga ana e Kishës, do të thotë se Kisha është shprehur në favor të dukjes, përmes dekreteve të saj. E pyetjes së natyrshme “pse duket Zoja?”, mund t’i përgjigjemi: “Që të na marrë për dore e për të na çuar te Krishti. E që të na ndihmojë të ecim pas Tij në udhët e ndërlikuara të jetës, deri të caku i mbramë, deri te Porta e amshimit!

31 korrik 2020, 08:30