Seguire-Gesù Seguire-Gesù 

Shenjtorët e javës 5-12 korrik

E diel, më 5 korrik, Kisha kremton të dielën e 14-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 5 korrik, kalendari kujton edhe shën Ndoun Maria Zakaria. Nё Ungjillin e Mateut, Jezusi i ka parasysh njerëzit, që i takon ditë për ditë, njerëz të thjeshtë, të varfër, të sëmurë, mëkatarë, të shtypur, tё lodhur e thotё: “Ejani tek unë të gjithë ju, që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”.

R.SH. - Vatikan

E diel, më 5 korrik, Kisha katolike kremton të dielën e 14-të gjatë vitit kishtar 'A', e gjithnjë më 5 korrik, kalendari përkujton edhe shën Ndoun Maria Zakaria.

Nё Ungjillin e kёsaj sё diele nga Mateu, Jezusi i ka parasysh njerëzit, që i takon ditë për ditë, njerëz të thjeshtë, të varfër, të sëmurë, mëkatarë, të shtypur, tё lodhur e thotё: “Ejani tek unë të gjithë ju, që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”. Jezusi i thotë secilit nga ne: “Zemër, mos lejo të të shembin barrët e jetës, mos u mbyll në vetvete përballë frikës a mëkateve, por eja tek unë”.

Shën Anton Maria Zakaria është themelues i Barnabitëve dhe i Motrave Engjëllore të Shën Palit. Shën Anton Maria Zakaria e na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e trondisin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit!  Po kujtojmë se këtë ditë Bijtë e Bijat e Shën Ndout Maria Zakarisë , pra Barnabitët e Motrat Engjëllore, që prej vitesh me mision në Shqipëri e Kosovë, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre.
 
Të hënën më 6 korrik, sipas kalendarit kishtar bie kujtimi i shën Maria Goretit, virgjër e martire, i Papëve të shenjtë të Romës që pushojnë në paqe në Bazilikën e Vatikanit dhe i së shën Marisë Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave misionare të shën Pjetrit Klaver. Liturgjia e ditës na çon në skenën e ballafaqimit të Krishtit me farisenjtë. Ata e qortojnë, sepse rri me mëkatarë. Ndërsa Zoti u kujton se janë në mënyrë shkandulluese larg nga mëshira hyjnore. 

Të martën më 7 korrik, kalendari kishtar  përkujton shën Astin, ipeshkëv i Durrësit e shën Benediktin XI, papë. Liturgjia e ditës na kujton se kur pajtohemi me një mënyrë jetese që nuk përkon me Ungjillin, do të thotë se më kot e pimë verën e tij të re; ajo nuk ka kurrfarë efekti mbi ne, sepse nuk e kemi kuptuar akoma revolucionin e vërtetë të krishterë.

Të mërkurën më 8 korrik, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Akuila e Prishila, bashkëshortë martirë, nxënës të shën Palit, dhe i lumi Eugjeni III papë. Liturgjia e ditës na kujton se besimi në Krishtin është një thesar i çmuar, që e shndërron e i jep vlera gjithë jetës sonë, në sa dashuria është perlë vezulluese, që na ndriçon në çdo hap.
 
Të enjten më 9 korrik, kalendari përkujton shën Agostinin Zhao Rong, meshtar dhe shokët e tij, martirë kinezë; shën Adrianin III papë; e shën Veronika Gjulianin, abateshë, klarise kapuçine. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu si na mëson Mateu, kur përshkruan dy mrekulli të Krishtit, që shëron një të sëmurë rëndë e ngjall një të vdekur.

Të premten më 10 korrik, kalendari përkujton shenjtorët Rufina e Sekonda, dhe Anatolia e Vitorja, martire. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është Bariu i Mirë, e kudo shkon, shëron sëmundjet e shpirtit e të trupit; turmat rendin pas Mësuesin Hyjnor nga të katër anët, ashtu si delet e lodhura e të këputura, në kërkim të një bariu që të kujdeset për to.

Të shtunën më 11 korrik, kalendari përkujton shën Benediktin Abat, pajtor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekim - e shën Piun I papë. Liturgjia e ditës na fton të reflektojmë mbi simbolikën e hardhisë e të shermendeve, që na kujton se pa Jezusin, nuk mund të arrijmë kurrfarë suksesi. E kjo, sepse shermendi nuk mund të japë fryte i shkëputur nga hardhia. Kështu edhe nxënësi, i shkëputur nga Krishti. 

Të dielën e ardhshme më 12 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 15-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 12 korrik kalendari përkujton edhe shën Gjon Gualbertin, abat, themelues i Valombrozanëve dhe shenjtorët Nabori e Feliçi, martirë milanezë. Liturgjia e kësaj së diele flet për dërgimin e apostujve nga Jezu Krishti për të kumtuar Lajmin e Mirë të shëlbimit të njerëzimit mbarë.

05 korrik 2020, 09:12