Kërko

Vatican News
Tutti Santi - ognissanti Tutti Santi - ognissanti 

Shenjtorët e javës 19-26 korrik

E diel 19 korrik, Kisha kremton të dielën e 16-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 19 korrik, kalendari kujton shën Simakun, papë e Shën Makrinën. Ungjilli i kёsaj sё diele nga Mateu (13,24-43) na sjell Shëmbëlltyrën ungjillore tё grurit të mirë dhe egjrës, qё prek problemin e së keqes në botë e vë theksin mbi durimin e Hyjit. Zoti di ta ndajë grurin nga egjra, por pa ngut. Ai pret, në kundërshtim me ne, që nxitohemi tepër, kur është fjala për të gjykuar, për t’i veçuar shpejt e shpejt ata që na duken të mirë e për t’i shkulur me gjithë rrënjë, të këqijtë, sipas gjykimit tonë. Ndërsa Hyji di të presë. Ai e shikon arën e jetës së çdo njeriu me durim e mëshirë.

R.SH. - Vatikan

E diel 19 korrik, Kisha katolike kremton të dielën e 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit tё parё e, gjithnjë më 19 korrik, kalendari liturgjik përkujton shën Simakun, papë e Shën Makrinën. Ungjilli i kёsaj sё diele nga Mateu (13,24-43) na sjell Shëmbëlltyrën ungjillore tё grurit të mirë dhe egjrës, qё prek problemin e së keqes në botë e vë theksin mbi durimin e Hyjit. Zoti di ta ndajë grurin nga egjra, por pa ngut. Ai pret, në kundërshtim me ne, që nxitohemi tepër, kur është fjala për të gjykuar, për t’i veçuar shpejt e shpejt ata që na duken të mirë e për t’i shkulur me gjithë rrënjë, të këqijtë, sipas gjykimit tonë. Ndërsa Hyji di të presë. Ai e shikon arën e jetës së çdo njeriu me durim e mëshirë.

Të hënën më 20 korrik, kalendari liturgjik përkujton Shën Apolinarin, ipeshkëv i Ravenës e martir, shën Elinë, profet e shën Aurelin e Kartagjenës. Liturgjia ditёs na kujton se Zoti ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.

Të martën më 21 korrik, kalendari  përkujton shën Lorencin nga Brindizi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, shën Praseden romake e shën Ezekielin profet. Liturgjia e ditës na kujton se shërimet që kryen Jezusi të shtunën, nuk duhen shikuar si shkelje e ligjit të Hyjit, por si shenjë e mëshirës së tij, që shprehet edhe në parafoljet e Izaisë profet. 

Të mërkurën më 22 korrik, kalendari kremton festën e shën Marisë Magdalenë, nxënëse e Zotit Jezus. Kjo festë kremtohet edhe nga etërit kapuçinë në Kishën e Taraboshit, në breg të lumit Bunë. Liturgjia ditёs na kujton se Zoti hyn në jetën e njeriut në majë të gishtërinjve. Atëherë në zemra ndizet një shkëndijë dashurie e feje, e cila na shndërron e na ndihmon të gjejmë rrugën e drejtë, rrugën e fesë, që çon te Ati”.

Të enjten më 23 korrik, kalendari përkujton shën shën Brigjidën, rregulltare, Pajtore e Evropës. Liturgjia e ditës përmend se Jezusi u kujton gjithë të krishterëve se duhet t’i shërbejnë mbarë tokës, duke u bërë për të kripë e dritë.

 Të premten më 24 korrik, kalendari  përkujton shën Sharbel Makluf, meshtar e shën Kristinën, virgjër e martire. Me jetën e tyre na nxisin të meditojmë se detyra kryesore e njeriut është të bëjë vullnetin e Zotit. Detyrat e kërkesat e tjera të panumërta të jetës njerëzore, që nga ato të familjes, tek detyrat e punës, janë të gjitha të dorës së dytë e të gjitha të varura pikërisht nga vullneti i Zotit. 
 
Të shtunën më 25 korrik,  kalendari përkujton Shën Jakun e madh, apostull dhe Shën Kristoforin, martir. Liturgjia e ditёs na kujton se kush mbjell me vaj, do të korrë me gëzim! E kjo do të thotë se ecja në gjurmët e Jezusit nuk të çon tek ngjitja e shkallëve të karrierës. Të ndjekësh Krishtin do të thotë të pish me fund kelkun e mundimeve të Tij.

Të dielën e ardhshme më 26 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 17-të gjatë vitit kishtar, e po më 26 korrik kalendari liturgjik përkujton festën e shën Joakimit e shën Anës, prindërve të Zojës së Bekuar, të gjyshit e gjyshes së Jezusit, që së bashku me të drejtët e prisnin ardhjen e Mesisë.

 

19 korrik 2020, 08:40