Krishti  flet me shëmbëlltyra Krishti flet me shëmbëlltyra 

Shëmbëlltyrat ungjillore, në pritje të Mbretërisë së Zotit

Shëmbëlltyrat e treguara nga vetë Jezusi janë rreth 40. Duhet t’i kërkojmë kryesisht në Ungjijtë sinoptikë. Ndërsa në Ungjillin e Gjonit, pothuajse zhduken.

R. SH. - Vatikan

Te Mateu, vërejmë prirjen për t’i grupuar. Një grup, prej shtatë shëmbëlltyrash, i kushtohet mbretërisë së Hyjit. E para është “shëmbëlltyra e mbjellësit”(13,1-9). Vijnë, pastaj, shëmbëlltyra e sinapit (13, 31-32); e tharmit (13, 33-35); e thesarit të fshehur (13, 44); e margaritarit të çmuar (13, 45); e rrjetës (13, 47) që zë peshq të mirë e të këqinj (13, 47-48); e shërbëtorit pa mëshirë (18, 23-35). Tri shëmbëlltyrat eskatologjike theksojnë pritjen vigjilente të ardhjes së Zotit. Janë ajo e punëtorëve në vresht ( 20, 1-16), e kremtimit të dasmës (22, 1-14) dhe e dhjetë virgjërave ( 25, 1-13).  

Te Ungjilli i Lukës nuk e gjejmë prirjen për grupim. Shëmbëlltyrat  shpërndahen lirisht në të gjithë shtrirjen e Ungjillit. Ndjekim, kështu, njëra pas tjetrës,  shëmbëlltyrën e mbjellësit (8, 4-8), të Samaritanit të mirë (10, 25-37) të pasanikut  pamend (12, 13-21); të darkës së madhe (4, 15-24), të deles së humbur (15, 1-5) e kështu me radhë,  pothuajse të gjitha shëmbëlltyrat, të cilat i kemi lexuar më parë edhe te Mateu.

Luka radhit njëra pas tjetrës një seri prej 15 shëmbëlltyrash, duke i krijuar lexuesit mundësinë të admirojë thellësisht bukurinë letrare të këtyre kryeveprave të vogla, plot gjallëri e aftësi komunikative e duke vënë në dukje  disa nga portretet më të njohura, të pikturuara nga Jezusi: Samaritanin e mirë; babain e mëshirshëm, pasanikun e pangopur e Lazrin e varfër, farizeun e publikanin, figura që më pas do të bëheshin burim frymëzimi për artistët më të mëdhenj të pendës, të penelit e të tingullit. Në to spikat, në mënyrë krejt të kuptueshme, analogjia ndërmjet sjelljes njerëzore (tregimi) e asaj hyjnore, në pritje të mbretërisë së Zotit (mesazhi). Por për t’i kuptuar drejt, duhen shpjeguar duke pasur parasysh gjithë mësimin e Zotit.

Shëmbëlltyrat nuk kanë për qëllim të sjellin elemente të reja në kumtimin e Jezusit. E nxisin njeriun ta ndjekë me gjithë vetveten tregimtarin, Jezusin, kumtarin e pakrahasueshëm të mbretërisë së Hyjit. Kush ia vë mendjen, nuk vonon ta kuptojë. Sepse dëgjon një rrëfim realist, jo fantastik; një ngjarje të marrë nga jeta, nga ajo jetë njerëzore, që vijon edhe sot, sepse bota vërtetë ka ndryshuar, por njeriu ka mbetur po ai që ishte, kur i dëgjonte nga goja e vetë Krishtit, shëmbëlltyrat ungjillore.

Po, pse flet Jezusi me shëmbëlltyra? Nuk jemi të parët, që e bëjmë një pyetje të tillë. E bënë edhe nxënësit e Krishtit. E kur e pyetën Zotin pse fliste me shëmbëlltyra, ai u përgjigj: “Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e mbretërisë së qiellit, ndërsa ata (të tjerët), nuk e morën; për këtë arsye atyre u flas me shëmbëlltyra, sepse shikojnë, e nuk shohin, dëgjojnë, e nuk kuptojnë!”.

Prej këndej, disa nga studiuesit e shëmbëlltyrave, pohojnë se Jezusi foli me një gjuhë alegorike, për t’i ndeshkuar ata, që nuk donin ta ndiqnin, për shkak të verbërisë morale e  mendore, pasojë e mosbesimit fajtor të judejve.

Por shumica e studiuesve  i shikojnë shëmbëlltyrat si mjet, i cili buron nga mirësia e intuita pedagogjike e Zotit, për t’i ndriçuar mendjet e atyre, që i dëgjojnë e jo për t’i dënuar. Në se nganjëherë janë të errëta e nuk kuptohen aty për aty, kjo nuk ka të bëjë fare me dënimin e dëgjuesve dyshimtarë, por me prirjen për të ngjallur tek të gjithë, më shumë kureshtje, më shumë dëshirë për t’u thelluar në kuptimin e fjalëve, që dëgjojnë. Nuk është vështirë t’i kuptosh shëmbëlltyrat, në se i lexon në kontekstin historik të Ungjijve.

26 korrik 2020, 09:47