AdobeStock_44506761.jpeg

Reagimi për Shën Sofinë. Ngrenë zërin edhe WCC e imzot Frendo

Këshilli Botëror i Kishave: shndërrimi i një “vendi emblematik” si Shën Sofia, nga muze në xhami, “pashmangshmërisht do të krijojë pasiguri, dyshime e mosbesim, duke minuar të gjitha përpjekjet tona për të bashkuar njerëzit me fe të ndryshme në tryezën e dialogut dhe të bashkëpunimit”. Imzot George Frendo: "Hagia Sofia i përket trashëgimisë botërore. Do të duhej të merreshin vendime të bashkëndara e ai objekt të mbetej i tillë, i hapur dhe i vizitueshëm nga të gjithë e duke u përkitur të gjithëve”.

R.SH. - Vatikan

Kthimi i Shën Sofisë në xhami, me vendimin e së premtes, marrë nga qeveria turke, ka shkaktuar reagime të ndryshme në gjithë botën. Pas Papës dhe Patriarkëve Ortodoksë, Këshilli Botëror i Kishave (WCC), ku bëjnë pjesë 350 Kisha të traditave të ndryshme të krishtera, i kërkoi të shtunën presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ta rishikojë vendimin e 10 korrikut, i cili e shndërroi sërish në vend kulti për myslimanët bazilikën që për gati një mijë vite me radhë ishte e të krishterëve. Kujtojmë se kisha u kthye në xhami pas ardhjes së otomanëve, por ati i Turqisë moderne, Qemal Ataturku, me largpamësi, e la muze, të vizitueshëm nga besimtarët e të gjitha feve. Shndërrimi i një “vendi emblematik” si Shën Sofia, nga muze në xhami, shkruan Këshilli Botëror i Kishave, “pashmangshmërisht do të krijojë pasiguri, dyshime e mosbesim, duke minuar të gjitha përpjekjet tona për të bashkuar njerëzit me fe të ndryshme në tryezën e dialogut dhe të bashkëpunimit”.

Reagimi i Imzot George Frendo-s

 Edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, në një reagim të djeshëm, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të Papës Françesku, gjatë së cilës Ati i Shenjtë shprehu keqardhjen për këtë gjest, nënvizon: “Ky vendim nuk i shërben sigurisht atyre vlerave të bashkëjetesës dhe të ruajtjes së disa parimeve të së drejtës ndërkombëtare – shkruan kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit. - Duke qenë se Hagia Sofia i përket trashëgimisë botërore do të duhej të merreshin vendime të bashkëndara e ai objekt të mbetej i tillë, i hapur dhe i vizitueshëm nga të gjithë e duke u përkitur të gjithëve”.

Myftiu emëron dy imamë e katër muezinë

Ndërkaq, myftiu Ali Erbas, kreu i drejtorisë për Punët fetare në Turqi, ka emëruar tashmë dy imamë e katër muezinë, duke shprehur dëshirën që shën Sofia të ketë edhe një medrese. Sipas zëdhënësit të presidentit turk Erdogan, simbolet fetare të Shën Sofisë nuk do të preken e ajo do të mund të vizitohet nga njerëz të çdo feje. Vetë Erdogan pati njoftuar se lutja e parë islamike në këtë vend kulti do të thuhet më 24 korrik.

13 korrik 2020, 11:37