Kërko

Vatican News
Mons Pietro Budi vescovo e scrittore albanese del 1600 Mons Pietro Budi vescovo e scrittore albanese del 1600  

Imzot Pjetër Budi më 20 korrik 1621 emërohet ipeshkëv i dioqezës së Sapës e Sardës

Imzot Pjetër Budi bёri përpjekje politike për të krijuar mbështetje e ndihma për rezistencën shqiptare kundër pushtimit të Perandorisë Osmane. Veproi për kauzën shqiptare, në një situatë politike teje të vështirë, duke synuar lirimin e popullit nga pushtimi e trysnia turke.

R. SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë se si sot më 20 korrik të vitit 1621 dom Pjetër Budi emërohet ipeshkëv i dioqezës së lashtë shqiptare të Sapës e Sardës.

Imzot Pjetër Budi u lind në Gur të  Bardhë të zonës jugore të Matit, në vitin 1566. Formimin e tij meshtarak dhe studimet filozofike e teologjike i bëri në Kolegjin Ilirik të Loretos dhe në moshën 21 vjeçare u shugurua meshtar dhe menjëherë u dërgua të shërbente me mision në Maqedoni e Kosovë që aso kohe ishin nën juridiksionin kishtar të kryedioqezës së Antivarit, ( Bari i sotëm në Mal të Zi), ku ndjeji për 12 vjet.  

Gjatë qëndrimit dhe misionit të tij meshtarak në Kosovë, dom Pjetër Budi hyri në kontakt me françeskanët e Bosnjës, një marrëdhënie kjo që i shërbeu në vitet e mëvonshme e në përpjekjet e tij politike për të krijuar mbështetje e ndihma për rezistencën shqiptare kundër pushtimit të Perandorisë Osmane. Në vitin 1599, dom Pjetër Budi qe emëruar Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike të Serbisë, detyrë e rol të cilin e mbajti për 17 vjet.

Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, Budi veproi pa dyshim në një situatë politike teje të vështirë e me tensione të mëdha, aq më tepër kur e konsiderojmë angazhimin e tij politik për kauzën shqiptare, sepse  Budi synonte lirimin e popullit të vet nga pushtimi e trysnia turke. Për këtë ai pati kontakte me figura të mëdha të rezistencës siç ishte kroati Franjo Brtuçevic e kryengritësit shqiptarë.

Në vitin 1615 dom Pjetër Budi shkon në Romë ku ndenji deri më 1618 për t’i botuar veprat e tij në gjuhën shqipe. Nga marsi i vitit 1618 e deri në shtator të vitit 1619, Budi shkoi në shtegtim në Santiago të Kompostelës në Spanjë. Pasi u kthye në Romë në vjeshtë të vitit 1619 u angazhua të informonte  Kurien Romake mbi gjendjen e mjerueshme të të krishterëve në Shqipëri e në vise tjera të Ballkanit nën pushtimin turk. Prandaj kërkoi ndihma materiale e financiare për të mbështetur rezistencën që synonte çlirimin nga zgjedha turke.

Më 20 korrik të vitit 1621, Pjetër Budi u emërua ipeshkëv i Sapës e Sardës e një vit më vonë e nisi misionin e tij ipeshkёvnor në Shqipëri, ku kryesisht zhvilloi aktivitete të natyrës atdhetare e politike. Në dhjetor të vitit 1622 duke kaluar lumin Drin, humbi jetën. Vdekja e tij tragjike mbetët një enigmë.

Po kujtojmë veprat e tij. Vepra e parë e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Budit qe “Doktrina e Kërshtenë” që është përkthim i katekizmit të Shën Boberto Bellarminit, botuar në Romë më 1618. Nga aspekti letrar, më shumë se katekizmit, janë me interes 53 faqet e poemave fetare, që përbëjnë shembullin e parë të poezisë në dialektit Gegë. Disa prej poemave janë përkthim nga latinishtja ose italishtja mirëpo një pjesë e mirë janë origjinale.

Disa botime tjera të Imzot Budit qenë: Rituali Romak, një përmbledhje me ritin e Meshës, të sakramenteve të ndryshme, të lutjeve e komenteve të pjesëve biblike në gjuhën shqipe.

Pastaj kemi edhe një përmbledhje prej 16 faqesh mbi shpjegimin e Ritit të Meshës. Po vepra më e njohur e imzot Pjetër Budit është “Pasqyra e të Rrëfyemit”, përkthim e adaptim i veprës “Speculum Confessionis” e Emerio de Bonis.

Imzot Pjetër Budi është poeti i parë shqiptar që shkroi vargje, afër 3.300 rreshta vargjesh fetare në kuartinë me rimë të alternuar.

Tituj të veprave:

Doktrina e Krishtenë – (Dottrina Cristina) e vitit 1618. Vepër e përkthyerë.
Rituali Romak – 1621
Pasqyra e të Rrëfyemit – (Speculum Confessionis) 1621
Kush thotë Meshë këtë kafshë i dhet me shelbuom.

Për ndimë të gjithë kërshtenimit Arbënit

Të kërshtenë, o ju, qi ini
Nd’Arbanë të pagëzuom
Qi fenë mirë e dini
Se u ashtë për të shëlbuom

Këtë letërë e përzini
Qi juve kam dërguom,
Gja kafshë n co të xini
Këtë jetë tue shkuom.

N’dorë e merri, e këndoni,
Ju qi dini me kënduom,
Vini veshët e ndëgjoni
Ju qi dini me ndëgjuom,

Këto fjalë i ligjëroni
Si kankë tue kënduom,
E me za t’i vjershoni
Fort t’amblë e të ngushëlluom.

Vetëhenë ta qërtoni
Lotë tue i lëshuom,
Atë jetë ta kujtoni
Ndë shpirt tu’ lulëzuom.
N cë mirashit mos mëngoni,
N cë keq tue u larguom
Tënëzotë e ta lëvdoni,
Mirë tue veprëruom.

Qi motnë të mos e shkoni
Ndë mkat pçtjellë e ngatëruom,
Po jetenë ta kujtoni,
Qi u ashtë për të shëlbuom.

Asgja mos lakëmoni
Mbë dhet me zotënuom,
Po qielltë dëshëroni
Qi u janë përmetuom

 

 

20 korrik 2020, 09:32