papa Paolo VI e patriarca ecumenico Atenagora papa Paolo VI e patriarca ecumenico Atenagora 

Patriku Ekumenik Atenagora, në përvjetorin e vdekjes

Ortodoksë e katolikë përkujtojnë sot përvjetorin e vdekjes së Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës, Athenagorës I, i cili nderroi jetë më 7 korrik 1972. U bë mbrojtës i dialogut ekumenik dhe i afrimit të Kishave të krishtera.

R.SH. - Vatikan

Më 7 korrik të vitit 1972 ndërronte jetë  Patriku i madh Ekumenik i Kostandinopojës, Athenagora I, protagonist, me Papën Palin VI, i dialogut ekumenik ndërmjet dy Kishave - katolike e ortodokse. Pra, sot Ortodoksë e Katolikë kujtojnë përvjetorin e vdekjes të Patrikut ekumenik të Kostandinopojës, Athenagorës I.

Patriarku ekumenik ortodoks Atenàgora I (Janinё 1886-Konstandinopoj 972). Metropolit i Korfuzit (1923), kryepeshkop dhe primat i Kishës Ortodokse greke, për Amerikën, me seli në Nju Jork (1937), u emërua kryepeshkop dhe Patriark Ekumeniki i Kostandinopojës (1948). Arriti hyrjen e pothuajse të gjitha Kishave ortodokse në Këshillin Ekumenik të Kishave, me nismën protestante. Përshëndeti e mbështeti hapjen drejt një "bisede" ndërmjet Kishave katolike e ortodokse, nisur nga Papa Gjoni XXIII dhe nënvizoi rёndёsinё e kёtij dialogu me takimet veçanërisht të pёrzemёrta, mbajtur në Jeruzalem në janar 1964 dhe në Kostandinopojë dhe në Romë nё vitin 1967 ndёrmjet Atenagores e Palit VI.

Papa i Romës, Pali VI dhe Primati ortodoks Patriku Athenagora u takuan tri herë: për herë të parë në Jeruzalem e pastaj në Stamboll dhe në Vatikan. Para se të njihte Palin VI, Athenagora I kishte njohur e nderuar Papën Gjoni XXIII të cilit, siç thoshte vetë, i pati sugjeruar idenë e një Koncili ekumenik. Nuk duhet të harrojmë se në Koncilin II kishtar të Vatikanit kanё qenë të pranishëm vëzhgues ortodoksë të dërguar nga Athenagora, nga të cilët meriton të kujtohet posaçërisht, Atë Andrè Climati, që luajti rolin e ndërmjetësit të Patrikut ortodoks pranë Papës Palit VI. 

Takimet ndërmjet Patrikut e dy Papëve, patën një rëndësi të dorës së parë për mirëkuptimin, hap drejt bashkimit, dëshira më e zjarrtë e Papëve të kohëve të fundit dhe e gjithë të krishterëve të mirë katolikë e ortodoksë: katolikët zbuluan ortodoksinë, ortodoksët - papatin, d.m.th katolicizmin, gjë që solli si pasojë ndryshimin e ndjenjave dhe davaritjen e mendimeve negative për njëri tjetrin. Ishte një hap i madh drejt bashkimit të pritëm!

Hapi i dytë i madh do të jetë zgjidhja e problemit të parisë, të domethënies e të vendit të saj në Kishë. Vetë Papa Gjon Pali II në enciklikën "Ut unum sint" - "Që të jemi një" - flet për nevojën e dialogut ekumenik në këtë drejtim e jo vetëm kaq, por edhe i fton kishat ortodokse të ulen në tryezën e bisedimit. Për fat të keq, nuk ka pasur atë përgjigje, që do të shënonte një hap tjetër të madh përpara në atë rrugë, që e hapën Papa Pali VI e Patriku Athenagora, e vijuan Papët e mëpasshëm, në gjurmët e të cilit po ecën me zell të madh Ati i Shenjtë Françesku. Mjafton të kujtojmë takimin e fundit në Kostandinopojës në nëntorin e vitit 2014.

Prej këndej nuk mund të mos kujtojmë një ndër ngjarjet më të rëndësishme në impenjimin e katolikëve dhe ortodoksëve për të punuar së bashku: vendimin për të zhdukur kujtimin e anatemave, apo të mallkimeve, të vitit 1054. Deklarata e përbashkët e Palit VI dhe Patrikut Atenagora, e shkruar me frymën e një dashurie të rizbuluar u lexua solemnisht në një kremtim të mbajtur njëkohësisht në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë dhe në Katedralen Patriarkale. Deklarata e Patrikut bazohej mbi dëshminë e Shën Gjonit: ‘Ho Theós agapé estín’ (‘Zoti është dashuri’), ajo e Papës Pali VI, mbi dëshminë e Shën Palit ‘Ambulate in dilectione’ (‘Ecni në rrugët e dashurisë’). Mbi këtë bazë vijuan të zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet Kishës së Romës e asaj të Kostandinopojës. Kujtojmё, pra, dëshirën e shprehur nga Patriku Atenagora dhe nga Papa Pali VI “….për të pirë së bashku në të njëtin kelk e për të ngrënë së bashku Bukën, që është vetë Zoti!” .

Lidhur me Patrikun e Madh Athenagora po kujtojmë edhe një hollësi tjetër tepër interesante për shqiptarët: ai ishte me origjinë shqiptare. Prelati arbëreshë, i ndjeri Monsinjor Eleuterio Fortino, që ndërroi jetë më 22  shtator të vitit 2010,  si zëvendës-sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun ndërmjet të Krishterëve, duke e takuar Patrikun Athenagora për herë të parë në Kostandinopojë, ku ishte me një delegacion ekumenik të Vatikanit, i tha se ishte shqiptar, nga arbëreshët e Italisë. Për çudinë e tij të madhe, mons. Eleuterio Fortino dëgjoi Patrikun t’i përgjigjej me një përshëndetje në gjuhën shqipe, pasuar nga shpjegimi se origjina e tij e largët ishte shqiptare. Nuk çuditemi! A s'qe lindur e rritur në rrethinat e Stambollit edhe Fan Noli? E sa e sa shqiptarë të tjerë të shquar në historinë e largët e të afërt të e Turqisë e të Shqipërisë?

07 korrik 2020, 09:41