Patriarku rus Kirill i kërkon Turqisë që Shën Sofia të mbetet muze

Patriarku ortodoks i Moskës dhe i të gjitha Rusive, Kirill, i bën thirrje qeverisë së Ankarasë që ish-katedralja e Shën Sofisë të mbetet muze. Është një nga monumentet më të mëdha të kulturës së krishterë, deklaron ai.

R.SH. - Vatikan

Patriarku i Moskës dhe i të gjitha Rusive, Kirill, shpreh shqetësim të thellë “për kërkesat e disa politikanëve turq që të rishqyrtohet statusi i ish-bazilikës së Shën Sofisë, në Stamboll të Turqisë”. Vendi i kultit është “një nga monumentet më të mëdha të kulturës së krishterë”, pohon Patriarku, në një deklaratë të 6 korrikut, në të cilën mban qëndrim lidhur me propozimin për ta shndërruar këtë thesar bizantin në xhami. Kujtojmë se nga viti 537 deri në vitin 1453, kjo ndërtesë ishte katedrale greko-katolike e pastaj, ortodokse e seli e Patriarkanës së Kostandinopojës, me përjashtim të një periudhe të shkurtër ndërmjet viteve 1204 e 1261, kur u kthye nga kryqtarët në katedrale katolike të ritit romak, nën Perandorinë latine të Kostandinopojës. Më pas, nga 29 maji 1453, u bë xhami otomane dhe e tillë mbeti deri më 1931. Qemal Ataturku e ktheu në muze, të frekuentueshëm për të gjitha fetë, nga 1 shkurti 1935.

Të mos shkelet trashëgimia kulturore e Kishës së Kostandinopojës

Në deklaratën e tij të djeshme, Kirill nënvizon se katedralja ka një rëndësi të madhe për të gjithë Ortodoksinë dhe është veçanërisht e dashur për Kishën Ruse, pasi ka frymëzuar, edhe në të kaluarën, arkitektët rusë në Kiev, Novgorod dhe Polotsk. “Në historinë e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Kostandinopojës ka pasur disa çaste, nganjëherë, mjaft të vështira - kujton Patriarku Kirill. - Sidoqoftë, me hidhërim dhe indinjatë, populli rus ka reaguar në të kaluarën, ashtu si po përgjigjet edhe tani, kundër çdo përpjekjeje për ta degraduar ose shkelur trashëgiminë shpirtërore mijëravjeçare të Kishës së Kostandinopojës”.

Ruajtja e neutralitetit të Shën Sofisë përforcon paqen dhe harmoninë ndërfetare

Për patriarkun e Moskës dhe të gjithë Rusive, kërcënimi kundër Shën Sofisë i drejtohet gjithë qytetërimit të krishterë. “Është detyrë e çdo shteti civil të ruajë ekuilibrin - vëren ai - ta pajtojë shoqërinë dhe të mos i keqësojë mosmarrëveshjet, për t’i bashkuar njerëzit dhe jo për t’i ndarë”. Në deklaratën e tij, Patriarku Kirill shton se “marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Rusisë po zhvillohen me dinamizëm sot”, prandaj “duhet të merret parasysh se Rusia është vend me shumicën e popullsisë ortodokse dhe se gjithçka, që mund t’i ndodhë Shën Sofisë, do t’i shkaktojë dhimbje të madhe popullit rus”. Së fundi, Patriarku uron që qeveria turke të veprojë me maturi dhe pohon se “ruajtja e gjendjes aktuale neutrale të Shën Sofisë - një nga kryeveprat më të mëdha të kulturës së krishterë e kishë-simbol për miliona të krishterë në mbarë botën - do të lehtësojë më tej zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet popujve të Rusisë dhe Turqisë, duke përforcuar paqen dhe harmoninë ndërfetare”.

07 korrik 2020, 14:30