23-luglio--PREGHIERA-on-line-UISG-religiose-suore-x-malati-da-Covid.jpg

Pandemia, murgeshat ftojnë për lutje: “T’i dëgjojmë të varfërit, që vuajnë”

Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme (UISG), rregulltarët e Amerikës Latine (CLAR) dhe gratë e shuguruara të SHBA-ve (LCWR) përjetojnë sot pasdite, nga ora 15 deri në orën 16.30, në Romë, një lutje botërore në internet. Murgeshat dhe rregulltarët duan ta sensibilizojnë botën për të gjithë ata njerëz, që nuk kanë asistencë shëndetësore, në këtë kohë pandemie.

R.SH. - Vatikan

“I cant’t breath - Nuk marr dot frymë”: nuk janë vetëm fjalët e fundit të afro-amerikanit George Floyd, para se të vdiste i mbytur nën gjurin e një polici të Mineapolis, në SHBA-të. Është edhe titulli i një poezie, shkruar nga një murgeshë, motër Patrizia. E është edhe lajtmotivi i lutjes botërore në internet, sot pasdite, 23 korrik, nga ora 15 deri në orën 16.30, sipas orës evropiane. Organizohet nga Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme (UISG), së bashku me Konfederatën e rregulltarëve dhe të rregulltareve të Amerikës Latine (CLAR), si edhe me Konferencën e Eproreve rregulltare të SHBA-ve (LCWR).

Lutje, heshtje e dëshmi

 Në këtë link të Zoom: https: //us02web.zoom.us/j/89788103343, të gjithë, por para së gjithash murgeshat dhe rregulltarët e gjithë botës, ftohen të luten së bashku në heshtje dhe të dëgjojnë tri dëshmi nga Amerika Latine, nga SHBA-të dhe nga India, zona, që aktualisht, janë më të prekurat nga pandemia Covid-19. “Për të dëgjuar pëshpëritjet e të varfërve që vuajnë”: kjo, ftesa e organizatorëve.

Nuk marr dot frymë, kur shoh vëllain, që vuan

 “Nuk marr dot frymë kur shoh një motër ose një vëlla, që vuan”: ky është vargu i parë i poezisë së shkruar me këtë rast. Në të kujtohen edhe të gjithë ata, që “vdesin për shkak të mungesës së masave të përshtatshme për ta ndaluar virusin”, fshatrat “pa asistencë shëndetësore”, por edhe gratë e dhunuara në aftësinë për të lindur fëmijë dhe “vajzat, që nuk mund të lulëzojnë me ritmin e tyre”.

Të gjitha jetët janë njëlloj të rëndësishme

 Të ndihesh pa frymë për të gjitha padrejtësitë e botës, përfshirë tmerrin, që pësoi George Floyd në Mineapolis, do të thotë të rreshtohesh me ata, që filluan lëvizjen “Jeta e zezakëve është njësoj e rëndësishme”e të shkosh edhe më tej. Të gjitha jetët kanë rëndësi, kujtojnë eproret e UISG-së, ato të viktimave të Covid-19, ato të viktimave të trafikimit njerëzor, të burgosjes së detyruar, të abuzimit të fëmijëve dhe të varfërisë. “Le ta shfrytëzojmë këtë kohë për të reflektuar, për t’u lutur e për të hyrë në kontakt me njerëzimin, që vuan, në botën e sotme – kështu i fton të gjithë motra Niluka Perera, murgeshë e Sri Lankës, që në fillim të këtij viti u thirr për të koordinuar nismën ndërkombëtare të UISG-së “Kujdesi Katolik për Fëmijët”. Rregulltarja është caktuar të nisë lutjen e sotme.

23 korrik 2020, 10:36