AdobeStock_358541789.jpeg

Nga Pakistani, propozimi i hapjes së Shën Sofisë edhe për të krishterët

Të favorizohet dialogu dhe njohja e ndërsjellë. Për këtë arsye, disa krerë të krishterë pakistanezë propozojnë hapjen e vendit të kultit edhe për të krishterët.

R.SH. - Vatikan

Pas kthimit të ish-bazilikës së lashtë bizantine të Shën Sofisë në xhami, më 24 korrik, me dëshirën e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan – vendim, që u zbatua, pavarësisht nga kundërshtimet e thirrjet, ardhur nga vende të ndryshme të botës - disa krerë pakistanezë, protestantë dhe katolikë, propozojnë që Hagia Sophia të hapet edhe për kultin e krishterë, duke lejuar kështu përdorimin e përbashkët.

Të favorizohet dalogu

          Ndër përkrahësit e kësaj nisme, edhe atë Abid Habib, ish-kryetar i Konferencës së Eprorëve rregulltarë të Pakistanit. “Të krishterët mund të luten të dielën, ndërsa myslimanët, të premten!”, nënvizon meshtari për agjencinë Ucanews, duke theksuar se ky përdorim i përbashkët i një vendi kulti nuk është gjë e re: “Në programet e dialogut ndërfetar - shpjegon ai - shpesh më ka ndodhur të dëgjoj myslimanët e mësuar të përmendin hadithe (tregime për jetën e Muhametit), që dëshmojnë se profeti i lejonte delegacionet e krishtera të përdornin xhaminë Masjid-e-Nabvi në Medinë. Ka, për shembull, një katedrale në Boston, që përdoret nga myslimanët për lutjen e së premtes. Mund të mësojmë nga këto raste, duke e bërë Hagia Sofinë në vend adhurimi për të krishterët dhe myslimanët”, pohon atë Habibi.

Të promovohet njohja e ndërsjellë

          Edhe për kryetarin e Këshillit Kombëtar të Kishave protestante të Pakistanit, reverend Azad Marshall, Shën Sofia duhet të jetë e hapur për të krishterët dhe myslimanët: “Besojmë se kjo është një zgjidhje e zbatueshme dhe do të ndihmonte në promovimin e mirëkuptimit, respektit, dialogut dhe bashkëpunimit reciprok”, nënvizon peshkopi, duke shpresuar që qeveria e Karaçit t’u flasë autoriteteve turke për shqetësimet e Kishës Pakistaneze dhe “të luajë rolin, që i takon, në promovimin e harmonisë ndërfetare”.

Rikthimi i Shën Sofisë në kultin islam shkaktoi reagime të fuqishme nga Kishat e krishtera në botë. Bazilika është shndërruar në xhami, edhe në shekullin XV, pas pushtimit otoman të Kostandinopojës, por presidenti i Turqisë moderne, Mustafa Qemal Ataturk pati largpamësinë ta linte muze, në vitin 1934. Dhimbje për vendimin u shpreh edhe nga Papa Françesku, në Engjëllin e Tënzot të 12 korrikut. Me thirrjet kundër kthimit në xhami të Shën Sofisë janë bashkuar edhe peronalitete të rëndësishme të botës myslimane, veçanërisht, Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor (HCHF), i cili javën e kaluar i shkroi një letër solidariteti Këshillit Botëror të Kishave (ËCC), ku deklaronte se vendet e kultit duhet të transmetojnë “mesazhe paqeje dhe dashurie për të gjithë”.

29 korrik 2020, 15:51