Mbrojtja e fëmijëve në Meksikë Mbrojtja e fëmijëve në Meksikë  

Nga Meksika, imzot Herrera ngre zërin kundër abortit

Ndërsa Gjykata e Lartë e Meksikës analizon dosjen për ligjësimin e abortit, ipeshkvijtë nënvizojnë edhe një herë vlerën e jetës, kërkojnë mbrojtjen e saj, të gruas e të foshnjës, duke i nxitur qytetarët të përpiqen bashkërisht për mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu, edhe atij, që sapo ka nisur të jetojë!

R. SH. - Vatikan

“Ne pohojmë se, sipas provave shkencore, jeta njerëzore nis që në çastin  e zënies”. Kështu shprehet imzot Josè Jesús Herrera Quiñones, ipeshkëv i Nuevo Casas Grandes dhe drejtor i Përmasës ipeshkvnore të jetës, pranë Konferencës ipeshkvnore, në një komunikatë botuar më 24 korrik në faqen e internetit të episkopatit, lidhur me analizën nga ana e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Kombit të një dosjeje, që mund të përfundojë me ligjërimin e  abortit në Shtetin e Veracruz e t’i hapë portën miratimit të tij në të gjithë vendin.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Kombit - nënvizon Prelati - mund të ketë  ndikim të menjëhershëm mbi mbrojtjen juridike të së drejtës themelore  të njeriut për jetën, posaçërisht në fazën e saj fillestare. Pasojat e tij do të rëndonin sakaq jo vetëm mbi këtë shtet, por do të shtriheshin edhe në zonat e tjera të vendit.

Vëmendje e posaçme për gratë

“Aborti nuk është ndihmë për gruan - pohon imzot Herrera Quiñones. Kështu gruaja mund të shndërrohet në viktimë që në barkun e nënës”. Prandaj e ngrenë zërin ipeshkvijtë, të vetëdijshëm për kujdesin që u duhet kushtuar grave. Prelatët i njohin mirë nevojat e tyre materiale, fizike e psikologjike. E dinë edhe se dinjiteti i jetës njerëzore, që nis me fekondimin, shtrihet në gjithë jetën dhe është e nevojshme  që ky dinjitet të njihet e të mbrohet, posaçërisht në rastet e grave, që jetojnë në situata të rënda. “U takon, prandaj, autoriteteve të të gjitha niveleve - kujton ipeshkvi - të veprojnë për t’i garantuar mbrojtjen juridike së drejtës për jetën: e drejtë që duhet ta gëzojë çdo njeri, në çdo çast e në çdo rrethanë”.

“I nxisim - përfundon - të gjithë besimtarët katolikë dhe të gjithë qytetarët  të  bëjnë përpjekje të përbashkëta, që dinjiteti njerëzor të njihet e të mbrohet. E edhe që të përballohen sfidat e rënda, që na presin në këtë çast të historisë së vendit tonë”.

27 korrik 2020, 11:31