Kërko

Vatican News

Në një video të Konferencës së Kishave Evropiane dënohet urrejtja dhe intoleranca

Me një video, anëtarët e Konferencës së Kishave Evropiane (CEC), paralajmërojnë Evropën se po përhapet, sidomos në rrjetet shoqërore, një gjuhë urrejtjeje, e cila duhet luftuar.

R.SH. - Vatikan

“Intoleranca fetare është në rritje në shumë vende të botës: hebrenjtë, myslimanët, të krishterët e besimtarë të grupeve të tjera fetare, veçanërisht, pakicat, po pësojnë gjithnjë e më shumë diskriminime, dhunime e madje, edhe persekutime. Gjithnjë e më shumë, përhapen fjalë urrejtjeje, sidomos në rrjetet shoqërore. Për përgjegjësit fetarë të kontinentit të vjetër, kjo është kohë e rrezikshme”: këto janë fjalët e videos, me të cilën anëtarët e Konferencës së Kishave Evropiane (CEC), paralajmërojnë Evropën. Në video përmblidhen rezultatet e edicionit të gjashtë të Shkollës Verore në fushën e të Drejtave të Njeriut, që u mbajt vitin e kaluar në Lisbonë të Portugalisë. Paraqiten komentet e pjesëmarrësve mbi tematika të ndryshme, si për shembull, pse po përhapet kaq shumë gjuha e urrejtjes e në ç’mënyrë përfshihet feja në të.

OKB-ja kundër gjuhës së urrejtjes

Në video, kujtohet se “më 18 qershor 2019, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, nisi një strategji e një plan veprimi kundër narrativës, që nxit urrejtjen”. Kjo strategji e OKB-së nuk e përkufizon gjuhën e urrejtjes nga pikpamja ligjore dhe pranon se ka kundërshti edhe për konceptin e “urrejtjes” në vetvete. Megjithatë, dokumenti vë në dukje çdo lloj komunikimi, me zë, me shkrim, ose me qëndrime, që sulmon dikë, ose përdor një gjuhë përçmuese o diskriminuese, e cila u referohet një, ose disa njerëzve. “Me fjalë të tjera – saktëson videoja e Konferencës së Kishave Evropiane – bazohet thjesht mbi fenë, etninë, kombësinë, ngjyrën, origjinën, llojin, ose mbi çdo faktor, që përcakton një identitet të ndryshëm”.

Në video flet teologia greko-ortodokse, Vasiliki Stathokosta, që përpiqet të dëshmojë sa e rrezikshme është gjuha e urrejtjes, duke e krahasuar me “pika helmi, në gjendje të na e hidhërojnë jetën në të gjitha aspektet e saj”. Nga ana e tij, reverendi Patrick Roger Schnabel, i Kishës Ungjillore Gjermane, shpjegoi se ky shkallëzim i urrejtjes lind nga ndjenja e pasigurisë, që provojnë shumë njerëz, sepse “botës së vjetër po i vjen fundi, por nuk e dimë si do të jetë e reja”.

Ç’duhet të bëjnë të krishterët?

E atëherë, ç’duhet të bëjnë të krishterët për ta çrrënjosur këtë gjuhë urrejtjeje? Për Sekretarin e përgjithshëm të Komisionit të Kishave për emigrantët në Evropë, Torsten Moritz, “në një botë ku përhapen teori komploti e lajme të rreme… duhet të jemi në gjendje t’u kundërvihemi atyre me shembuj konkretë, duke u dhënë mundësi njerëzve të takohen, të shkojnë mirë e ta kuptojnë njëri-tjetrin”. Gjithashtu, duhen “edukuar personat që ta shmangin këtë gjuhë, duke u mësuar respektin, hapjen dhe gjithëpërfshirjen”. Në veçanti, Kishat duhet të jenë në vijën e parë të frontit kundër disa qëndrimeve të caktuara politike.

“Ne besojmë në ndryshimet – pohon ipeshkvi anglikan portugez, Jorge Pina Cabral – mendojmë se duke jetuar së bashku, mund t’i ndajmë vlerat me njëri-tjetrin”. Çdo vend, thekson ai, mund të ndërtojë një shoqëri demokratike, në të cilën të marrin pjesë të gjithë. Së fundi, kryetari i Konferencës së Kishave Evropiane, pastori francez Christian Krieger, u bën thirrje të krishterëve “t’i mirëpresin në Kishë njerëzit, që janë viktima të urrejtjes” e ta kuptojnë se ata “janë motrat e vëllezërit tanë në Krishtin”.

Shkolla verore e këtij viti, që duhej të mbahej në Berlin, do të zhvillohet në lidhje dixhitale, për shkak të pandemisë së Covid-19, nga data 7 deri më 10 korrik. Tema: “Sfidat për të drejtat e njeriut në kohë koronavirusi”.

02 korrik 2020, 16:06