Kërko

IMG_4159 1aem.jpg

Në Irak, të krishterët ka rrezik të zhduken

Sipas studimit të publikuar nga Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, pa ndërhyrjen e menjëhershme të bashkësisë ndërkombëtare, emigracioni i detyruar i të krishterëve, mund ta zvogëlojë praninë e tyre në vend me 80%.

R.SH. - Vatikan

Ndërsa në Bagdad, njoftohet vrasja e Hicham al-Hachemi - ekspertit irakian të xhihadizmit dhe të anti-terrorizmit, këshilltar i qeverisë së Irakut - Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, boton Raportin “Të krishterët në rrezik nga zhdukja në Irak”.

Frika dhe diskriminimi

Në veçanti, studimi shqyrton kërcënimet me të cilat përballen aktualisht të krishterët irakianë, që kthehen në shtëpitë e tyre në Rrafshin e Ninives, pas përndjekjes dramatike të ISIS-it në vitin 2014. Dëshmitë tregojnë se frikën më të madhe e shkakton “veprimtaria e dhunshme e milicive lokale dhe mendimi për një kthim të mundshëm të të ashtuquajturit Shtet Islamik”. Por, përveç mungesës së sigurisë, të krishterët vuajnë nga papunësia (70%), korrupsioni financiar dhe administrativ (51%) dhe diskriminimi fetar (39%), kërcënime shtesë, që sjellin migracion. Kontrastet ndërmjet qeverisë qendrore të Bagdadit dhe qeverisë rajonale të Kurdistanit e rrisin ndjenjën e pasigurisë.

Pllaja e Ninives

Sidoqoftë, sipas të dhënave të përditësuara në prill 2020, 45% e familjeve të krishtera janë rikthyer në Pllajën e Ninives, pavarësisht se detyrohen të rrinë mbyllur. Shpesh, është kthyer vetëm një pjesë e anëtarëve, në kuadrin e një plani afatgjatë për rimëkëmbjen, me të cilin po merret pikërisht Fondacioni “Ndihmë për Kishën që vuan” së bashku me organizata të tjera, të cilat kanë filluar rindërtimin e qendrave të krishtera, shkatërruar nga furia xhihadiste.

Impenjimi i vazhdueshëm i Fondacionit

Fondacioni papnor impenjohet aktualisht në një fazë të re të planit, që ka të bëjë me rindërtimin e strukturave kishtare në qendrat e krishtera të Pllajës. Nga 363 strukturat e përfshira (34 të shkatërruara plotësisht, 132 të djegura dhe 197 të dëmtuara pjesërisht), 87% kanë edhe funksion mbështetës shëndetësor, shoqëror e arsimor.

07 korrik 2020, 12:35