Kërko

Vatican News
 Porciunkola, zemra e françeskanizmit, në Asizi Porciunkola, zemra e françeskanizmit, në Asizi 

Ndjesa e Asizit; “portë e hapur” për hirin, që nuk mund ta pengojë pandemia!

Nisi sot, në qytezën umbre, Triditshi i përgatitjes për Ndjesën e Asizit. Kremtimet do të kushtëzohen nga normat anti-Covid: marshimi françeskan do të mungojë sivjet, e rrëfimet do të bëhen në kuvendin e Porciunkolës.

R. SH. - Vatikan

“Ndjesë, që vijon të lindë Parrizin”: kështu e pati quajtur Papa Françesku, gjatë vizitës, 4 vjet më parë në Asizi, hirin e kërkuar nga i Vobegti për të gjithë, për një botë të tërë - e cila sot ka më shumë se kurrë nevojë për mëshirë. Që sonte, në qytezën e Umbrias, e në të gjitha kishat françeskane nëpër botë, nis Triditshi i përgatitjes për Ndjesën, me kremtimin  e kryesuar nga ipeshkvi i Tortonës, imzot Vittorio Viola.

Solemniteti i Ndjesës në Asizi: takimet

E shtuna, 1 gusht, do të jetë dita e hapjes së Ndjesës. Në orën 11, atë Michael Perry, epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, do të kryesojë kremtimin eukaristik, që do të përfundojë me procesionin e “Hapjes së Ndjesës”: nga ky ças e deri në orën 24.00 të 2 gushtit, do të mund të fitohet Ndjesa e plotë  në të gjitha kishat famullitare françeskane, kudo në botë e edhe në trojet shqiptare! Të diel, më 2 gusht, do të kremtohet Mesha në orën 11.30 e, në orën 20.30, Mbrëmësorja e lutjes për të rinjtë, e transmetuar drejtpërdrejt nga kanali i internetit i fretërve françeskanë.

Ndjesa e Azisit: mund ta fitoni drejtpërdrejt!

Në një skaj të botës është një çudi e vogël, që i ngjet një peshtafi me gurë të çmuar: një Kapelëz, që njihet me emrin “Porziuncola” e që në shqip do të thotë:“Thërmijëz”.

Ishte ky, toponimi mesjetar i një trualli pranë Asizit ku, rreth shekullit XI-XII lindi një kapelëz kushtuar Zojës së Engjëjve. U quajt që asokohe  “Shën Maria e Porciunkolës”, shkurtimisht “Porciunkola”, posaçërisht e dashur për Shën Françeskun që, pikërisht në këtë copëz toke themeloi Urdhërin Françeskan. Këtu deshi ta sillnin, kur e ndjeu se po i afrohej Motra Vdekje, këtu u shtri përdhe, këmbëzbathur. E këtu dha edhe frymën e fundit, në krahët e Mëshirës Hyjnore.

Kur Urdhëri Françeskan, nga një filiz delikat, që ishte, u bë rrap madhështor shumëdegësh, sivëllezërit e Françeskut menduan të ndërtojnë një bazilikë mbi Thërmijëzën, por pa e cënuar. Bazilika u ndërtua mbi kapelëzën e vogël, që tani ka pamjen e tabernakullit, në mes të Bazilikës së Zojës së Engjëjve. Këtu rreh zemra e françeskanizmit.  

E kjo, sepse Porciunkola ka privilegjin e Ndjesës së plotë,  e cila njihet si “Ndjesa e Asizit”. Prej këndej, prej më se shtatë shekujsh, këtu, në këto ditë të para të gushtit, rrajnë me mijëra shtegtarë. Në shekuj po, por jo sivjet, kur  shtegton edhe virusi….

Me a pa shtegtarë, festa do të kremtohet si çdo vit, më 1 e 2 gusht, duke u bërë përsëri thirrje shpirtrave ta kapërcejnë, fizikisht a shpirtërisht, këtë portë të jetës së pasosur, për t’u gjunjëzuar në heshtje e për të rigjetur paqe e pajtim, përmes ndjesës së madhe të Porciunkolës. E kjo Ndjesë fitohet pas rrëfimit  e kungimit, me premtimin që patën bërë Kiara e Françesku për t’iu afruar sa më shumë jetës ungjillore, të cilën që të dy e nisën pikërisht në Porciunkola.

Ngjarja e Faljes së Porciunkolës mbetet shprehje e mëshirës së pafundme të Hyjit  e shenjë  e pasionit apostolik të Shën Françeskut!

Thesari i Porciunkolës

Por, të kthehemi prapa në kohë. E jo pak. Por tetëqind vjet: “Në një  natë të vitit të Zotit 1216, Françesku ishte kredhur në lutje e në kundrim në kapelëzën e Porciunkolës. E në sa lutej, papritmas në kapelë vërshoi një dritë verbuese e Djaloshi pa, mbi elter,  Krishtin, të veshur me dritë e, në të djathtën, Nënën e Tij të shenjtnueshme, rrethuar nga një mori engjëjsh”.

Kështu nis një tregim, i vërtetuar nga diploma e Teobaldit (FF 3391-3399), përmes së cilës njohim zanafillën e kësaj ngjarjeje, që pati pasoja të jashtëzakonshme mbi historinë e kapelëzës së vogël të Shën Marisë së Engjëjve, të gjithë Asizit e të mbarë botës, drejt së cilës i nisi Françesku vëllezërit e tij zhgunamurrtë.

Një lumë hiri gurroi nga Thërmijëza

Një lumë hiri gurroi nga kjo Thërmijëz, përmes Varfanjakut të Asizit, për hir të Birit të Zotit e me miratimin e Papës Onori III. E që asokohe, kaluan shekuj, po Porciunkola nuk pushon s’i dhuruari paqe e ngushëllim shpirtrave në kërkim  shpëtimit.

Shumë shpejt Festa e Ndjesës së Asizit pushtoi botën. Sot vijon të kremtohet në mbarë Kishat françeskane, që mëshira e Zoti t’i arrijë të gjithë, ashtu si deshi Françesku.

Marshimi Françeskan

Ditët e festës, në Asizi, do të duhej të arrinte edhe marshimi françeskan. Po sivjet sheshi para Bazilikës nuk do t’i gëzohet mijëra të rinjve, që  priteshin aty, si zakonisht nga mbarë Italia, por edhe nga viset fqinje. Sivjet nuk do të ketë as përfaqësues të rinisë françeskane shqiptare, përkrah të rinjve kroatë, sllovenë e austriakë.  Por duhet të na ngushëllojë mendimi se tani, kur teknologjia i krijon njeriut mundësinë të shtegtojë në mbarë botën, pa luajtur nga vendi i tij, të gjithë besimtarët mund të marrin pjesë në kremtimet e Porciunkolës, duke i ndjekur drejtpërdrejt përmes WebTV të Porciunkolës, ose duke vizituar faqen e internetit www.porziuncola.org.

Fretërit e Porciunkolës ju urojnë takim të lum me mëshirën e Zotit, që i bën të reja të gjithë sendet!

29 korrik 2020, 12:31